Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se pas shuarjes së kryengritjes të komandantit Shaban Polluzha, Masakra e Tivarit është ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve në vitin 1945.
Thaçi shtoi se të çarmatosur, të uritur, të etur, mijëra shqiptarë u nisën drejt vdekjes së planifikuar nga kreu ushtarak dhe politik jugosllav.
“Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politika jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Por, pavarësisht ngufatjes së gjatë, shqiptarët kurrë nuk e harruan këtë krim monstruoz, për të cilin askush nga ideatorët dhe ekzekutuesit nuk është vënë para drejtësisë”, shkroi Thaçi, transmeton Indeksonline.
Presidenti theksoi gjithashtu se Masakra e Tivarit hyn në radhën e krimeve kundër njerëzimit, e kryer sot e 75 vjet më parë.