KUR VUAJTJET NJERËZORE KTHEHEN NË RRËFIME, KURSE RRËFIMET NË MONUMENTE TË PAVDEKËSISË

Shkruan: Prof. Dr. Skender Asani


Libri “Legjilslacioni bazik antisemit i Mbretërisë Bullgare”, vepër e parë e këtij karakteri në rajonin tonë, që pritet të përkthehet edhe në gjuhën shqipe dhe angleze, përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me synimet e ITSHKSH për të përmbushur objektivat tona në ngritjen e Departamentit për Studimin dhe Edukimin e Holokaustit në standarde të larta shkencore që vuajtjet njerëzore i kthen në rrëfime, kurse rrëfimet në monumente të pavdekësisë.
Nga Skender ASANI
Sot kur po e promovojmë këtë libër të rëndësishëm, një ditë para se të bëhen 77 vjet nga 11 marsi i frikshëm i vitit 1943, kur nga Monopoli i Shkupit u deportuan dhe u ekzekutuan 7144 hebrenj në kampin famëkeq të Treblinkës, para jush po sjellim një dëshmi autentike mbi aparaturën shtetërore nga koha e nazizmit që si qëllim final kishte zgjidhjen e çështjes hebreje me metodat e vdekjes.
Libri voluminoz “Legjilslacioni bazik antisemit i Mbretërisë Bullgare” botuar nga ITSHKSH, është pjesë integrale e projekteve kapitale të Departamentit për Hulumtimin dhe Edukimin e Holokaustit dhe vazhdimësi e strategjisë sonë për ta risjellë në vëmendjen e opinionit publik gjithë dimensionin historik, njerëzor e studimor të çështjes hebreje që nga Holokausti e deri te arkivimi i kujtimeve të të mbijetuarve.
ITSHKSH ka marrë përsipër botimin e memoareve të familjeve hebreje që i kishin mbijetuar Holokastit. Në nder të viktimave dhe të mbijetuarve të ferrit nazist, por edhe të sakrificës së shqiptarëve që ndihmuan në shpëtimin e shumë jetëve, në janar të 2018-tës u promovua libri “Jeta ime nën pushtimin nazist”, me kujtime i autores herbreje, Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi, botuar nga ITSHKSH, kurse sivjet pritet të del nga shtypi një libër tjetër i titulluar FËMIJËRIA E HUMBUR, rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën me kujtime të familjes Altarac.
Kjo veprimtari ambicioze e Institutit tonë ndjek përvojat më të avancuara në fushën e memoaristikës, kurse si shprehje e drejtpërdrejt e këtij interesimi është edhe ideja për të sjellë në vëmendjen e publikut tonë historinë orale, përmes intervistave e rrëfimeve autentike të të mbijetuarve nga Hokokausti dhe të atyre që kontribuuan në shpëtimin e hebrenjve. Kjo ide pritet të realizohet brenda këtij viti në bashkëpunim me Muzeun e Holokaustit në Washington.
Duke iu faleminderuar mikut tonë dhe studiuesit të palodhur Dr. Vllado Popovski, libri që po promovojmë sot, i paisur me dokumente dhe burime të vlevfshme arkivore, sjell për herë të parë tek lexuesi i këtushëm arkitekturën e një sistemi antisemit, siç ishte Mbretëria Bullgare, e cila duke qenë besnike e verbër e politikës Hitleriane kishte ngritur në nivel legjilslacioni gjithë infrastrukturën ligjore me çka ngarkohej Këshilli i Ministrave që t’i ndërmerr të gjitha masat për zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebreje dhe të gjitha çështjet tjera që lidhen me të.
Dalja në dritë e këtij libri është rezultat i një pune ekipore, kurse kontributi i studiueses Nora Maliqi Zulali ka qenë i një rëndësie të veçant, për shkak të vokacionit të saj hulumtues dhe interesimit për të studiuar çështjen herbeje nga këndvështrimi i gjenocidit të ushtruar mbi ta. Kjo çështje është pjesë e preokupimit të saj shkencor edhe në tezën e dokotoraturës, e cila në fokus ka hulumtimin e të dhënave faktografike mbi kampin e përqendrimit në Monopol të Shkupit.
Libri përpos që përmban një interpretim autentik të dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi strategjinë naziste për zhdukjen e elementit hebre në territorin e shtetit bullgar, përfshi edhe zonat e pushtuara në të ashtuquajturën Maqedoni e Vardarit, është edhe një ndihmesë e çmuar për gjithë studiuesit që mbi bazën e hulumtumieve komparative të nxjerin në dritë strategjitë e ngjashme antihebreje që u përdorën në vendet tjera.

