Edhe pse u shua me gjak Kryengritja e vitit 1919, në Kosovë, veçanerisht në Drenicë, nuk u ndalë pushka e lirisë. Qeveria serbe e N. Pashiqit për ta qetësuar gjendjen dërgoi në Kosovë inspektorin e lartë e kriminelin e regjur, Mihajlo Ceroviqin. Ai vendoset në Mitrovicë dhe fill interesohet për Azem Galicën. Pas negociatave të shumta, takimi i tyre u bë në fshatin Zhabar, pranë Mitrovicës. Ç‘është e vërteta, Azemi shpesh ishte ftuar për këso bisedimesh, por nuk pranonte. Kësaj herë, në konsultim me shokë dhe me udhëzimet e Komitetit “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”, mbrapa së ciles qendronte Hasan Prishtina, vendosi të shkojë që edhe një herë haptas t’ua bëjë me dije kërkesat dhe qëndrimet e shqiptarëve. Pas bisedimeve të gjata, Azem Galica, në emër të çetave çlirimtare shqiptare i paraqiti kërkesat në tetë (8) pika, të cilat më vonë do të njiheni si “Tetë pikat e Azem Galicës” të cilat ngjasojn me memorandumin e 14 pikave të Hasan Prishtines: 1. Të njihet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë. 2. Të ndalohen menjëherë vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet kundër shqiptarëve. 3. Të ndalohet grabitja e tokave të shqiptarëve, ardhja e kolonistëve serbë e malazezë dhe dëbimi i shqiptarëve jashtë vendit. 4. Të ndalohen operacionet ndëshkuese të ushtrisë kundër shqiptarëve nën pretekstin e marrjes së armëve dhe ndjekjes së çetave. 5. Të lejohet hapja e shkollave shqipe. 6. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë. 7. Të ndalohet burgimi dhe internimi i familjeve të luftëtarëve të çetave dhe të atyre që i përkrahin çetat. 8. Të ndalohet ndjekja e çetave shqiptare dhe të gjithë ata që ndiqen të mbrohen nga Çeta.