A kanë mundësi vendet e pasura të ndalojnë blerjen e naftës ruse?

Nga Amy Myers Jaffe / “The Conversation”

Një nga opsionet që kanë në dispozicion SHBA-ja dhe vendet e tjera për të shtuar presionin ndaj Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainë, është reduktimi i blerjeve të energjisë ruse. Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss ka propozuar që vendet e G7-ës, SHBA, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, të vendosin kufizime në importet e tyre të naftës dhe gazit rus. Po si mund të funksionojë kjo, dhe si mund të ndikojë në tregjet ndërkombëtare të naftës, të cilat janë tashmë të tronditura nga konflikti?

Sa e rëndësishme është Rusia si një furnizuese botërore e naftës?

Rusia prodhon afërsisht 11 milionë fuçi naftë bruto në ditë. Ajo e përdor gjysmën e këtij prodhimi për nevojat e veta të brendshme, të cilat duket se janë rritur për shkak të kërkesave më të larta nga ushtria, dhe eksporton 5-6 milionë fuçi në ditë.

Sot Rusia është prodhuesja e dytë më e madhe në botë e naftës së papërpunuar, pas SHBA-së dhe përpara Arabisë Saudite. Por ndonjëherë kjo renditje ndryshon. Rreth gjysma e naftës ruse që eksportohet – afro 2.5 milionë fuçi në ditë – dërgohet në vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Holandën, Poloninë, Finlandën, Lituaninë, Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Gati 1/3 treta e tij arrin në Evropë përmes gazsjellësit Druzhba që kalon nga Bjellorusia. Këto 700.000 fuçi në ditëm, do të ishin një objektiv i dukshëm për çdo lloj sanksioni, qoftë duke ndalur pagesat financiare apo duke refuzuar dërgesat përmes linjave të gazit në Bjellorusi.

Në vitin 2019, Bashkimi Evropian ndaloi pranimin e furnizimit për disa muaj nga gazsjellësi Druzhba, kur nafta e papërpunuar që rrjedh përmes tij u kontaminua me klorure organike, që mund të kishin dëmtuar rafineritë e naftës në Evropë gjatë përpunimit të saj.

Dërgesat e naftës ruse drejt Evropës ranë ndjeshëm. Ndërkaq dërgesat e mbetura të eksportit të naftës ruse në Evropë, vijnë kryesisht me anije nga porte të ndryshme. Kina është një tjetër klient i madh. Ajo importon 1.6 milionë fuçi naftë bruto ruse çdo ditë.

Gjysma vjen përmes një gazsjellësi të veçantë të drejtpërdrejtë, Pacific Ocean, që kalon në Siberinë Lindore, dhe që u shërben gjithashtu edhe klientëve të tjerë nëpërmjet një porti në pikën e tij fundore, përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Si do ndikohej Rusia, nëse vendet e tjera reduktojnë importet e naftës së saj?

Sanksionet kundër industrisë ruse të naftës, do të kishin një ndikim më të madh sesa kufizimi i furnizimeve me gaz, pasi të ardhurat e naftës janë më të larta dhe më jetike për buxhetin e saj. Rusia fitoi mbi 110 miliardë dollarë në vitin 2021 nga eksportet e naftës, 2 herë më shumë se të ardhurat e saj nga shitja e gazit jashtë vendit.

Meqë nafta është një mall global relativisht i këmbyeshëm, shumica e eksporteve ruse në Evropë dhe vende të tjera pjesëmarrëse të G-7, mund të dërgohen diku tjetër. Kjo do të çlironte furnizime të tjera nga burime të tilla si Norvegjia dhe Arabia Saudite, që mund të ridrejtohen sërish në Evropë.

Nafta ruse ka shumë squfur dhe papastërti të tjera, prandaj përpunimi i saj kërkon pajisje të specializuara. Pa to, ajo nuk mund të shitet askund. Por atë mund ta blejnë klientët e tjerë aziatikë, përfshirë Indinë dhe Tajlandën. Dhe Rusia ka marrëveshje të veçanta furnizimi me vende si Kuba dhe Venezuela.

Gjithsesi tashmë është e qartë, se Rusia ka probleme me shitjen e naftës së saj krudo diku tjetër. Në fillim të pushtimit të Ukrainës, rafineritë e Evropës nisën që t’i shmangeshin furnizimeve nga Rusia nga frika se mund të binin pre e sanksioneve.

