“Shefi i Gestapos së Hitlerit u strehua në Tiranë”, ish-oficeri i Sigurimit pohon akuzat e CIA-s. Vendi ku mbahej dhe personat që kishin dijeni

Dokumentet e panjohura të CIA-së amerikane për Heinrich Mylerin, shefin e Gestapos naziste të Hitlerit, për të cilin thuhet se pas vitit 1945 u rrëmbye nga sovjetikët dhe u dërgua në Moskë, ku për vite me rradhë shërbeu për KGB-në ruse të Stalinit tregojne se ai ka qene i strehuar ne Tirane. Sipas shërbimeve të fshehta amerikane, në vitin 1956, Myleri erdhi në Shqipëri dhe për vite me rradhë u vu në shërbim të Sigurimit të Shtetit, nën emrin e rremë Abedin Beqiri, gjë e cila pohoet edhe nga disa ish-kuadro të lartë të Sigurimit të Shtetit….?!

Në vitin 1945, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas marrëveshjes që kishin bërë tre fuqitë e Mëdha: SHBA, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik, shërbimet sekrete të këtyre vendeve, në bashkëpunim edhe me ato të shteteve të tjera që dolën fituese nga ajo luftë, filluan ndjekjen, zbulimin dhe arrestimin e të gjithë atyre personave që akuzoheshin për krime lufte. Në këtë kuadër u ngrit dhe funksionoi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, e cila u bë e njohur me gjyqin e famshëm të Nurembergut, ku u gjykuan dhe u dënuan një pjesë e eksponentëve të lartë të kupolës naziste të Adolf Hitlerit, të cilët kishin bërë krime lufte. Por në bankën e të akuzuarve të atij gjyqi mungonin edhe shumë ish-oficerë të lartë të Shtabit të Hitlerit, të cilët në fundin e luftës kishin mundur të arratiseshin dhe më pas të fshiheshin, duke i shpëtuar gjykimit. Një nga ta ishte dhe Heinrich Myleri, kreu i Gestapos naziste, për të cilin thuhet se ka qenë në bunkerin e Kancelarisë së Reisch-ut, deri në momentin e fundit kur aty hynë ushtarët sovjetik. Aty humbi gjurmët e tij. Thuhet se në momentin kur ushtarët rusë po merrnin nën kontroll strofullën e fundit të Hitlerit, Myleri u rrëmbye nga KGB-ja ruse dhe më pas u dërgua në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, ku për vite me rradhë i shërbeu Moskës zyrtare dhe shërbimeve të fshehta ruse që udhëhiqeshin  nga Lavrentiy Beria. Që nga viti 1945 e në vazhdim, për fatin e Mylerit janë dhënë e shkruar me dhjetra version, nganjëherë dhe kontradiktore me njëra tjetrën. Nga disa dëshmi të CIA-s amerikane, bëhet e ditur se në vitin 1956, Myleri ka ardhur edhe në Shqipëri, ku për vite me rradhë i ka shërbyer Sigurimit të Shtetit të rregjimit komunist të Enver Hoxhës.

1-4.jpg

Kush ishte Heinrich Myler?

Heinrich Myler u lind më 28 prill të vitit 1900. Në Luftën e Parë Botërore ai shërbeu si shef në policinë e Mynihut, ku shumë shpejt u bë i njohur si antikomunist. Në vitin 1923, Heinrich dhe Geringu, themeluan Policinë Sekrete të shtetit gjerman, e cila shkurt njihet me emrin GESTAPO. Më pas, Myleri mori pjesë si efektiv në rradhët e RSHA (Zyra e Sigurimit të Rajhut), ku shërbeu si udhëheqës në organet drejtuese të saj, deri në shtatorin e vitit 1939, kur Gjermania pushtoi Poloninë. Me vrasjen e Heinrich në Çekoskllovaki më 1942-in, Myleri u emërua si shef i Gestapos dhe në atë kohë ai filloi përndjekjet ndaj elemetëve komunistë gjermanë, hebrenjëve dhe robërve rus, të cilët ekzekutoheshin në kampet e përqëndrimit. Në tetorin e vitit 1944, me propozimin e Hitlerit, Myleri u dekorua me Kryqin e Hekurt, si shpërblim për shtypjen e puçit anti-Hitler që kishte ndodhur në korrikun e vitit 1944. Një nga sukseset më të njohra të shërbimeve të fshehta të Gjermanisë naziste, në kohën që ajo udhëhiqej nga Myleri, ishte dhe asgjësimi i organizatës “Orkestra e kuqe” dhe marrja e informacioneve nga ana e spiunazhit sovjetik, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

