Fjalë e mbajtur nga Mehmet Prishtina, para nxënësve dhe mësimëdhënësve të Shkollës “Hasan Prishtina” në Shkup.
Vëllezër e motra,
arsimtarë e ju të
dashur nxënës e prindër,
kryetar i Komunës së Qairit z. Visar Ganiu,
I nderuar Skënder Hasani, drejtor i Institutit të Tashegimis Kulturore të Shqiptarëve
Portreti që sot vjen para jush, sjell jehonën e një kohe të lavdishme, kur Shkupi dhe gjithë shkupjanët ishin bërë porta e madhe ku historia po hynte me gjithë peshën e ngjarjeve që më vonë do të jenë përcaktuese e fatit tonë si komb.
Ky portret ka për autor një artist mjaft të talentuar profesor Fatmir Kabashin dhe frymëzimi që ka nxitur autorin për të nxjerrë në pah plasticitetin e figurës së kolosit tonë të madh Hasan Prishtina, në fakt është një shkrirje ndjenjash sublime që artistët e vërtetë dijnë t’i shndërrojnë në karaktere personalitetesh që sa më shumë të kalojnë vitet, ata aq më shumë iu rezistojnë kohërave.
Jam i bindur se edhe ky portret që do të zbukurojë ambientet e shkollës suaj, do të jetë një plotësim i emrit që mban shkolla juaj, duke e bërë këtë emër edhe më të komunikueshme me brezat që do të vinë pas nesh.
Hasan Prishtina gjithë neve po na shikon me kërshërinë e një njeriu që dikur mu këtu në Shkup ishte nisur për të vu themelet e shtetndërtimit shqiptar, por historia jo gjithmonë është e drejtë me popujt që luftën për liri deh pavarësi të plotë nuk arrijnë ta kurorëzojnë deri në fund.
Prandaj ne sot jemi këtu që të vazhdojmë rrugën që e kishte nisur para një shekulli kolosi ynë Hasan Prishtina, por kjo rrugë tani mund të bëhet me mjete tjera, sepse aspiratat tona si popull po vijnë duke u harmonizuar me proceset euroatlnatike, ku nocioni gjeografik i kufijve do ketë kuptim më tepër simbolik. Ky fakt, megjithatë, nuk e zbeh idealin tonë kombëtar, që burimin e ka në platformën ideologjike të Hasan Prishtinës, e cila tash e në të ardhmen duhet të mbindërtohet me kauzën e shtetndërtimit, gjithkund ku shqiptarët aktualisht jetojnë në Ballkan.
Uroj që shkolla Juaj të mbaj të shenjtë këtë portret si kujtim të figurës së Hasan Prishtinës, kurse të gjithë ata nxënës që do të parakalojnë pranë këtij portreti, le ta mbjellin në zemër porosinë e tij për më shumë emancipim dhe edukim. Vetëm të ditur e të emancipuar si popull mund të meritojmë vendin që na takon në hierarkinë e vlerave evropiane, për të cilat para një shekulli kolosi ynë Hasan Prishtina nuk kursue asgjë, madje as jetën e tij.
Ju nxënësit e Shkupit të vjetër e keni për borxh te mësoni sa më shumë, për të nderuar emrin e shkollës. Hasan Prishtina, nuk la pasardhës bioligjik por fëmijët e tij ishin nxënësit shqiptar kurse populli shqiptar ishte familja e tij!
Urime të gjithëve!
Shkup, 03 shtator 2019
Mehmet Prishtina
Foto: Mehmet Prishtina duke dhuruar potretin e Heroit Hasan Prishtina, kryetarit të Qairit z. Visar Ganiu dhe Drejtoreshe se Shkolles “Hasan Prishtina” në Shkup zonjës Luljeta Shabani Qerimi, shkollë kjo që numëron mbi 1000 nxënës.