A i ka edhe Kosova Sharl de Golët e vet ?

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Nëse në paraqitjet publike të politikanëve dominojnë vetëm kritikat për oponentët, por pa ofruar vet zgjidhje dhe nëse një parti politike vazhdon të mbaj në radhët e veta bartës të sjelljeve përçarëse, atëherë ky duhet të jetë sinjal i mjaftueshëm në vendimmarrjen e votuesve ditën  zgjedhjeve

Ish presidenti francez Sharl de Gol kur nuk kishte argumente në fjalimet e tij, e ngriste zërin. Ky në fakt ishte sugjerim i këshilltarëve të tij, sepse ata e dinin saktësisht se në cilat pjesë të fjalimit të shefit të tyre kishte argumente dhe në cilat jo.
Nëse i ndiqni fjalimet e politikanëve të Kosovës, në këtë fushatë të parakohshme zgjedhore, përfshi edhe ata që janë kandiduar për deputet, do të vëreni se shumica prej tyre argumentet i kanë ‘vrimën’ e fundit të kavallit, prandaj jo rastësisht në vend të argumenteve po kërcasin grushtet.
Kjo ashpërsi parazgjedhore, ky mosdurim në retorikën e mbushur plot me ofendime e etiketime, flet për zbehtësinë  e ofertave, por edhe për përpjekjen e disa segmenteve të caktuara politike për të instaluar frymën e jotolerancës si alibi për mungesën e platformave të mirëfillta zgjedhore. Vetëm ata që nuk kanë oferta dhe platforma, preferojnë gjuhën e mosdurimit, sepse vetëm përmes një forme të tillë të komunikimit ata duan të imponohen tek votuesit. 
‘Njeriu lufton me atë çka ka’, thotë një fjalë e jona popullore dhe si duket kjo thënie po bëhet slogan i disa individëve dhe grupeve, të cilët po iu thonë votuesve se këto janë mjetet tona, me të cilat duam të vimë në pushtet. 

Por, a ka kohë Kosova të pres ende në stacionet e humbura të politikanëve që s’kanë oferta konkrete? Mundësia për të zgjedhur, është thelbi i demokracisë, kurse votuesi kosovar tash më është i pjekur që të vendos në mënyrë autonome për fatin e të ardhmes së vendit të tij. Retorika dhe fryma që po imponohet në diskursin parazgjedhor nga ana e politikanëve të caktuar, duhet të jetë kufiri që ndan inatin partiak nga kauza kombëtare. Shanset për të bërë këtë përkufizim janë gjithmonë në anën e atyre që duan të shkëputen nga e kaluara. Kjo shansë shënon fillimin e ndryshimit, kurse kultura e mosndëshkimit të krimit, korrupsionit, nepotizmit duhet të jetë fundi i një përvoje negative nëpër të cilën kaloi politika kosovare.
Nëse në paraqitjet publike të politikanëve dominojnë vetëm kritikat për oponentët, por pa ofruar vet zgjidhje dhe nëse një parti politike vazhdon të mbaj në radhët e veta bartës të sjelljeve përçarëse, atëherë ky duhet të jetë sinjal i mjaftueshëm në vendimmarrjen e votuesve ditën  zgjedhjeve. 
Një popull e ka në duart  e veta fatin e tij, kurse në rastin e Kosovës, votuesit që kanë kaluar nëpër faza të vështira të zhgënjimit, nuk munden në pafundësi t’i akuzojnë partitë dhe liderët për dështimet e tyre. Këta të fundit nuk do të mund të gabonin, nëse votuesi nuk ua jep shansin të gabojnë sërish. Jo rastësisht thuhet se bashkëfajtor për devijimet e shfaqura në një shoqëri, janë edhe ata që zgjedhin. Përgjegjësia është edhe atyre që nuk arrijnë të dallojnë retorikën shantazuese nga ofertat e mirëfillta, sjelljet retrograde nga vizioni për ndryshime. 
Ish presidenti francez Sharl de Gol vërtetë e ngriste zërin ndonjëherë në fjalimet e tij kur nuk kishte argumente, por ai u bë shembull i braktisjes së politikës në momentet kur në skenën politike të Francës erdhën politikanë të rinj që zëvendësuan stilin e vjetër të politikëbërjes me projekte konkrete që imponuan një kulturë tjetër të shtetndërtimit. Se de Gol ishte një figurë markante e historisë politike e shtetërore të Francës dëshmon edhe aftësia e tij në artin ushtarak, të përmbledhura në disa libra. Madje sipas disa të dhënave, ushtria gjermane ndoqi disa nga rekomandimet e De Gol në Luftën e Dytë Botërore.Por, ai me gjithë këto merita nuk deshi të luaj rolin e politikanit të pazëvendësueshëm. Biografët e kanë vlerësuar Sharl de Golin si politikan të zgjuar që u priu proceseve politike dhe kur erdhi koha, me intuitë ndjeu domosdoshmërinë të tërhiqet nga posti i Presidentit në vitin 1969, duke u bërë në këtë mënyrë model për pasardhësit.
A i ka edhe Kosova Sharl de Golët e vet që e kanë kuptuar se koha e tyre ka perënduar?

Leave a Comment

Your email address will not be published.