Nga viti 2004, kur botoi studimin dyvëllimësh “Shestani – studim filologjik gjithëpërfshirës”, Gjokë Dabaj deri më tash ka botuar një numër të konsideruar librash, kryesisht nga fusha e letërsisë, por edhe të zhanreve të tjera.
Kohë më parë opinionit iu prezantua me një botim, i cili mban titullin “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, botuar nga “Art Clubi”, në vitin 2014. Është ky një botim i veçantë që dallohet për nga përmbajtja dhe qasja e tij, sepse kemi të bëjmë me një kritikë, ndaj një libri me autor Ivan Jovoviq, me titull “Iz prošlosti Dukljansko-barske nadbiskupije” (Nga e kaluara e Arqipeshkvisë Dokleato-tivarase), botuar në Tivar në vitin 2004.
Ndonëse një botim i tillë kishte dhjetë vjet që kishte dalë në qarkullim, jemi dëshmitarë se ka munguar reagimi kritik, qoftë në formë vështrimi apo recensioni nga autorë të ndryshëm shqiptarë, qofshin ata historianë, klerikë apo publicistë. Por nëse ky libër do të ishte botuar në kohën e monizmit, diçka e tillë ka mundur edhe të arsyetohet, sepse pakkush ka pasur guxim të merret me çështje të tillë, sepse pasojat kanë qenë evidente për autorët përkatës. Por një qëndrim i tillë nihilist tash në pluralizëm nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse ekziston liria e të shprehurit dhe e të shkruarit, ku nuk bëjnë përjashtim as çështjet konfesionale, apo të institucioneve përkatëse, sikurse është Arqipeshkvia e Tivarit.
Pikërisht, duke e parë këtë çështje me vështrim kritik, e cila meritonte një përgjigje dhe qasje profesionale, ishte Gjokë Dabaj, i cili u angazhua, duke pasur guxim intelektual, dhe opinionit i dhuroi një botim të veçantë me titull “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”.
Duke lexuar këtë libër nuk ka dilemë se është për admirim angazhimi i autorit, në lidhje me një temë interesante për të kaluarën e një institucioni shpirtëror që ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë mjedis. Por them pa hezitim se autori kishte guxim të merrej me një temë të tillë, e cila kryesisht iu takon klerikëve apo historianëve, sepse janë më kompetentë për çështje të tilla. Por Gjokë Dabaj, duke qenë intelektual i guximshëm, bëri një avancim personal dhe moral duke trajtuar një temë të veçantë, e cila nuk është trajtuar në diakroni dhe sinkroni deri më tash nga asnjë autor shqiptar. Ky botim më vlerë paraqet një polemikë, apo më mirë të themi një përgjigje ndaj autorit I. Jovoviq, i cili e ka botuar në gjuhën serbe në vitin 2004. / Nail Draga