Në ajër e në tokë. Investime ka në të dy anët. Serbia ka shtuar kapacitetet ushtarake këtë fundjavë, duke u pajisur me sistem raketor nga Kina
Sisteme të tilla me rreze të lartë të veprimit, shfrytëzohen nga ushtria amerikane të njohura si Patriot, ndërsa në Rusi identifikohen me S-300. Por, Kosova nuk rrezikohet nga një sistem i tillë, pasi që vendi nuk ka aviacion luftarak.
Veç këtij sistemi, është raportuar edhe për interesimin e Serbisë që të blejë dronë. Pikërisht interesimi për shtimin e kapaciteteve ushtarake, po shihet si një sinjal për mobilizim të institucioneve. Të gjitha këto veprime të Serbisë, po shihen si lojë e rrezikshme, por jo vetëm në drejtim të Kosovës. Se janë duke e marrë me seriozitet këtë çështje, e tha edhe kryeministri Albin Kurti gjatë së mërkurës, mirëpo u shpreh se nuk ka vend për frikë.
Ndryshe nga ai, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë sistem si mbrojtës, duke thënë se Serbia ka bërë hapa. Ka bërë hapa inkurajues në OKB. Dhe Ballkani deri më tani është bashkë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se homologu i tij malazez Milo Gjukanoviç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përhapin urrejtje ndaj serbëve dhe Serbisë.
Vuçiç tha se një fushatë kundër Serbisë është krijuar nga ato që ai i quajti qendrat e huaja të pushtetit dhe pjesë e rajonit gjatë gjashtë muajve të fundit.
“Roli më i spikatur në atë urrejtje të hapur e të zhveshur ndaj Serbisë dhe gjithçkaje serbe nga Albin Kurti dhe Milo Gjukanoviç, të cilët gjithmonë përdorin gënjeshtra, qëndron vetëm me një qëllim, të portretizojnë veten si viktima dhe Serbinë si agresore”, tha ai.
Ai i akuzoi se po përdorin faktin që Serbia ka blerë sistemin antirakertor nga Kina, për të thënë se Serbia është një aleate e Rusisë dhe Kinës dhe rrezikon paqen në rajon.
“Ata nuk mund të thonë se ne po i vëmë në rrezik, pasi ky sistem është krijuar për të shkatërruar raketat lundruese të armikut që futen në hapësirën ajrore të vendit tonë. Do të ishte më mirë të blinim sprej kundër mushkonjave, sepse është më e rëndësishme të mbrohemi nga mizat dhe mushkonjat sesa çdo forca ajrore serioze që ata kanë,” tha ai.
Ai tha se qëllimi është të dëmtohet Serbia dhe ta shohin sa më dobët, sic ka qenë kur shpalli pavarësinë Kosovë”, u shpreh Vuçiç, ndërsa shtoi se Serbia tani është i vetmi vend neutral ushtarak në rajon.
“Lëreni Serbinë të qetë, mos gënjeni, mos e mashtroni publikun”, tha Vuçiç.
Gjukanoviç dhe Kurti të dy shprehën shqetësim mbi blerjet e fundit të armëve nga Serbia. Gjukanoviç shprehu shqetësimin për tendencën e zgjeruar të Serbisë për të blerë armë nga vendet që janë rivale dhe armiq të vendeve anëtare të NATO-s. Kurti paralajmëroi se Serbia duket se është në panik sepse e kupton që nuk mund të jetë më në tre-katër vende përnjëherë dhe po përpiqet të forcohet që të mund të mbetet vetëm.