Një kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës udhëtoi dje për në Britani të Madhe, për të marrë pjesë në garën ushtarake ndërkombëtare “Cambrian Patrol 19”, e cila do të mbahet nga data 6 deri më 21 tetor 2019.
Forca e Sigurisë e Kosovës, me qëllim të zbatimit të misionit të saj dhe me synim që të arrijë rezultate në përputhje me standardet e kërkuara bashkëkohore, në këtë ushtrim do të marrë pjesë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Britaninë e Madhe.
Gara “Cambrian Patrol 19” është aktiviteti më prestigjioz ushtarak, që realizohet nga Brigada 160 e këmbësorisë, dhe është ushtrim kryesor patrullues për ushtrinë e Britanisë, i cili është i hapur për të gjitha shërbimet ushtarake të Britanisë dhe shërbimet e tjera ushtarake ndërkombëtare.
Këtë vit, kontingjenti i FSK-së, që nga muaji shkurt ka bërë përgatitje intensive si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri në disiplina të ndryshme; duke filluar nga Faza përgatitore për këtë ushtrim, e cila ka zgjatur rreth 8 muaj të plotë, ku janë përfshirë 3 muaj parapërgatitje dhe 5 muaj trajnim intensiv.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës po marrin pjesë në këtë garë për herë të tretë dhe se FSK-ja për herë të parë mori pjesë në këtë garë në vitin 2016, dhe në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse kontingjenti i saj pati marrë „medaljen e artë“, ndërsa në garën e vitit 2018 kontingjenti i FSK-së ishte shpërblyer me “medaljen e bronztë”.
Ushtrimi “Cambrian Patrol” ka filluar që nga viti 1959, dhe në mbarë botën njihet si një nga patrullat më të vështira, ku një numër i vogël skuadrash arrijnë të dekorohen me medalje, ndërsa shkalla e dështimit është mjaft e lartë.