Shkruan: Nijazi Idrizi
28 Nëntori Ditëlindja e Shqipërisë dhe Dita e Flamurit Shqiptar po vije. Në këtë ditë pos urimeve, rendi e do që vendimmarrësit që qeverisin në hapësirën shqiptare, të bëjnë bilance e sukseseve. Përkundër disa të arriturave, gjendja e shqiptarëve në Ballkan nuk është e mirë. Ata edhe pas tri luftërave, po vazhdojnë të jetojnë të ndarë në 5 shtete dhe nuk janë të konsoliduar në asnjërin nga ta.
Në Shqipëri, frika nga reforma në drejtësi dhe krimi i organizuar në nivel shtetërorë, e kanë zhytur vendin në krizë të funksionimit si shtet demokratik.
Kosova, ka mbetur në mes të rrugës së njohjes, me një pjesë të territorit të pushtuar nga Serbia.
Shqiptarët në Maqedoni dhe Mal tëZi, nuk kanë bërë ende oferta të studiuara me të cilat do ta garantonin perspektivën e tyre në këto shtete.
Ndërsa Lugina e Preshevës, krejtësisht e vetmuar, po lufton për mbijetesë kombëtare dhe njerëzore nën Serbi!
Për më keq, shqiptarët në të gjithë hapësirën e tyre kombëtare, janë izoluar nga BE dhe nga shumë institucione rajonale, evropiane e globale. Ata për shkak të keqqeverisjeve në pushtetet qendrore e lokale, janë zhytur në varfëri dhe ua kanë humbur perspektivën e jetsës së mirë në trojet e veta. Rreth njëqindmijë nga ta,(shumica të rinj),çdo vit i braktisin vatrat e tyre.
Biznese të diasporës së fuqishme dhe atdhetare, u reketuan nga dhe nuk u lejuan të investojnë në vendet e tyre.
Për keq e më keq, qeveritë shqiptare të të gjitha niveleve, sot në kohën e integrimeve botërore, po vazhdojnë të funksionojnë si pashallëqe të pavarura nga njëra-tjetra, pa asnjë planifikim të nevojave të përbashkëta.
Kosovës kanë filluar ti tërhiqen njohjet, sidomos pas themelimit të Gjykatës kosovare të Hagës. Themelimi i saj 2/3 e deputetëve kosovar i hapi dyshimet mbi mundësinë e ndodhjes së krimeve makabre për motive të pasurimit nga shitja e organeve, madje nga vet Presidenti i saj. Në anën tjetër,Serbia,duke i mbajtur të informuara shtetet e botës me rrjedhën e bisedimeve Thaçi-Vuçiq në Bruksel,në emër të lehtësimit të tyre, po kërkon ndërprerjen dhe tërheqjen e njohjeve, me arsyetimin se dy presidentët kanë firmosur marrëveshjen e fshehtë për ndarjen e territorit përgjatë lumit Ibër dhe mundësisë së zhbërjes së shtetit të Kosovës.
***
Në Ballkan, historikisht ndahet lindja nga perëndimi. Aty,përkundër luftërave të përgjakshme, kompromiset kurrë nuk u bënë në favor të interesave të kombeve, por për ato të fuqive të mëdha.Në këtë plojë, më së keqi kanë kaluar shqiptarët të cilët ishin pa aleat.
Ngritja dhe rënia e Serbisë së madhe, Bullgarisë së madhe, Shqipërisë së madhe,janë bërë për rritjen dhe kufizimin e ekspansionit rus, të sponsorizuara nga vet Rusia dhe Italia.Edhe nismat me emra të mëdhenj si: “Ballkani ballkanasëve”, “Ballkania”, “Jugosllavia plus”, etj. janë bërë me hile dhe pos thellimit të dramës shqiptare, nuk kanë sjell asgjë të mirë. Serbia si pararojë besnike ruse,ishte shpërblyer më së shumti. Ajo, vetëm pas zhbërjes së Jugosllavisë dhe humbjes së të gjitha luftërave, mbeti pa pozicion dhe nën tutelën ruse.