India bleu me ulje të madhe çmimi disa sasi të naftës ruse, që ishin ngarkuar tashmë në anijet-çisternë. Ka shumë gjasa që tregjet të reagojnë ndaj çmimit tavan që ka vendosur G-7, dukee ulur më tej çmimin e naftës ruse. Ne e kemi parë këtë gjë në të kaluarën kur vendet sanksionuan naftën venezueliane dhe iraniane. Këto të fundit gjetën ende blerës, por me çmime të ulëta.

A munden vendet evropiane ta marrin naftën nga burime të tjera?

Nuk ka dyshim se dërgesat e naftës janë më të lehta për t’u shitur diku tjetër, se sa ato të gazit natyror, që duhet të mbahet në temperatura shumë të ulëta për ta transportuar në gjendje të lëngshme në anijet-çisternë, dhe më pas të kthehet në gaz kur të mbërrijë në destinacion.

Dhe kjo do të thotë se nafta ruse e papërpunuar, mund të jetë potencialisht më e lehtë për t’u zëvendësuar nga vendet evropiane sesa gazi, që mbështetet më shumë në shpërndarjen përmes gazsjellësve, në varësi të kushteve të tregut. Për të kompensuar nevojat diku tjetër, Evropa dhe SHBA-ja mund të rrisin njëkohësisht shitjet e naftës së papërpunuar nga rezervat e tyre kombëtare strategjike, dhe të reduktojnë importet e naftës së papërpunuar ruse.

SHBA-ja po shet tashmë 1.3 milionë fuçi në ditë nga Rezerva e saj Strategjike e Naftës, dhe mund t’i rrisë më tej eksportet. Edhe Kina po shet naftë shtesë nga rezervat e saj strategjike kombëtare, për të ndihmuar në lehtësimin e çmimeve të naftës.

Po ashtu, SHBA-ja dhe anëtarët e tjerë të G-7 do t’u kërkojnë vendeve të Lindjes së Mesme të lehtësojnë kufizimet në destinacion për dërgesat e tyre të naftës së papërpunuar, dhe të ushtrojnë presion ndaj vendeve si Kina dhe India, që të ridrejtojnë drejt Evropës sasi nafte

me cilësi të ngjashme me naftën ruse. Nuk është e sigurt nëse Kina dhe India do të bashkëpunojnë, por kjo do të ishte edhe në interesin e tyre. Ata janë importuesit kryesorë të naftës, dhe nuk do të dëshironin të përballeshin me çmime më të larta të naftës bruto.

Si do të ndikoheshin çmimet globale të naftës, në rast se vendet e G-7 blejnë më pak naftë ruse?

Kjo do të varet nga hapat e tjerë që do të ndërmarrin qeveritë, në përgjigje të ndryshimit të rrugës së eksporteve të naftës ruse. Vendet po lëvizin tashmë për t’i përgatitur tregjet globale për zhvendosjet e flukseve të gazit natyror të lëngshëm, në rastin e reduktimit të blerjeve nga Rusia.

Diplomacia e energjisë e G-7, ka të ngjarë të përfshijë vende të tjera që janë prodhuese kryesore të naftës, të cilat mund të jenë të gatshme të eksportojnë më shumë naftë për të lehtësuar situatën e krijuar nga ndërprerja e importit të naftës së papërpunuar ruse.

Shumica e vendeve eksportuesve, kanë maksimizuar kapacitetet e tyre në këtë aspekt. Por disa nga prodhuesit më të mëdhenj të Lindjes së Mesme mund të rrisin prodhimin e tyre në një periudhë afatshkurtër për të hedhur në treg 1 milion fuçi shtesë në ditë ose më shumë.

Marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite, mund të përballen me një sprovë të vështirë. Riadi ka qasje në depozitat e mëdha të naftës së papërpunuar. Në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, aleatët e SHBA në Gjirin Persik mbanin mbi 70 milionë fuçi në këto depozita pranë Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ato e bënë këtë si një kërcënim për Rusinë, se akti i saj do të sillte rënien e ndjeshme të çmimeve, nëse trupat ruse lëviznin përtej atij gadishulli. Rusia qëndroi në Krime, ndaj ajo naftë nuk u përdor. Arabia Saudite ka shkaktuar situata të tilla, që e kanë dëmtuar  ekonominë ruse në vitet 1986, 1998, 2009 dhe 2020.

Por duke pasur parasysh ekuilibrin ekzistues midis ofertës dhe kërkesës, një “luftë çmimesh” ka pak të ngjarë që të ndodhë. Skenari i vetëm që mund të shkaktojë tani një “luftë çmimesh” do të ishte nëse kërkesa globale do të tkurret papritur për shkak të një recesioni ekonomik botëror.

Leave a Comment

Your email address will not be published.