Zbulohet letra e studentëve shqiptarë të Romës për Presidentin e SHBA

Viti 1919 ishte një vit tejet i rëndësishëm për historinë e kontinentit, pasi vendosi disa nga piketat më të rëndësishme për ardhmërinë e tij, edhe pse koha dëshmoi se shtyllat, në të cilat ajo u mbështet, ishin me shumë probleme.

Ish-Presidenti-amerikan-Woodrow-Wilson-dhe-bashkëshortja-e-tij-Edith-Bolling-Galt-Wilson-në-qershor-1920.jpg

Ish-Presidenti amerikan, Woodrow Wilson, dhe bashkëshortja e tij Edith Bolling Galt Wilson, në qershor 1920.

Sikurse dihet botërisht, më 18 janar të atij viti u mbajt në Paris “Konferenca e Paqes”, një takim i fuqive fituese të palës aleate gjatë Luftës së Parë Botërore, me qëllim përcaktimin e kushteve të paqes ndaj fuqive të ish-Boshtit, tashmë humbës të luftës dhe përcaktimit të mëtejshëm të fateve të kombeve europiane. Sidoqoftë, njohja e Shqipërisë shtet i pavarur e sovran dhe bllokimi i pretendimeve territoriale nga ana e shteteve fqinje, ishte dhe do të vijojë të mbetet në fakt një nga arritjet më të mëdha për shqiptarët në të gjitha vitet në vijim, përkrah shpalljes së Pavarësisë në 1912. Gjithçka po ndodhte pas skandalit që shpërtheu qysh në fundvitin 1917 dhe u mbajt i gjallë gjatë gjithë vitit 1919, me publikimin e planeve të fshehta të Marrëveshjes së Londrës për copëtimin e Shqipërisë deri në reduktimin e kufijve e statusit të saj në një principatë me territor e rol fare të papërfillshëm, ku rol të rëndësishëm papritur kishin marrë SHBA dhe veçanërisht idetë dhe fryma që përcillte lideri i tyre, Presidenti Woodrow Wilson për të drejtën e panegociueshme të popujve për vetëvendosje.

Nisur nga kjo frymë, qysh para Konferencës, përveç përpjekjeve “zyrtare” me përfaqësues të zgjedhur e delegacione paralele që më shumë se bashkëpunonin, rivalizonin njëri-tjetrin e ku vijonin të luheshin akoma interesa adekuate të fqinjëve, pati shumë grupe patriotësh shqiptarë, në të dyja anët e Atlantikut, që duke njohur këtë tipar e rol të ri të SHBA, u përpoqën të depërtonin e ta sillnin Shqipërinë në vëmendjen e Presidentit Wilson, për të fituar sa më shumë simpatinë dhe mbrojtjen e tij në favor të Shqipërisë. Këta të dytët, në një aspekt joformal, patën si rrjedhojë një rol jo të vogël në formësimin e vendimeve të Konferencës dhe vënien në jetë të planeve që bënë të mundur më në fund nisjen e një procesi të gjatë shtetformues tërësisht sovran te shqiptarët. Ndërkaq, nga Shqipëria, gjeneralët italianë raportonin se:

“Mbi këto substrakte ndjenjash dhe aspiratash, shqiptarët kanë mundur të thithin iniciativat e fshehura të amerikanëve rezidentë këtu, për një protektorat të mundshëm, të përforcuara nga tregimet dhe diskutimet e emigrantëve të shumtë, që vijnë çdo ditë nga Amerika…… Rezultati është se sot, jo pak shqiptarë demonstrojnë në dukje dëshirën për një protektorat amerikan ndaj Shqipërisë…” (Shih: Armand Plaka, 1919/ Gjenerali italian: shqiptarët duan protektorat amerikan! Çfarë i shkruante Romës Komandant Piacentini, që mbante të pushtuar Vlorën? Ç’mendonte ai për shqiptarët dhe misionin e të dërguarit special të Presidentit Wilson në kohën kur po zhvillohej Konferenca e Paqes e vitit 1919 në Paris, gazeta “Dita”, Nr. 245, 7 korrik, 2013, f. 18 – 19).

