Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kërkuar falje Polonisë për tiraninë naziste, 80 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Steinmeier dhe liderët tjerë botërorë janë në Poloni për të kujtuar këtë luftë. Të dielën në mëngjes, një ceremoni u mbajt në qytetin Wielun, ku ranë bombat e para gjermane.
Steinmeier dënoi “dëshirën për asgjësim” që çoi në sulme.
“Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane. U kërkoj falje”, ka thënë Steinmeier, duke folur në gjuhën gjermane dhe në atë polake, raporton BBC.
Steineier foli përkrah homologut polak, Andrzej Duda, që e quajti aktin e Gjermanisë Naziste ndaj Polonisë “barbar”.
Ceremonia kishte nisur në orën 04:00 sipas kohës lokale, me një minutë heshtje në nderim të viktimave.
Më vonë të dielën, liderë tjerë botërorë, përfshirë kancelaren gjermane Anglea Merkel dhe zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence, do të mblidhen në kryeqytetin polak, Varshavë.
Në Luftën e Dytë Botërore ishin vrarë gjashtë milionë qytetarë të Polonisë. Qe 80 vjet, Polonia akoma kërkon kompensim për vdekjet dhe shkatërrimin e shkaktuar. Lufta kishte nisur më 1 shtator 1939 dhe kishte zgjatur gjashtë vjet.