Ashtu si shumë udhëtarë të huaj në këto vise, që kanë shkruar apo dokumentuar të dhëna interesante për Shqipërinë, një tjetër britanike (si Edith Durham), Margaret Hasluck (1885-1948) ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për dokumentimin e historisë të po kësaj periudhe, paçka se për fat të keq, ajo është më pak e njohur…
Në fotografitë e Hasluck (e diplomuar ne Kembrixh), shpaloset qartazi tematika e jetës së përditshme, ndryshe nga mikja e saj Durham që veç shkrimeve kishte edhe lapsin e vizatimit.
Më shumë se 500 fotografi të saj janë digjitalizuar nga arkivat britanike, ku vlen të theksohet se shumë prej fotografive janë të shkrepura në zonën e Matit, pikërisht në vendlindjen e Mbretit Zog, – një udhëtim i gjatë që ngjizi nga Elbasani në Librazhd, Dibër, Martanesh e Bulqizë, e për të vijuar më tej në Klos, Lis, Burrel, Burgajet dhe Urakë (1923-1925).
Në shumë prej shtëpive ajo ka jetuar një kohë, siç ishte në Orenjë në shtëpinë e Beg Ballës, në Dibër në shtëpinë e Murat Kaloshit, në Sarajet e Burgajetit apo shtëpinë e Xhelal Zogut. Por Hasluck, ishte edhe etnologe. Interesi i saj për të fotografuar nuk ishin vetëm banesat por edhe njerëzit, mënyra e jetesës, zakonet, e deri edhe lojërat popullore.
Madje këtë të fundit e dokumenton për mrekulli me djemtë e konviktit të një shkolle të asaj kohe në Burrel, me lojërat e të cilëve ajo realizon 9 foto.
Hasluck më 1926 vendos të jetojë në Shqipëri, për 13 vite. Ajo është autorja e gramatikës së parë anglisht-shqip (Këndime Anglisht- Shqip, 1932) e cila përfshin edhe 16 përralla popullore shqiptare në anglisht dhe shqip së bashku me fjalorin…