Kur Dora d’Istria pikëtakonte Bubulinën

Dora d’Istria, emri i vërtetë i së cilës ishte Helena Gjika, nuk e ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, edhe pse ajo jetoi jashtëzakonisht e lidhur edhe me botën shqiptare, jo vetëm me studimet e saj të drejtpërdrejta mbi kulturën dhe historinë e shqiptarëve, por dhe me pikëtakimet e saj me shqiptarët e diasporës, veçanërisht në Greqi e Itali.

Letërkëmbimet e saj me De Radën, Kamardën, Zef Seremben e shumë personalitete të tjera, e veçanërisht libri i saj mbi udhëtimin e famshëm në Greqi, Udhëtim në Rumeli e Greqi, dëshmojnë për atë dëshirë të madhe të princeshës rumune me origjinë shqiptare për të pikëtakuar shqiptarët dhe për të njohur nga pranë jetën, gjuhën dhe traditat e tyre si dhe për të përcjellë në botën evropiane historinë e lashtë të këtij populli autokton. Madje si shumë intelektualë të tjerë, edhe ajo ishte frymëzuar nga udhëtimet e lordit anglez Byron dhe përshkrimit të mrekullueshëm që i bënte krenarisë dhe virtuteve shqiptare në kryeveprën e tij Shtegtimet e Child Harlod. Vargjet e kësaj poeme të gjatë ishin vërtet të magjishme, siç e shkruan dhe vetë ajo në shkrimet e saj të mëvonëshme.

Në kohën që Dora d’Istria ndërmorri këtë udhëtim, në korrik të vitit 1862, ajo ishte në Francë një nga intelektualet më në zë, që shpesh e gjeje në esetë e saj të botuara në revistën më të njohur franceze Revue des Deux Mondes, (Revista e Dy Botëve).  Nga gratë e pakta që botonin në këtë revistë ishin vetëm tre: George Sand, Madame de Stael dhe Dora d’Istria, e cila kishte botuar një sërë esesh rreth folklorit shqiptar, serb, grek, apo botime historike mbi Francën, etj. Tashmë objekt i studimit të saj do të ishte Greqia, ku kishte mjaft të njohur e ku gjatë këtij udhëtimi, në Athinë, atë e shpallën «Qytetare Nderi» të qytetit. Pra, ajo ishte një intelektuale pa paragjykime që e vlerësonte artin dhe historinë greke. Por njëkohësisht, ajo ishte dhe një udhëtare e Evropës, në kohën kur gratë ishin të pakta për të guxuar aventurën e udhëtimeve të rrezikshme dhe të largëta. Richard Cortambert, gjeograf francez dhe shkrimtar, na sjell një dëshmi të saj në librin e tij Udhëtaret e famëshme, ku në kapitullin për Dora d’Istrian, ai shton fjalët e saj: ”Kam menduar gjithnjë se gratë mund të udhëtonin dhe të përmbushnin detyrën ashtu si dhe shkencëtarët-udhëtarë. Në fakt, në letërsi, gruaja ka aftësi të veçanta. Më mirë sesa burrat, ajo di të vëzhgojë zakonet dhe jetën intime të kombeve. Një fushë e madhe mbetet e hapur për udhëtimet e saj. Por që të eksplorojë, zakonisht asaj i mungon njohja e gjuhëve dhe e historisë, si dhe mundësia për t’iu përshtatur optikave të ndryshme të kombeve dhe të përballojë lodhjet e mëdha. Në shtëpinë tonë flitej veçse frëngjisht. Zoti Papadhopulos, që në kohën time të hershme, më ka mësuar greqishten, e cila në Orient ka një rëndësi të madhe, siç ka frëngjishtja në Perëndim… Pasionin tim për historinë, zoti Papadhopulos e ka konstatuar që në fëmijërinë time. Dhe ky pasion u rrit gjithnjë e më shumë. Sa më shumë udhëtoja, aq më shumë pikasja se ishte e pamundur ta njohësh një popull nëse nuk njeh historinë e tij dhe shkrimtarët e tij… Në Greqi kam përshkuar me kalë vëndet e vetmuara të Peloponezit. Në Zvicër kam jetuar nëpër male, që të mund të kisha përfytyrime të qarta të jetës malsore. Në Itali u lidha me njerëz të të gjitha besimeve dhe në të gjitha kushtet, e sa herë më paraqitej rasti, unë pyesja me të njëjtën kureshtje si peshkatarin ashtu dhe politikanin. Kur dukej sikur shëtisja për pushime, unë në fakt vëzhgoja përreth, çka është e nevojshme për ta parë realisht jetën e një vendi»…

