ARKIVË: A keni dëgjuar ndonjëherë për Kuvendin e Murgllës së Llapit?!

Kuvendi i Murgllës ishte organizuar gjatë viteve 1918-1925, periudhë kjo e kundërvënieve të armatosura shqiptare në territorin e Llapit, ndërsa Kuvendi ishte i karakterit politiko-ushtarak.

Si rezultat i bisedimeve dhe këshillimeve që ishin bërë në Podpovë, Zhabar, Merçez, Shajkofc me Azem Bejtën kishtë rënë propozimi që në nivel të tërë rajonit të llapit të mbahej një këshillim ushtarako-politik.

Në Kuvendin e Murgllës, siç del nga shënimet e tubuara në teren, kishin marrë pjesë të gjithë udhëheqësit e çetave shqiptare të Llapit dhe të disa territoreve që lidheshin imediativisht.

Mikpritës i Kuvendit ishte caktuar patrioti Ramë Sabedini. Nën udhëheqjen e Ramë Vllasës kuvendi kishte zgjatur tri ditë. Pas një debati të gjerë, aty ishin marrë vendime për të cilat opinioni i gjerë nuk dinte një kohë të gjatë. Në rendë të parë rezultat i Kuvendit ishte vendimi që çeta t’i koordinonte aksionet.

Aty ishin caktuar territoret se në cilat do të përqendroheshin çetat e Ramë Vlasës, Sahit Shajkofcit, Sahit Repës, Sheqë Mirovcit, Pardyzëve, Tahir Ukës, Osman Manit, Hoxhë Polatës, Çeta elite e Bajçinovcëve etj.  Sipas një raporti sekret i kohës, para se të mbahej Kuvendi i Murgllës, Ferat Draga kishte qëndruar ilegalisht në Shqipëri dhe prej andej kishte sjellë instruksione.

Pas mbarimit të Kuvendit të Murgllës shihet se në mënyrë të koordinuar ishin sulmuar stacionet e xhandarmërisë dhe të gjitha institucionet e pushtetit. Në saje të këtyre orientimeve ishin sulmuar stacionet e xhandarëve në Koliq, Lluzhan, Kërpimeh dhe Dumnicë.

Paralel me këto aksione ishin bërë edhe djegiet e shtëpive e shtëpive të konfidentëve të okupatorit. Me mjshtëri të rrallë ishin likuiduar disa konfident në Podujevë, Shajkofc, Dumnicë, Bradash, Dobratinë, Repë, Pollatë dhe Koliq.

Në frymën e vendimeve të Murgllës, sulmet ndaj institucioneve të okupatorit ishin bërë masive në Drenicë, Dukagjin, në Qarkun e Sharrit dhe të Gjilanit./PodujevaPRESS.com/

(Redaksia e portalit informativ PodujevaPRESS ka përmbledhur pjesë të shkrimeve për Kuvendin e Murgllës nga punime të ndryshme shkencore. Qëllimi i këtij shkrimi ishte të dalin në dritë informata dhe brezat e rinj llapjanë të din më shumë për veprat dhe jetët e kolosëve të kësaj treve, ndërsa foto në këtë shkrim është ilustrative pasi që mungonte një foto e atij momenti)

Leave a Comment

Your email address will not be published.