Shqiptarët ortodoksë të Stambollit! Lefter Andonyadis, legjenda e futbollit turk me origjinë shqiptare dhe pastiçerët e shquar shqiptarë të metropolit dykontinentësh
Nga Elvi Sidheri
Duke shëtitur mes gjelbërimit në Stamboll, në parkun Yoğurtçu pranë stadiumit Şükrü Saraçoğlu të ekipit të njohur turk Fenerbahçe (me emrin nga lagja e dikurshme piktoreske e krishterë e Fanarit, në zonën europiane të megalopolisit turk), gjëja e vetme që të bie në sy, është se në këtë statujë lartësohet figura e një të krishteri simbol i këtij klubi legjendar futbollistik.
Duke ditur se në Turqi të krishterët mezi bëhen nja 125 mijë frymë mes një popullsie rreth 80 milionëshe, atëherë misteri shtohet menjëherë.
Për vite të tëra, pas vizitave të mia të para në Stamboll, ndër të tjera, në të treja stadiumet e ekipeve historike më të njohura të qytetit, të Gallatasarajit (klub të themeluar nga i biri i Sami Frashërit), të Beshiktashit, i skalitur në shkëmb buzë Bosforit, poshtë lagjeve më trendy të qytetit, sheshit Taksim e Beyoğlu-t, e sigurisht stadiumit të Fenerbahçes, ky emër i habitshëm për rrethanat turke, do të më mbetej në mendje gjatë.
Për ta shuar kërshërinë, kisha arritur të informohesha nga miq vendas e të dhëna të cekta historike, duke mundur të zbuloj veç faktin se lojtari atipik që qëndronte krenar në atë statujë, ishte një “Rum” (siç turqit i quajnë të krishterët ortodoksë) nga Ishujt e Princit, disa ishuj turistikë pranë Stambollit, dikur të banuar nga popullsi të krishtera, greke e armene, si dhe nga paria bizantine para vërshimit osman, e ajo turke paskëtaj, me një qëndrim disa vjeçar edhe të politikanit të madh rus Lev Trotsky në vitet 30 të shekullit të shkuar, pas ekzilit nga Bashkimi Sovjetik.