PIKTURË-E-KOHËS-QË-PARAQET-ISH-PRESIDENTIN-AMERIKAN-WOODROW-WILSON.jpg

PIKTURË E KOHËS QË PARAQET ISH-PRESIDENTIN AMERIKAN, WOODROW WILSON

LETRA E STUDENTËVE TË VJENËS E 15 DHJETORIT 1918

Mes letrave të shumta drejtuar liderit amerikan, na u risoll në vëmendje nga shtypi i përditshëm gjatë muajit janar të këtij viti edhe letra e studentëve shqiptarë të Vjenës, të cilët e nënshkruan atë më 15 dhjetor 1918, më shumë se 100 vjet më parë. Në këtë kuadër ishte i nevojshëm një sqarim dhënë nga Dr. Jovan Basho pak ditë më parë (shih: Letra e para 100 vjetëve e 9 studentëve shqiptarë për Presidentin amerikan Wilson, dr. Jovan Basho, gazeta “Shqip”-online, 31 dhjetor 2018) ku ai thekson se vetë ky lajm tashmë nuk përbënte një risi në vetvete, sepse letra e përmbajtja e saj si lajm ishte botuar tashmë vite më parë, më konkretisht qysh më 10.03.2011. Vetë z. Basho, ndërsa rrëfen të gjithë historikun e saj, për më tepër thekson: “U entuziazmova tepër kur lexova në shtyp një shkrim të zonjës Nevila Nika, e cila ishte e para që shkroi për këtë letër, në kohën kur ajo ishte Drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit”.

Kjo letër përbën pa dyshim, sot, një kontribut me vlerë për pasurimin e historiografisë sonë kombëtare në 100 vitet e fundit, por duhet mbajtur parasysh se ka akoma shumëçka për të zbuluar e rrëfyer, pasi sikurse dihet, thirrjet publike, letrat e lutjet për Presidentin amerikan në atë kohë vinin nga shumë anë e grupime, shumë prej të cilave akoma s‘na janë bërë të njohura edhe 100 vjet më pas.

LETRA E STUDENTËVE SHQIPTARË TË ROMËS

Kësisoj, fare rastësisht rashë në kontakt me prezencën e një letre të studentëve shqiptarë të Universitetit Mbretëror të Romës, e 3 janarit 1919, e cila më shumë sesa nga përmbajtja, ka vlera të veçanta, duke i tejkaluar ato historike, për nga mënyra se si është përpiluar, çfarë materiali (fizik), çfarë stili, çfarë forme e strategjie është përdorur që ajo të dukej në duart e Presidentit Amerikan, “liderit të kombeve të lira” si një porosi tejet e veçantë, e servirur, e kuruar dhe e dedikuar deri në detaje duke përftuar kësisoj vlera të rralla “numizmatike”.

Faksimile-të-letrës-dhe-të-portofolit-prej-lëkure.jpg

Faksimile të letrës së studentëve shqiptarë të Universitetit Mbretëror të Romës, përgatitur për Presidentin amerikan, Woodrow Wilson, më 3 janar 1919, dy javë para nisjes së Konferencës së Paqes në Paris

Ndërsa letra e studentëve të Vjenës e datës 15/12/918 është shkruar thjesht me shkrim dore në shqip e përkthyer më pas në anglisht, e zeza mbi të bardhë, firmosur në fund nga një grup studentësh, të cilët do të bënin më pas emër në karrierat e tyre profesionale në shtetin shqiptar, të tillë si: Jani Basho, Remzi Bape, H. Hifzi, Nush Bushati, Djevat Korça, Luigj Kakariqi, Gjovalin Gjiadri, Raku Buda, Fuad Aslani, letra në fjalë është zgjedhur të shkruhet, paraqitet e madje të firmoset ndryshe: në emër të studentëve shqiptarë të Romës, ajo është nënshkruar vetëm nga Kostandin Kotte, i cili më pas do të shihte t’i shndriste ylli i karrierës në fillimvitet ’40, por që me ardhjen e komunistëve në pushtet, do të ishte ndër të parët që do të ekzekutohej me vdekje nga Gjyqi Special më 13 prill 1945, pasi ishte arrestuar më parë në fund të vitit 1944.

