Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka theksuar në RTV Ora se nuk kemi pse ta vëmë në pozitë të vështirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin, që t’i kërkojmë të dënojë masakrat dhe gjenocidin e Reçakut, por të mos provojë dhe të thotë Reçaku ishte shpikje e Ambasadorit amerikan.
“Më shqetëson se shoh mijëra qytetarë serbë që dalin para Ambasadës së Malit të Zi në Beograd duke kërcyer e duke thënë ‘kush nuk kërcen është shqiptar’. Pas ca ditësh dëgjojmë se ajo që ndodhi me ligjin me fetë në Mal të Zi, mund të ndodhë dhe në Kosovë. Jam për marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet, përfshirë Serbinë mbi bazën e partneritetit dhe respektit. Nuk kemi pse ta vëmë në pozitë të vështirë Vuçiqin, që t’i kërkojmë të dënojë masakrat dhe gjenocidin e Reçakut, por të mos provojë dhe të thotë Reçaku ishte shpikje e Ambasadorit amerikan. Vjet në kohën që flitej për zgjidhje përfundimtare, qoftë edhe me korrigjim të kufirit, presidenti i Serbisë deklaroi në Mitrovicë se Millosheviqi ishte udhëheqës i madh, kishte qëllime të mira pavarësisht se nuk i realizoi dot”, ka theksuar Meta.
Kritikëve të cilët kërkojnë edhe një “flijim politik” të tij për t’u vënë përballë pushtetit të kryeministrit Edi Rama, Meta u përgjigjet se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Meta jep dorëheqje sot. Dorëheqja e zotit Meta do të ishte një tradhti e hapur, flagrante dhe e pafalshme ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Mezi do të pritej nga të gjithë armiqtë e Shqipërisë që i mban në presion të madh kjo sjellje e zotit Meta pavarësisht se kjo sjellje nuk ka imponuar dot të njëjtën kulturë të bashkëpunimit apo respektimit të institucioneve te aktorët e tjerë. Ky qëndrim i Metës është pasqyra ku del qartë e gjithë kapja e shtetit dhe gjithë ky skenar që synon jo vetëm kapjen e shtetit, zhbërjen e shtetit por dhe zhbërjen e Shqipërisë dhe defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky konflikt artificial i sponsorizuar nga jashtë synon defaktorizimin e Shqipërisë dhe përmes saj dhe defaktorizimin e Kosovës. Zoti Meta është në mision jo thjesht në detyrë. Zoti Meta nuk është dezertor, nëse do ti bëhej mirë Shqipërisë do të kishte ikur me kohë. Por që të ikë zoti Meta që të kapin dhe t ë vetmin institucion… Armiqtë e Shqipërisë do të ishin shumë të lumtur sepse nuk do të kishte një institucion të besueshëm të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitim që do tu thoshte të vërtetën miqve tanë në gjithë botën. Shqipëria ka dhe miq por ka dhe armiq që punojnë kundër interesave tona”, tha Meta.
Presidenti i Shqipërisë thotë se vendi ka miq dhe armiq në Evropë dhe Amerikë, ndërsa me tone të ashpra u shpreh dhe ndaj diplomatëve të huaj në Shqipëri.
“Shqipëria ka miq dhe armiq në Evropë, në Amerikë. Është luftë interesash, unë mbroj interesat e vendit tim dhe kombit tim. Dorëheqja nuk ndihmon për zgjidhje por për një kapje totale të shtetit. Kushetutën e Shqipërisë do ta mbroj nga qeveria, parlamenti, nga opozita, nga kushdo, nga ata të huaj që duan ta dhunojnë dhe përdhunojnë. Të shkojnë të dhunojnë Kushtetutat e vendeve të tyre ata, jo Kushtetutën e Shqipërisë siç janë mësuar këtu. Marrin dhjetëra milionë euro dhe dollarë dhe nuk japin asnjë herë llogari. Do ta mbroj deri në fund, por jam i bindur se do ta mbrojnë edhe qytetarët e ndershëm se u ka ardhur aty ku nuk mbajnë më”, tha ai.