Libri ka gjithsejtë 632 faqe dhe është i ndarë në shtatë pjesë, kurse një vend të posaçëm zë edhe shtojca e përgatitur nga Jasmina Damjanovska, që përmban një fond të pasur me regjistra emrash të rekrutëve të rinj hebrej nga Shkupi, të atyre që përfunduan në kampin e Monopolit, dhe hebrenjve të vrarë nga Shkupi, Shtipi Manastiri. Kjo shtojcë shoqërohet edhe me një fond të pasur fotografish autentik të lagjeve hebreje nga Shkupi, Shtipi e gjetiu.
Libri “Legjilslacioni bazik antisemit i Mbretërisë Bullgare”, do të jetë objekt studimi për të gjithë ata që duan të dinë më tepër mbi historinë e gjenocideve, kurse ajo që e bën të veçant rëndësinë e daljes në dritë të kësaj vepre kapitale është dioptria shkencore në zbërthimin e aparaturës shtetërore, që pikësynim ka vendosjen brenda kornizave ligjore një mekanizëm të tërë vdekjeprurës kundër hebrenjve që jetonin në territorin e Bullgarisë fashiste dhe zonave të pushtuara nga ajo.
Legjislacioni antihebre i miratuar në Kuvendin bullgar në mes të janarit vitit 1941dhe korrikut të viti 1942 kishte si lajtmotiv fuqizimin e politikës shtetërore antisemite, kurse si pjesa më problematike e këtij legjislacioni mund të konsiderohet Ligji për mbrojtjen e kombit, i iniciuar nga Car Borisi III, në prag të takimit të këtij të fundit me Adolf Hitlerin më 18 nëntor 1940, cili kishte filluar të përgatitej qysh në vitin 1940. Ky ligj përfundimisht ishte miratuar më 21 janar 1943, edhe përkundër kundërshtimeve të opozitës së atëhershme në Parlamentin bullgar, dhe i njëjti hyn në fuqi dy ditë më vonë, më 23 janar të të njëjtit vit.
Që të ishte sa më drakonik, ky ligj ishte inspiruar nga legjislacioni antihebre i nazistëve gjermanë, dhe kjo mund të ilustrohet me paraqitjen e hebrenjve si qytetar të dëmshëm, që jetojnë në kurriz të tjerëve, që keqpërdorin besimin e të tjerëve, që blejnë lojalitetin e të tjerëve përmes ryshfeteve, prandaj atyre duhen krijuar mekanizma ligjor për mbrojtje. Kjo frymë antihebreje ishte mjaft aktive në Gjermaninë naziste, mirëpo ishte atipike për realitetin bullgar, sepse karakterologjia dhe natyra e njerëzve që përshkruante ky ligj nuk përputhej me sjelljet hebrenjve të Bullgarisë dhe viseve të pushtuara nga ajo. Por, qëllimi ishte pikërisht stigmatizimi i hebrenjve dhe përmes Ligjit për mbrojtjen e kombit, synohej përgatitja shpirtërore e psikologjike popullit bullgar në atë mënyrë që ai të mos ndjejë kurrfarë dhembjeje ndaj hebrenjve kur ata do të ndodhen në shënjestrën vdekjeprurëse të makinerisë shtetërore bullgare.
Libri “Legjilslacioni bazik antisemit i Mbretërisë Bullgare”, vepër e parë e këtij karakteri në rajonin tonë, që pritet të përkthehet edhe në gjuhën shqipe dhe angleze, përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me synimet e ITSHKSH për të përmbushur objektivat tona në ngritjen e Departamentit për Studimin dhe Edukimin e Holokaustit në standarde të larta shkencore që vuajtjet njerëzore i kthen në rrëfime, kurse rrëfimet në monumente të pavdekësisë.
Peshën dhe rëndësinë e kësaj vepre kapitale e shton edhe një listë emrash të nderuar recensentësh, duke filluar nga Dr. Rahel Levi Drumer, sekretare për çështje akademike në Universitetin “Bar Ilan” në Tel Aviv dhe pjesëtarë e një prej familjeve të mbijetuara hebreje në Dukagjin të Kosovës, pastaj Dr. Igor Jurukov, përfaqësues special për temën e Hokoaustit i ministrit të Arsimit dhe Shkencës në RMV dhe përfaqësues i IHRA-s, Dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Maja Susha, studiuese hebreje nga Shkupi në Departamentin për Studimin dhe Edukimin e Holokaustit pranë ITSHKSH në Shkup.
Shkup, 8 mars

Leave a Comment

Your email address will not be published.