Sytë nga Kosova, sot përballja me Çekinë

Tashmë gjithçka është gati për ndeshjen tejet të rëndësishme Kosovë -Çeki në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Përfaqësuesja e Kosovës dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore, ku futbollistët janë parë me humor të mirë dhe shumë entuziastë para përballjes së sotme me çekët, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 15:00.

Stërvitja e fundit ka qenë kryesisht relaksuese, pa intensitet të lartë për futbollistët, por që përzgjedhësi Bernard Challandes u ka dhënë instruksionet e fundit futbollistëve për ta përballuar me sukses sfidën e sotme.

Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshje, teksa i mbetet përzgjedhësit Challandes që të vendosë për 11-shen startuese.

Afër ekipit i ka qëndruar edhe futbollisti Milot Rashica, i cili për shkak të lëndimit nuk do të jetë në gjendje që t’i ndihmojë bashkëlojtarët, por ka vendosur të vijë dhe t’u japë kurajë për fitore në ndeshjen ndaj çekëve.

Para stërvitjes së fundit, në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, të cilët kanë shprehu pikëpamjet e tyre për duelin kundër çekëve.

Challandes ka thënë se skuadra e tij duhet të luajë me shumë pasion dhe si e çmendur për ta arritur rezultat pozitiv, teksa e ka vlerësuar Çekinë si favorite.

Leave a Comment

Your email address will not be published.