4-4.jpg

Pas mbarimit të luftës, në vitin 1945, Myleri dhe miku i ngushtë i itj, Walter Schellenberg, u vunë në dispozicion të shërbimeve sekrete të Moskës dhe punuan për Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Nga viti 1946 e deri më 1963-in, Myleri punoi për shërbimet sekrete të Bashkimit Sovjetik, Çekoskllovakisë dhe Argjentinës. Në disa raste, Myleri i jepte informacione KGB-së ruse, për bazat e amerikanëve të instaluara në Gjermaninë Perëndimore. Më 1963-in Myleri u arratis në Kubë dhe më pas në Argjentinë, e cila në atë kohë kishte në krye Presidentin Juan Peron. Ka edhe një version tjetër lidhur me zhdukjen e Mylerit, i cili jepet nga lideri komunist çek, Rudolf Barak, që tregon se agjentët e KGB-së e rrëmbyen Mylerin nga Argjentina dhe me disa gjermanë të tjerë e dërguan në një burg të Bashkimit Sovjetik. Një version tjetër për Mylerin jepet edhe nga Alois Brunner   ( komandant i një kampi përqëndrimi për hebrenjtë, që ndodhej në Francë), i cili ka shkruar se Myleri u strehua në Siri dhe se ai (pra Myleri), nuk është fajtor për “zgjidhjen” finale të problemit të hebrenjëve. Dëshmi të tjera në lidhje me Mylerin jepen edhe nga Marvin Hier, themeluesi i Qendrës së Holokaustit” Simon wiesenthal” në Los Angelos, i cili ka dëshmuar: ”Myleri nuk është gjykuar kurrë për ato që ka bërë gjatë luftës dhe se për të nuk kemi marrë vesh asgjë”. Në vitin 1946, shërbimet e fshehta të ushtrisë amerikane kanë bërë të ditur se mbas luftës Myleri është vetëvrarë së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tyre. Sipas CIA-së, Myleri dhe Eichman (bashkëpunëtor i tij në krime lufte), kanë qëndruar në një tunel nëntokësor në Berlin, nga ku më vonë dolën në ilegalitet me emra të rremë. Eichman u arrestua më 1960 nga agjentët e shërbimeve të fshehta izraelite (Mossadi ) dhe u vra prej tyrenë Jerusalem, ndërsa Myleri iku në Rusi e më pas në Amerikën Latine.

