Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se qeveria në vend duhet të formohet sa më shpejt, se nuk ka kohë për vonesa, sepse ka përballë saj mjaft sfida
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës e meritojnë një qeveri efikase, që përmbush mandatin e saj të plotë.
“Unë gjithashtu dua të përgëzoj popullin e Kosovës për zgjedhjet e fundit të suksesshme dhe paqësore. Populli edhe një herë ka folur. Unë i nxis partitë fituese të formojnë një qeveri shpejt dhe me efikasitet. Nuk ka kohë për vonesa kur qeveria e re përballet me kaq shumë sfida. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeveri efektive, që përmbush mandatin e saj të plotë”, tha ai.
Kosnetti po ashtu tha se asnjë sfidë nuk është më urgjente dhe e rëndësishme sesa luftimi i pandemisë, gjë të cilën fatkeqësisht theksoi se nuk e ka vërejtur kujdesin nga politikanët dhe qytetarët në javët para zgjedhjeve.
“Unë, si të gjithë, do të preferoja t’ju bashkohesha të gjithëve personalisht, por pandemia nuk është penduar, kështu që as ne nuk mundemi. Ne duhet të qëndrojmë të kujdesshëm dhe vigjilentë. Fatkeqësisht, ne nuk e kemi vërejtur të njëjtën shkallë të kujdesit nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës në javët para zgjedhjeve”, deklaroi ai.