Për herë të parë në akademinë ushtarake prestigjoze të Uest Pointit në Shtetet e Bashkuara, u diplomuan dy kadetë nga Kosova.
Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku janë ushtarakët e rinj që do t’u shtohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti Trump mbajti fjalimin në ceremoninë e veçantë të diplomimit këtë vit që u zhvillua në kushtet e pandemisë.
Një ceremoni diplomimi si asnjë tjetër në historinë 218 vjeçare të kësaj akademie. Rreth 1100 kadetët e akademisë ushtarake Uest Point marshuan krenarë në parkun e kampusit me maskat mbrojtëse që iu shtuan këtë herë uniformës tradicionale.
Mes tyre, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, janë dy kadetët e rinj nga Kosova të diplomuar në këtë akademi prestigjioze që gërsheton mësimin e doktrinave të taktikave ushtarake me edukimin akademik.
“Mbi të gjitha kjo ditë më ka ngjall ndjenja krenarie pasi e kam pasur nderin ta përfaqësoj vendin në një skenë ndërkombëtare si Uest Pointi…Motoja me të cilën kthehem në Kosovë është – Detyra, Nderi, Atdheu – e cila rrit ndjenjën e përgjegjësisë për t’i kontribuar vendit tim”.
Arelena Shala është e para grua shqiptare që diplomohet në një akademi ushtarake në fushën e inteligjencës gjeo-hapësinore.
Ëndrra e saj për një karrierë në ushtri lindi nga lufta në Kosovë e cila ngjalli tek Arelena ndjenjën e përgjegjësisë për të mbrojtur vendin.
“Unë e kam pasur dëshirën për të qenë ushtarake që nga fëmijëria. Këtë dëshirë do t’ia atribuoja rrethanave në të cilat ka qenë Kosova gjatë dhe pas kohës së luftës. Ashtu si të gjithë kolegët e mi të gjeneratës sime që i kam pas në akademinë ushtarake të Kosovës, të gjithë jemi rritur në një ambient dhe frymë patriotike pas kohës së luftës që na ka shty drejt një ndjenje të shërbimit të vendit”.
Ylli Dalladaku thotë se përvoja e fituar në Uest Point i ka mësuar se dedikimi ndaj detyrës është faktori kryesor i suksesit për çdo ushtri. Ai mezi pret të kthehet dhe të shërbejë në FSK.
“Jam i lumtur që do të udhëheq fillimisht një togë prej 40 ushtarësh të FSK-së…. Unë do të punoj dhe do të punoj jashtëzakonisht shumë që të udhëheq dhe inspiroj atë togë dhe të udhëheq me shembull duke i ofruar kompetencë, dedikim ndaj detyrës dhe disiplinë.”