Hipur mbi kalë, në atë karvan të drejtuar nga G. Papadhopulos, profesori i Shkollës së Arteve të Bukura dhe anëtari i Shoqatës Arkeologjike të Athinës, Dora d’Istria, përshkoi Tebën, duke marrë rrugën drejt Eleusis, një vend i shenjtë i kultit të Demetrës. Në këtë udhëtim, sa të vështirë, aq dhe romantik për të, rrugës ajo kaloi në fshatin e Mandra-s, të banuar nga shqiptarët. “Në Mandra, si dhe në pjesën tjetër të mbretërisë, – shkruante ajo – hapja e shkollave greke tenton t’i helenizojë shqiptarët, këtë racë energjike, hijerëndë dhe puntore, tepër të lidhur me luftën dhe bujqësinë. Ndërsa fshatrat grekë, si në shumë zona të tjera, janë veçse një grumbull kasollesh prej balte…” Nga Mandra, udha i çoi drejt fshatit Vilari dhe në Paleo-Kundura. “Kohë më kohë, shqiptaret, të cilat nuk e kishin humbur bukurinë e racës së tyre, kalonin tani me gomerët e ngarkuar me degë pemësh… Rrethinat e Tebës, në përgjithësi janë të populluara nga shqiptarët, të cilët janë vendosur në fushë… por shqiptarët e ruajnë ende gjuhën e tyre”. Karvani i tyre ndaloi në Mazi, sepse Dora duhej të takonte një shqiptare, më të pasurën e fshatit, një grua të bukur e shtatlartë që quhej Hiera. Kishte një porosi për të, por ajo u çudit që gruaja ishte e trishtë dhe rënkonte nga dëshpërimi… “Qyteti i Poros, – shkruante ajo, – është i banuar nga 4500 shqiptarë dhe është ndërtuar mbi një shkëmb të madh, shpesh i përmbytur nga dallgët, shkëmb që zgjatet në ishull si një e dalë tepër e ngushtë në det. Porti i madh dhe i bukur që ka ky ishull, ku ngrihet tempulli i Poseidonit, rrënojat e të cilit duken ende lart në mal, e ka bërë Poros-in bazën e vërtetë detare të Greqisë.”

Kur shkoi në Argos, ajo shënonte në bllokun e saj se «banorët e Argos janë pothuaj shqiptarë, por meqë gjuha shqiptare nuk mësohet në shkolla që nga themelimi i mbretërisë greke, ata po njësohen me helenët». Madje ajo shtonte se «Argosi para Revolucionit banohej nga 10 mijë shqiptarë», dhe se «pas luftës së Pavarësisë, pothuaj gjithë banorët janë arvanitas». Pranë Argosit, rrugës për në Nafplio, (Nauplie), ajo ndaloi në Mikenë, ku gjëndeshin rrënojat dhe muret e mëdha të qytetërimit të vjetër grek. Të shumtë ishin udhëtarët evropianë, arkeologë, shkencëtarë e studjues të historisë, që konstatonin dhe admironin artin klasik grek dhe kryeveprat e artistëve të mëdhenj të Antikitetit, vlerën e madhe të një kulture aq të vjetër. Nafplio buzë detit, me kështjellën e madhe veneciane të mbrojtur aq shumë nga shqiptarët e Nafplios, ishte befasues për çdo të huaj. Ishte hera e parë që Dora gjëndej në një vënd të tillë epik. Plazhi ku u vranë mijra shqiptarë, i cili që atëherë e deri më sot quhet «Plazhi i arvanitasve». Por Dora d’Istria ngutej në fakt të shkonte sa më parë në Misolongj për të vizituar varrin e suliotit të famshëm Marko Boçari, emri i të cilit ishte bërë mjaft i njohur nga Lord Byron, vargjet e Victor Hugo si dhe shumë autorëve të tjerë të Evropës. Duke shkuar në varrin e tij, në librin e saj, ajo kujtonte njëkohësisht himnet e thurrura nga Byron-i dhe qindra poetë të kontinentit të vjetër që i kënduan heroizmit të tij dhe shumë arvanitasve të tjerë, heronj të Revolucionit, si Kollokotroni, Karaiskaj, Xhavella, Andruçi, admirali Miauli, Tombazi e të tjerë. Pas kthimit nga Suli, ajo do të shënonte në dorëshkrimin e saj:  «Suli, lavdia e Shqipërisë së krishterë, bijtë e të cilit hynë në ushtrinë franceze dhe rivalizuan për trimëri me ushtarët e Napoléon-it në Champ-Aubert, në Montmirail dhe në Montereau…» Këtë krenari shqiptare, Dora do ta demostronte gjatë gjithë jetës së saj dhe kudo në pikëtakimet intelektuale, artikujt dhe studimet e saj. Ishte një rikthim në origjinën familjare, kur të parët e Gjikajve, të ardhur nga Epiri i Shqipërisë në Konstantinopojë, mbanin dhe mbiemrin «Albanese».

Leave a Comment

Your email address will not be published.