Untitled-4.jpg

Kërkimi i parë për Mylerin e Gestapos

Mbas hyrjes së trupave anglo-amerikane në Berlin, shërbimet e fshehta britanike të kundërspiunazhit në bashkëpunim me ato kundërspiunazhit amerikan, filluan të hartonin një plan të detajuar deri në hollësira për arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve nazistë të luftës. Në planet e listat e tyre, më i rëndësishmi ishte Heinrich Myleri, së bashku me Schellenberg, Ohlendrof, Steimle dhe Sanderberger, të cilët pas luftës ishin zhdukur, ose bënin lojë të dyfishtë me agjenturat e huaja të vendeve komuniste të Lindjes, si p. sh., me KGB-në e Bashkimit Sovjetik, në rastin  e Mylerit. Më 22 gusht 1945, shërbimet e fshehta amerikane besonin se kishin arrestuar Heinrich Mylerin, por doli se e gjitha kjo ishte një dezinformim, pasi ata kishin arrestuar Walter Huppenkothen, persekutuesin e “Orkestrës së kuqe” dhe jo shefin e tij (Mylerin). Një zbulim i mëvonëshëm i bërë nga George Blake, Harri Hjungton dhe Heinz Felfe, tregon se sipas dëshmive të Mikail Golinevski (shefi shërbimeve të fshehta polake deri në vitin 1958), nga viti 1948 deri në 1958-ën, nga informacione të mbledhura për kriminelët e luftës, del se Myleri qëndronte në Moskë me ndihmën e KGB-së. I njëjti informacion jepet edhe nga Jakobs Loegles (ish-shefi i Gestapos së Gdanskut në Poloni), i cili më vonë shërbeu e punoi për BND-në (Shërbimi i Fshehtë Informativi Republikës Federale Gjermane).

Fundi i Luftës dhe Myleri

Në vitin e fundit të Luftës,Heinrich Myler ende besonte në fitoren e nazizmit. Në atë kohë ai bashkëpunoi me oficerët e kundërspiunazhit gjerman dhe në dhjetorin e 1944-së, në pyllin e Ardene ata korrën një sukses të përkohshëm kundër amerikanëve. Gjatë kësaj kohe, agjentët e tij bënin lojë të dyfishtë me sovjetikët. Një numër i konsiderueshëm i agjentëve të Mylerit, mbas lufte u kthyen te sovjetikët, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe Walter Schellenberg (ish-shefi i RASH) kur tha: ”Myleri u kishte thënë në radio rusëve, se Stalini ishte lider më superior se Hitleri”. Por sipas një zbulimi të agjentëve të CIA-s dhe dëshmisë së Heinz Pannwitz (sekretar në Gestapo), bëhet e ditur se Myleri absolutisht nuk e kishte thënë kurrë një gjë të tillë, dhe se ai kishte urdhëruar likujdimin e “Orkestrës së Kuqe” (organi i spiunazhit sovjetik).

Hipoteza për vdekjen e Mylerit

Pas lufte, autoritetet gjermane punësuan tre ish-majorë nazistë për të vërtetuar vdekjen e Mylerit. Nga dëshmitë e majorit të parë me emrin Fritz Leopold (ish-oficer në morgun e Berlinit), bëhet e ditur se trupi i pa jetë i Mylerit është nxjerrë nga morgu e prej disa oficerëve të SS (efektiva të shtabit të RSHA) në rrugën “Princ Albert” (2 km nga Kancelaria e Reisch-ut) dhe është varrosur në perëndim të qytetit. Por më vonë kjo deklaratë e tyre u përgënjeshtrua, sepse në atë kohë dhe në atë vend, rezultoi se ishte varrosur një njeri tjetër, tetë vjet më i ri se Myleri. Dëshmia e dytë vjen nga Heinz Pannwitz (punonjës në RSHA), i cili tregonte se Myleri u dorëzua te sovjetikët dhe më 1957-ën ai punoi për BVD). Por ai ka theksuar se gjatë fundit të Luftës Myleri ishte bllokuar në tunelin e Kancelarisë dhe se atij i ishte gjetur vetëm koka dhe dokumentet e identifikimit. Dëshmia e tretë vjen nga Valter Luders (rekrut i Volkshturm), i cili tregon se gjatë ditëve të fundit në kopështin e Reisch-ut Kancelarisë, midis dhjetra kufomave të zakonshme, dallohej edhe një kufomë në veshjen e së cilës dukeshin qartë medaljet dhe gradat e një oficeri madhor SS. Më pas, kjo kufomë, e cila mendohej se ishte e Mylerit, u zhvendos në ”Sheshin e vjetër të hebrenjëve”, në sektorin sovjetik, ku më pas u zhduk në rrethana të pa qarta. Në vitin 1955, Zyra e Informacionit për Ushtrinë Gjermane pohon se dhjetë vjet më parë, në Grasen-Hamburgerstrase, po aty ishte varrosur trupi i Mylerit. Por pohimet dhe informacionet nuk ishin të plota. Ato nuk u përmëndën kurrë në dosjen e aleatëve për Mylerin. Nga disa të dhëna të tjera të CIA-s, në lidhje me veprimtarinë e Mylerit, bëhet e ditur se mbas luftës ai është strehuar në Afrikën e Jugut, Rumani, Turqi, Bashkimin Sovjetik, Argjentinë dhe më vonë në Shqipëri. Në Shqipëri ai është marrë nën mbrojtjen e punonjësve komunistë të Sigurimit të Shtetit të Tiranës zyrtare, të cilët e kanë mbajtur atë të fshehur nën emrin e rremë: Abedin Beqir Nikoshir. Por KGB-ja, ku thuhet se ka punuar vetë Myleri, ka nxjerrë edhe ajo versionin e saj. Sipas Moskës, Myleri ka vdekur në Berlin në maj të vitit 1945.