AROMË NGA “KOHË TË LARGËTA”

Kur e has në fillim, menjëherë mendon se ke të bësh me ndonjë dorëshkrim që vjen nga kohë të largëta, nga shekujt e Mesjetës. Më pas e sheh se është vetëm një dokument i para 100 vjetëve. Një letër që i është prezantuar Presidentit Woodrow Wilson nga studentët shqiptarë të Universitetit Mbretëror të Romës, më 3 janar 1919. Një thirrje nga një grup studentësh që studionin në “Qytetin e Përjetshëm” siç shkruhet aty, nënshkruar nga Kostandin Kotte, përfaqësues i tyre. Interesant është fakti se e gjithë letra është shkruar në mënyrë tejet formale, me shumë kujdes e përkushtim, duke e dëshmuar këtë edhe në formatin e saj fizik, një referencë nga kohë të largëta me germa të vjetra latine të familjes gotike, e madje edhe data në fund është shënuar me shifra latine e jo arabe, duke shënuar tekstualisht: Rome, III January MDÇÇXIX. Gjithçka në dukje me dorë, por sidoqoftë e shtypur, e dizenjuar dhe ideuar nga një mjeshtër roman.

Faksimile-të-letrës-dhe-të-portofolit-prej-lëkure1.jpg

Faksimile të letrës së studentëve shqiptarë të Universitetit Mbretëror të Romës, përgatitur për Presidentin amerikan, Woodrow Wilson, më 3 janar 1919, dy javë para nisjes së Konferencës së Paqes në Paris

Shkruar në të kuqe e të zezë me ornamente artistike quasi mesjetare, letra është mbështjellë me shumë kujdes me kapak lëkure para dhe prapa, sikurse shoqërohet para se të vijmë në përmbajtje, edhe me një letër hyrëse ku gjenden në miniaturë flamuri shqiptar dhe ai amerikan, zbukuruar apo kombinuar me simbolikën e peshores së drejtësisë, të gjitha këto të përfshira brenda një kuadri shumëngjyrësh dhe një kordoni të zbukuruar plot lule. “Iluminimi”, siç cilësohet kjo gjini artistike e të paraqiturit të përmbajtjeve speciale plot ornamente, është shënjuar nga mjeshtri P. Lucandri. Mbështjellë me një “portofol” ngjyrë gri prej lëkure me buzët të stamposura me mëndafsh të gjelbër, kjo letër e rrallë kortezie, përfshin edhe një stampë dekorative të ngjitur në krye të kapakut, që përmban si dedikim emrin e mbajtësit të tij, d.m.th. të Presidentit Wilson.

ARKIVIMI, KONTRIBUT I ISH-ZONJËS SË PARË TË SHBA-VE

Sot, letra në fjalë është pronë e Bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe në skedën e saj shkruhet se i drejtohet shkëlqesisë së tij Woodrow Wilson, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe se është dhuruar nga ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Edith Wilson, duke u bërë pjesë e Koleksionit “Woodrow Wilson” të Librarisë së Kongresit, në fondin arkivor për Marrëdhëniet e Jashtme, kushtuar Shqipërisë ( vitet 1912-1940). Zonja Edith Bolling Galt Wilson ishte bashkëshortja nga martesa e dytë e ish-Presidentit të famshëm amerikan dhe jetoi në vitet (1872 –1961) e nga viti 1915 deri në vitin 1921 ishte “First Lady of the United States”. Ajo u martua me Wilson në kohën kur ky i fundit po konsumonte mandatin e tij të parë si President i SHBAve. Presidenti Wilson pësoi një seri problemesh kardiake në tetor 1919 dhe Edith Wilson nisi të vlerësojë të gjitha çështjet shtetërore dhe vendoste se cila syresh ishte e rëndësishme e cila jo për t’ia paraqitur më tej Presidentit për shqyrtim. Duke vepruar kështu, ajo sipas shumë kritikëve, historianëve e bibliografëve amerikanë, ishte de facto shefja e ekzekutivit amerikan, sidomos në mandatin e dytë të Presidentit Wilson, deri në mars 1921.

