Në mënyrë solemne të dielën në Bardhaj të Tuzit u bë hapja e shtëpisë muze dhe shpalosja e shtatores së atdhetarit Dedë Gjon Lulit. Në këtë akt solemn përveç kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj, të pranishëm ishin edhe djali i komandantit legjendar Adem Jasharit, Lulzimi, Dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, studiuesi, historiani Mehmet Prishtina, prof. Martin Berishaj, veprimtari i çështjes kombëtare Azgan Haklaj dhe shumë mysafirë tjerë.
Në këtë manifestim në emër të familjes së patriotit dhe atdhetarit Hasan Prishtina, me fjalë rasti u paraqit Mehmet Prishtina i cili nxiti emocione te të pranishmit.
Ja fjalimi i tij i plotë:
Pa Dedë Gjon Lulin, s’do ta kishim as Vlorën e vitit 1912-të
Mehmet PRISHTINA
Të dashur qytetarë të Malsisë së Madhe
Shqiptarët duke e parë situatën e rënduar nën sundimin osman dhe lëvizjet politike brenda oborrit të Portës së lartë, krerët shqiptar u rreshtuan krah forcave kryengritëse në revolucionin xhon turk. Ky rreshtim ishte edhe si pasojë e premtimeve të kësaj lëvizje për autonominë e Shqipërisë.
Levizja shqiptare, qysh në fillim të ardhjes në pushtet të xhon turqve u tradhetua dhe si rrjedhojë prijësit tanë u organizuan dhe shpërthyen kryengritjen në Vilajetin e Kosovës më 1910. Kjo kryengritje u popullit tonë u futi frikën pushtuesve turq dhe ata e shtypen atë duke kryer masakra dhe mizori të paparë mbi kombin tonë.
Më 1911, malësorët të prirë nga patrioti Dedë Gjo Luli, ngritën flamurin kombëtar në Deqiq, duke filluar kështu kryengritjen antiosmane për liri dhe pavarësi të trojeve shqiptare.
Dedë Gjo Luli, si një burrë i urtë e largapamës, pas ngritjes së flamurit, i dha patriotit e dijetarit Hasan Prishtina flakadanin prijës për ideimin dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar. Kjo rezultoi me kryengritjen e madhe mbarëkombëtare që çoi deri në çlirimin e Vilajetit të Kosovës deri në Shkup, në gusht të vitit 1912 me kryngritje të tilla!
Pa Deqiqin e malsorëve të Dedë Gjo Lulit, të vitit 1911, pa çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912 dhe Kuvendit të Shkupit, të datës 14 retor të vitit 1912, ku Hasan Prishtina kalon nga kërkesa për autonomi, në kërkesën për pavarësinë e plotë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 28 nentorit 1912.
Vëllezër e motra të të gjitha viseve shqiptare, të dashur vëllezër malesorë, sot jemi në një situatë ndryshe, lufta jonë po vazhdon, por në tjera kushte dhe rrethana politike e organizative. Populli ynë tani është më i fuqishëm se asnjëherë, andaj tani është koha që të rikthejmë pikat politike të Hasan Prishtinës për shqiptarët, pika këto që u përkrahën nga të gjithë patriotët e kohës, edhe nga malesorët e Dedë Gjo Lulit e deri te komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.
Urime shqiptarë, dhe pëhajr ju qoftë Dedë Gjo Luli në Bardhaj të Tuzit.
(Fjalim i mbajtur në ceremoninë e zbulimit të bustitit të heroit të kombit shqiptar, Dedë Gjon Luli).