“The Great Hack” për skandalin e fushatave zgjedhore

“Të drejtat mbi të dhënat janë të drejta njeriu”, është thirrja e dokumentarit mbërthyes dhe sfidues të Karim Amerit dhe Jehane Noujaimit, me titull “The Great Hack” rreth skandalit më të madh të kohëve tona: pikëpyetjes gjigante rreth ligjshmërisë së votës për Brexitin.

Dokumentari flet për fushatën e Trumpit gjatë presidencialeve në SHBA, fushatën për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, si dhe shumë aventura të tjera zgjedhore nëpër botë, duke e pasur në fokus lidhjen e tyre me “Cambridge Analytica”, kompaninë britanike për hulumtimin e të dhënave, që me mençuri kishte grumbulluar të dhëna nga miliona përdorues të Facebookut dhe miqve të tyre, përmes një pyetësori në dukje të padëmshëm të “personalitetit”. Kjo kompani e përdori këtë bazë gjigante të të dhënave për fushata marketingu, në dobi të Trumpit dhe aktivistëve të Brexitit; pasi që kompania e shpalli falimentimin, dokumentacioni i saj nuk u zbardh kurrë.

Në qendër të dokumentarit është Brittany Kaiser, ish-e punësuar në “Cambridge Analytica”, sinjalizuese e lidhjeve të punëdhënësve të saj me aktivistët pro-Brexitit, eminenca gri e të cilëve, Arron Banks tani po mundohet që ta heshtë gazetaren e “The Observer”, Carole Cadwalladr – ashtu si edhe këtë film – me padi ligjore.

Këto çështje na janë vënë në dijeni në rend të parë përmes raportimit hulumtues të Cadwalladr, e cila pyetet nëse do të mundë të mbajmë më ndonjëherë zgjedhje të lira dhe fer. Asaj i është dashur të përballet me përbuzjet dhe ngacmimet nga shumë anë. Dokumentari “The Great Hack” flet edhe për akademikun amerikan të çështjeve të mediave, David Carroll, që ka nisur një fushatë ligjore në Mbretërinë e Bashkuar për ta detyruar “Cambridge Analytica”-n ta zbulojë “raportin e të dhënave” të tijin. Kjo pjesë m’i kujtoi përpjekjet e historianit Timothy Garton Ash për ta gjetur dosjen e tij tek “Stasi”-t, e shkruar nga spiunët në ish-Gjermaninë Lindore. Ash pati sukses, por Carroll mbase nuk do ta shohë kurrë dosjen e tij digjitale.

Leave a Comment

Your email address will not be published.