WILSON SI “APOSTULL I LIRISË” DHE PËRMBAJTJA E LETRËS

Nëse sheh me vëmendje përmbajtjen e letrës, dallon menjëherë se studentët shqiptarë, tepër të shqetësuar për fatet e atdheut të tyre, kanë dashur të shfrytëzojnë sa më shumë rastin e vizitës së Presidentit amerikan në atë kohë në Romë, për t’i dorëzuar atë thirrje që për nga volumi është modeste, por nga përmbajtja dhe mënyra se si është servirur, tepër e veçantë. Veç argumentimit dhe lutjes për të marrë në mbrojtje fatin e Shqipërisë, aty gjen edhe lëvdata e shprehje standarde të tilla si “Apostull i Lirisë”, të cilat ishin bërë “trendy” për të vënë në dukje rolin e SHBA-ve e posaçërisht të Presidentit Wilson në Konferencën e pritshme të Paqes në Paris. Por ç’përmbante realisht letra në fjalë, e cila duhet thënë se është paksa e vështirë të transkriptohet direkt nga përmbajtja fizike, për shkak të fontit gotik dhe ornamenteve që janë përdorur. Sidoqoftë, më poshtë përmbajtja e saj e plotë:

Faksimile-të-letrës-dhe-të-portofolit-prej-lëkure2.jpg

Portofoli prej lëkure (zbukuruar me dizenjo e ornamente të veçanta) i studentëve shqiptarë të Universitetit Mbretëror të Romës, përgatitur për Presidentin amerikan, Woodrow Wilson, më 3 janar 1919, dy javë para nisjes së Konferencës së Paqes në Paris

***

Shkëlqesi,

Grupi i studentëve shqiptarë në Universitetin Mbretëror të Italisë është i motivuar me rastin e ardhjes Suaj në Qytetin e Përjetshëm, për t’ju ofruar modestisht Shkëlqesisë Suaj, nderimet më të sinqerta.

Ky grup në të njëjtën kohë do të marrë shkas nga kjo vizitë, për t’i bërë thirrje ndërgjegjes Suaj për vendin e tyre të pafat me kërkesën që Ju, “Mbrojtësi më i Sinqertë i të Dobtëve”, të mund të mbroni çështjen e tyre të drejtë dhe të shenjtë.

Populli shqiptar, nga i cili ky grupim, pa qenë përfaqësues legal, është një interpret besnik i dëshirës së tij, mbështet te Ju, “Personifikim i Drejtësisë”, shpresat e tij më të flakta dhe besimin e tij më të palëkundur. “Dëshira” e popullit shqiptar nuk është më shumë se një zgjidhje e drejtë dhe e kënaqshme e çështjes së tij, në përputhje me parimet fisnike dhe të larta, të shpallura solemnisht nga Ju, “Apostull i Lirisë”.

Populli shqiptar sapo ka shpëtuar nga një pushtim i gjatë e barbar, i cili ia kushtëzoi atij të drejtën për të gëzuar një zhvillim të mjaftueshëm intelektual e social e tashmë është i rrethuar prej fqinjëve lakmitarë, të cilët përbëjnë pengesën e vetme për organizimin e tij shtetëror e në hapat e tij të parë të organizmit të jetës së vet politike ka tashmë nevojë për një drejtim të pastër, si dhe për një mbështetje morale e materiale nga ana e fuqive të painteresuara.

Shqiptarët, të cilët ushqejnë një simpati të veçantë dhe mirënjohje kundrejt Konfederatës së Madhe Amerikane për mikpritjen dashamirëse që gëzojnë bashkatdhetarët e tyre në vendin e Uashingtonit dhe Linkolnit, do të ndiheshin me fat në rast se Shtetet e Bashkuara, për arsyet e përmendura këtu, do të konsideronin të merrnin në duar mbrojtjen e Shqipërisë.

Me nderimin më të thellë, Presidenti Kostandin Kotte

Leave a Comment

Your email address will not be published.