Perëndimi në Dejton i ndaloi luftërat për ndarjet etnike në Jugosllavi, për shkak të frikës nga efekti zinxhir i tyre në shtetet shumetnike. Shqiptarët, boshnjakët, maqedonasit, bënë kompromise, jashtë modelit të shteteve kombëtare, pas premtimit se porta për në NATO dhe BE do të ju hapen. Por kriza financiare botërore dhe ndërhyrja ruse në Ballkan, e shtyu tutje edhe këtë integrim.
Sot,Ballkani po përballet me kërcënimin rus e serb. Tentim vrasja e presidentit malazias Gjukanoviq dhe kurthi i Kumanovës, janë shembuj të njohur në opinion. Armët ruse të ekspozuara paturpësisht në Serbi, po e kërcënojnë paqen e brishtë në Ballkan. Tashmë është e qartë se pas këtij spektakli fshihet presioni ruspër ti hapur rrugë të transportit të naftës dhe dominimit të përjetshëm.
***
Ekspansioni rus nuk mund të ndalet pa arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Ballkan!SHBA dhe BE po kërkojnë një çelës universal me të cilin duan ta zgjidhin atë. Por çelës të tillë nuk ka. Përpjekja Bismarkianeq ballkanasit të akuzohen sërish si“hajdut delesh” dhe të shpallen bashkëfajtor (në Hagë) dhe bashkëvuajtës(mbyllja në geto), nuk është reale dhe nuk mund të jap rezultat. Për ta zgjidhur këtë problem, duhet të vlerësohet veç e veç e kaluara e secilit komb, bashkë me rolet që i kanë luajtur për paqen aty.
Për ti ikur këtij vlerësim nga i cili mund të dal zgjidhja, Vuçiqi po përhapë mjegull, në të cilën Rama e Thaçi janë verbuar tërësisht. Në këtë mjegull, Edi Rama (me plis Kosove)në mënyrë perfekte po e luan pjesën teatrale serbe të ”Minishengenit”, me të cilën bashkë me Vuçiqin dhe Zaevin po përcjellin mesazhe të afrimit me Rusinë dhe Kinën,si reagim për refuzimin e integrimit të vendeve të tyre në BE.
Udhëheqësit e zgjedhur shqiptarë, nuk duhet të vazhdojnë ta luajnë ndaras lojën e askujt, për shkak se janë duke e dekurajuar edhe idenë e shenjt të bashkimit kombëtar, ku varet shpresa e mbijetesës së tyre. Edhe pse të vonuar, ata duhet të takohen e ta hartojnë një platformë të re për zgjidhjen e qëndrueshme të çështjes shqiptar në Ballkan.Platforma politike e partive politike të shqiptarëve në Jugosllavi e vitit 1991, tashmë është konsumuar. Ajo i ka arritur pjesën më të rëndësishme të objektivave të parashtruara.
Debati në këtë fazë duhet ti ketë parasysh disa çështje jetike:
– Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë;
– Qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së ndaj tij;
– Imazhin dhe ndikimin e këtij shteti te secili fqinj i tij;
– Formimin reciprok të Asociacioneve për komunat serbe në veriun e Kosovës dhe në Luginën e Preshevës;
– Platformat për bashkëqeverisje të maqedonaseve dhe shqiptarëve në Maqedoni dhe malazezve dhe shqiptarëve në Mal të zi;
– Mundësit e përbashkëta të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik të hapësirës shqiptare me qeverisje të mirë kudo etj.
Për çtensionimin e gjendjes në Ballkan, BE-ja dhe NATO mund të japin kontributin e vet, i cili është joshës për të gjithë popujt aty. BE, duhet ti liberalizoj vizat për Kosovën menjëherë dhe ti hap negociatat me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Serbinë për pranim të përbashkët në BE.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ti qetësonte shqiptarët kudo dhe do ti bënte faktor stabiliteti në Ballkan, ndërsa do të ishte edhe mesazh i mirë edhe për Serbinë e cila më në fund do ta kuptoj se për të gjithë ballkanasit “dielli lind në Perëndim”.
Gëzuar Festat e Nëntorit, shqiptarë!