“Studimi i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve nuk mund të përqendrohet vetëm në një qytet. Sapo kam qëndruar tetë ditë në Maqedoni të Veriut, dhe kam takuar 5-6 njerëz që po më tregonin për shqiptarët e asimiluar të vendeve të ndryshme, të cilët, ndoshta ende pak me drojë, duan të zbulojnë më mirë rrënjët, duan të tregojnë dokumentet që kanë ruajtur, duan të kenë liri për të treguar rrënjët e tyre shqiptare. Krijimi i një qendre rajonale në Manastir hap shtigje për hulumtime të reja të mirëfillta, gjë që mendoj se është e domosdoshme. Përvoja dhe mbështetja e ITSHKSH është e paçmueshme për qendra të tilla rajonale”, thotë Dr. HOSAFLOOK
Intervistoi: EMIN AZEMI
KOHA: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka marrë vendim për zgjerimin e kapaciteteve të veta strukturore edhe nëpër qytetet tjera, me qëllim të vjeljes, studimit dhe prezantimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Në kuadër të kësaj iniciative është edhe hapja e Qendrës Rajonale të Trashigimisë Kulturore në Manastir “Qiriazët”, e cila do të përfshijë rajonin e Pellagonisë. Siç marrim vesh ju do të jeni në krye të kësaj qendreje. Na thuani ju lutem se si e vlerësoni këtë vendim të ITSHKSH dhe si mendoni ta menaxhoni më tutje këtë Qendër?
HOSAFLOOK: Përgëzoj shumë vendimin për zgjerimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Së pari, sepse ky institut është një ndër udhëheqësit kryesor të shkencës në Maqedoninë e Veriut dhe, për mua, është institucioni më i besueshëm për çështjet e historisë dhe kulturës shqiptare.
Së dyti, sepse ky institucion ka treguar një vizion bashkëkohor dhe një veprimtari të duhur dhe të gjerë. Ai ka treguar një kujdes të ruhet nga politizimi dhe një vullnet për të trajtuar një larmi temash me vlerë historiko-kulturore, duke pasur guxim të trajtojë tema të panjohura të cilat nganjëherë thyejnë mitet e krijuara për popullin shqiptar, si dhe barriera mes njerëzve. Ky institut, me fjalë dhe me vepra, shpreh vazhdimisht vullnetin e tij për një Maqedoni të Veriut të sukseshme dhe përparimtare.
Së treti, sepse studimi i trashëgimise shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve nuk mund të përqendrohet vetëm në një qytet. Sapo kam qëndruar tetë ditë në Maqedoni të Veriut, dhe kam takuar 5-6 njerëz që po më tregonin për shqiptarët e asimiluar të vendeve të ndryshme, të cilët, ndoshta ende pak me drojë, duan të zbulojnë më mirë rrënjët, duan të tregojnë dokumentet që kanë ruajtur, duan të kenë liri për të treguar rrënjët e tyre shqiptare dhe njëkohësisht dashurinë e tyre për Maqedoninë dhe gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, meqë më pyet për Manastirin, mund të them se dihet gjerësisht tani që Bitola ka qënë banesa e shqiptarëve të ndritur si familja Qiriazi, Fanka Efthimi etj., pa përmendur këtu rolin e Kongresin e Manastirit. Krijimi i një qendre rajonale në Manastir hap shtigje për hulumtime të reja të mirëfillta, gjë që mendoj se është e domosdoshme. Përvoja dhe mbështetja e ITSHKSH është e paçmueshme për qendra të tilla rajonale.
Vlerësoj mundësinë për të bashkëpunuar për ngritjen e qendrës rajonale “Qiriazët”, sepse instituti që drejtoj unë, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, ka përvojë në studimin e historisë së familjes Qiriazi. Ne kemi ndërtuar lidhje në Manastir, kemi zbuluar dorëshkrime të Qiriazëve nga arkiva ndërkombëtare etj. Qëllimi ynë nuk ka qënë kurrë mbajtja e këtyre burimeve për vete, por ndarja e tyre për të mirën e të gjithëve, sidomos me ata që janë afër vendit të tyre të lindjes. Shtëpia e familjes Qiriazi ishte shtëpia e Komitetit të Kongresit të Manastirit, një maternitet ku ka lindur dakord-rënia e shqiptarëve përfundimisht me një identitet shkrimor, si çështja praktike por edhe si simbol i bashkimit shpirtëror dhe kombëtar. Pse të mos kemi një shtëpi për Qiriazët (dhe për bijtë shpirtëror të Qiriazëve) edhe sot?
KOHA: Ju një kohë të gjatë po merreni me trashigiminë kulturore e arsimore të familjes fisnike Qiriazi dhe keni botuar disa studime, duke ndriçuar për publikun e gjerë detaje nga jeta dhe vepra e Qiriazëve. Në të ardhmen çka mund të presim nga ju, a do të kemi ende hulumtime mbi këtë familjen dhe periudhën kohore në të cilën vepruan ata?
