ITSHKSH viziton Jerusalemin, thellohet bashkëpunimi shkencor

Karakterin zyrtar të kësaj vizite ia jep pritja që iu bë delegacionit nga ana e Ministrisë së Jashtme Izraelite, konkretisht nga Departamenti për Ballkanin, kurse shumë familje hebreje që kishin shpëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore falë humanizmit dhe solidaritetit të shqiptarëve të Shkupit, organizuan mikëpritje të ngrohtë dhe bujare për delegacionin e ITSHKSH, i udhëhequr nga dr. Skender Asani 

Shkup, 8 dhtetor – Një delegacion shkencor i ITSHKSH në Shkup, i kryesuar nga drejtori – dr. Skender Asani, po qëndron këtyre ditëve në Jerusalem, për të thelluar bashkëpunimin në disa sfera që do të jenë me shumë interes për të ardhmen e këtij Instituti dhe për avancimin e përgjithshëm të njohurive mbi miqësinë tradicionale shqiptaro-hebraike, raporton KOHA.

Karakterin zyrtar të kësaj vizite ia jep pritja që iu bë delegacionit nga ana e Ministrisë së Jashtme Izraelite, konkretisht nga Departamenti për Ballkanin, i udhëhequr nga z. Dan Oryan, i cili është njëherësh edhe ambasador në Shkup, në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik për gjithë Ballkanin. Ai në emër të Qeverisë Izraelite faleminderoi dr. Asanin për punën që ka bërë në artikulimin publik të disa temave e problematikave që kishin të bënin me mos-harrimin e Holokaustit, përmes ekspozitave, projekteve e konferencave të ndryshme shkencore.

ITSHKSH tash më ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Muzeun ‘Yad Vashem’ të Hokalustit në Jerusalem, kurse edhe vizita që iu bë tani nga ana e ekipit të udhëhqeur nga Dr. Asani, është në frymën e thellimit të këtij bashkëpunimi.

Një fushë mjaft me interes nga ana e ITSHKSH do të jetë edhe veprimtaria filmike, gjegjësisht puna në realizimin e disa filmave dokumentarë me tematikë nga Holokausti dhe solidariteti i popujve të ndryshëm me vuajtjet e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku shqiptarët gjithsesi zënë një vend qendror.

Për të realizuar këtë veprimtari më me sukses, dr. Skender Asani u takua edhe me Hedva Goldmschmidt, drejtore ekzekutive e Agjensisë Izraelite të Filmit, e cila premtoi se në të ardhmen kjo agjensi me të gjitha resurset njerëzore e teknike do të jetë në dispozicion të ideve dhe projekteve të ITSHKSH, ku do të dominojë sensi artistik-dokumentar i paraqitjes së ngjarjeve e rrëfimeve nga historia e përbashkët e të dy popujve.

Në këtë kontekst ishte edhe takimi me shkrimtaren Hava Pinhas-Cohen , drejtoreshë artistike e “Kisufim” – Festivali Ndërkombëtar i Shkrimtarëve dhe Poeteve Hebraikë, themeluar nga vet ajo në vitin 2007, e cila sivjet është nderuar në Pejë me çmimin ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, kurse ka marrë pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë.

Në Jerusalem dhe në mbarë Izraelin ka shumë familje që i kanë mbijetuar Holokaustit, kurse në mesin e tyre janë edhe plot sish që kishin jetuar në Shkup dhe në qytetet tjera të Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Delegacioni i ITSHKSH u prit me një ngrohtësi të jashtëzakonshme nga këto familjet, të cilat me këtë rast shprehën edhe faleminderimin dhe mirënjohjen e tyre të thellë për aktin sublim të sakrificës dhe humanizmit që treguan disa familje shqiptare të Shkupit në shpëtimin e jetës së tyre nga dora e vdekjes naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Këto takime të ngrohta u përcollën edhe me filmime dhe fotografi të përbashkëta, që u bënë me këtë rast, në shenjë të kujtimit për ditët e vuajtjeve në një kohë tepër të vështirë për hebrenjtë gjatë LDB, ku njerëzorja megjithatë ishte treguar më e fuqishëm se sa filozofia shfarosëse naziste.

Sigurisht që edhe këto takime dhe biseda të frytshme me ekspertë të fushave përkatëse, sipas dr. Skender Asanit, do të jenë pjesë e punëve hulumtuese të ITSHKSH, në kuadër të fushëveprimit të Departamentit për studimin e Holokausit, përmes projekteve të radhës. 

Leave a Comment

Your email address will not be published.