Në 1965-ën, “Zëri I Popullit” përgënjeshtroi strehimin e Mylerit në Shqipëri

Versionet dhe dëshmitë e ndryshme për një strehim të mundëshëm në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës për ish kreun e Gestapos nazistetë Adolf Hitlerit, Heinrich Myler, nuk janë krejtë të pa njohura. Disa ish-funksionarëtë lartë të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, të cilët para viteve ’90-të kanë shërbyer në disa përfaqësi dhe ambasada të vendit tone (të akredituara kryesisht në Perëndim), duke u kamufluar nën petkun e diplomatit, kanë dëshmuar në mënyrë kofidenciale për Memorie.al  se ”çështja Myler” nuk është e panjohur dhe e re për ta. Sipas tyre, aty nga viti 1956 kur Hrushovi po ndërmerrte destalinizimin e Bashkimit Sovjetik, qarqe fanatike të KGB-së e larguan Mylerin nga Moska dhe e sollën në Shqipëri, duke e parë vendin tonë si më të sigurt dhe më të mbyllur ndaj botës. Sipas tyre, thuhet se Myleri u mbajt për vite me rradhë nën masa të rrepta sigurie në një prej dhomave të godinës së Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar (brënda Pallatit të Brigadave), të cilës dhe i shërbeu për vite me radhë. Për identitetin e vërtetë të Mylerit dhe vendodhjen e tij në Tiranë, kishin dijeni vetëm Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu. Ky sekret u ruajt deri në fillimin e viteve ’60-të, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Që nga ajo kohë, herë pas here disa vende perëndimore i kërkonin Tiranës zyrtare që të dorëzonte ish-kreun e Gestapos naziste të Adolf Hitlerit. Sipas dëshmisë së njërit prej ish-diplomatëve tanë në Perëndim, aty nga viti 1965, gati çdo ditë pranë ambasadës shqiptare në Vjenë (ku asokohe shërbente si ambasador Mehmet Çaka), dorëzoheshin letra e nota proteste ku i kërkohej qeverisë së Tiranës që të dorëzonte Mylerin. Nisur nga kjo gjë, me anë të Agjensisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Tirana zyrtare i përgënjeshtroi lajmet e dhëna se Myleri strehohej në Shqipëri. Përgënjeshtrimi i shkurtër i ATSH-së, në atë kohë u botua në pak rreshta edhe nga gazeta “Zëri I Popullit”, organ i KQ të PPSH-së. Por gjurmët e Mylerit nuk humbin përfundimisht në Shqipëri, pasi thuhet, se pak para prishjes me kinezët, ai u morr prej tyre dhe përfundoi në Republikën Popullore të Kinës nga ku nuk dihet më shumë se si shkoi fati i tij…?!

Leave a Comment

Your email address will not be published.