HOSAFLOOK: Aktualisht kemi disa projekte në dorë. Kam përmendur më parë dorëshkrimet që ekzistojnë, me qindra, por kemi edhe shkrimet e botuara të Qiriazëve si p.sh. “Krestomacia” në dy vëllime, botuar më 1902 dhe 1907. Kemi revistën amerikano-shqiptare “Yll’i Mëngjezit”, gramatika dhe abetare, tekste të tjera shkollore si edhe një fushë krejt e pa hulumtuar, që është roli i Kristo Qiriazit, një vëlla tjetër që shpeshherë harrohet, kur përmenden Gjerasimi, Sevastia, Gjergji dhe Parashqevia. Duhet të shtoj se një qendër e tillë është me interes jo vetëm për shqiptarët, sepse familja Qiriazi vepronte në kushtet e Maqedonisë së asaj kohe, pra si pjesë e Perandorisë Osmane. Ata njihnin dhe flisnin gjuhët e vendit. Gjerasimi, për shembull, u diplomua nga një shkollë në Bullgari, ishte anëtar i Vëllazërisë Ungjillore Bullgare, predikoi në maqedonisht në Shkup dhe në Manastir, dhe u martua me një greke. Ishte një burrë i Ballkanit. Gjergji dha mësime në greqisht në shkollën amerikane të vajzave të Manastirit. Qiriazët nuk ishin vlleh, siç disa pohojnë (e argumentoj këtë pikë në librin tim), por disa anëtarë të familjes kishin lidhje me vllehtë. Qiriazët duhen studiuar në kontekstin e tyre, dhe ofrojnë një shembull të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës në Maqedoni, si njerëzit e besimit, si atdhetarë shqiptarë dhe si qytetarë pozitiv në shtetin politik të tyre.
KOHA: Në Manastir dhe Shkup këtyre ditëve u mbajt manifestimi Ditët e Alfabetit. Kjo ngjarje e madhe u shënua me aktivitete të shumta, kurse pati edhe një promovim të veprës suaj të posa botuar ‘Lëvizja protestante tek shqiptarët 1818-1908”’. Në këndvështrimin tuaj, si duket ky manfestim që po e organizon ITSHKSH dhe sa jeni të kënaqur me hapësirën që iu është dhënë juve të kontribuoni në ndriçimin e Kongresit të Alfabetit?
HOSAFLOOK: Ndihem i gëzuar, sepse “Ditët e Alfabetit” 2019 filluan me promovimin e librit tim. Gëzimi nuk buron nga fakti që unë jam nderuar personalisht në manifestimin e hapjes, por sepse përmbajtja e librit u vlerësua si një burim i rëndësishëm për të kuptuar më mirë rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të kulturës librore dhe të alfabetit të shqipes. Lëvizja Protestante Ungjillore te shqiptarët njihet shumë pak për një serë arsyesh, por tani zbardhja e burimeve të panjohura lejon që të kuptojmë më mirë rrjedhën e historisë dhe të frymëzohemi nga shembulli i heronjve që kanë sakrifikuar shumë për kombin e tyre.
KOHA: Duke filluar nga ky vit, do të ndahet edhe Çmimi shtetëror ‘’22Nëntori’’, që është një simbolikë e rëndësishme e ndërlidhur me Kongresin e Alfabetit. Laureat i këtij çmimi jeni edhe ju. Çka do të thotë për juve ky çmim?
HOSAFLOOK: Së pari duhet të them se çmimin e parë “22 Nëntori” e ndaj me Adnan dhe Kimete Again. Që të përmendem unë bashkë me ta, është një privilegj që do të shijoj sa të rroj, sepse janë modele të sakrificës. Unë e pranova çmimin në emër të Qiriazëve, se puna ime kryesore në Maqedoninë e Veriut ka qenë promovimi i vlerave të tyre, gjithnjë në bashkëpunim me ITSHKSH. Por dua të faleminderoj shumë Komitetin e Ndarjes së Çmimit, Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe Kryetarin e tij z. T. Xhaferi, si dhe të gjithë përfaqësues të qeverisë dhe të jetës politike, kulturore dhe ekonomike që më përgëzuan. Ceremonia ishte mjaft emocionuese, me prezantimin e Himnit të Alfabetit, dhe me fjalët prekëse të znj. Gëzime Starova, drejtoreshës së Komitetit. Në veçanti u preka edhe nga prania e miqve të mi amerikanë, Kryetares së Qytetit të Staunton, Virginia (vendlindjes së Presidentit Uillson) dhe Drejtoreshes së Bibliotekës Presidenciale të Uillsonit, si edhe prania e miqve të tjerë, si z. Mehmet Prishtina, z. Adrian Ismaili, z. Jovan Jonovski, z. Dardan Sina, familja Handel dhe mbi të gjitha z. Skender Asani, drejtorit të ITSHKSH, i cili për mendimin tim meriton këtë çmim, gjithashtu, për punën e tij të palodhshme në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.