Pasi Qeveria e Kosovës i shpalli organizatat e lidhura me Serbinë “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile” si organizata terroriste, vendimi duket se ka alarmuar pjesëtarët e këtyre organizatave.
Gjegjësisht, ata kanë njoftuar ndjekësit e tyre në rrjetet sociale ruse se “për arsye sigurie” kanali i tyre nuk do të mbajë më emrin “Brigada e Veriut” dhe nuk do të ndajë raporte nga anëtarët e kësaj organizate, përcjell rtv21.tv.
“Kanali do të vazhdojë punën e tij si më parë”, sqaruan ata, duke thënë se “tema kryesore do të jetë situata dhe ngjarjet në Kosovë, dhe punën do ta marrin përsipër persona të tjerë dhe do të drejtohen me një emër tjetër”.
Në fund ata thanë se nuk do të shkojnë askund sepse “Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë” dhe se “Me ndihmën e Zotit do të takohemi sërish së shpejti në Prizren”.
Qeveria e Kosovës ka shpallur “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile” si organizata terroriste. Kanali i tyre në Telegram dikur ka përhapur dezinformata dhe ka bërë thirrje për dhunë. /Geopost