Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në veri të vendit, pasi i njëjti dyshohet për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së policisë, ku dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë. Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin me targa RKS.
“Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale ‘Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, ‘Vrasje në tentativë’, ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në dy ditët e fundit në veri të vendit janë djegur pesë vetura me targa RKS dhe një veturë me targa ilegale.
Blerim Vela, shef i Stafit të Kabinetit të Presidencës ka bërë një reagim pas arrestimit të të dyshuarit për djegien e veturave në veri, duke thënë se i dyshuari është person me histori kriminale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në postimin e bërë në Twitter, Vela thotë se komunitetet lokale në veri mund t’i besojnë Policisë së Kosovës.
Tutje ai shkroi se banditët e Radoiçiqit do të dalin paa drejtësisl për veprat e tyre kriminale.
“Një i dyshuar për djegien e veturave të serbëve vendas në veri të Kosovës është arrestuar nga Policia e Kosovës. Një person me histori të gjatë kriminale! Komunitetet lokale në veri të Kosovës mund t’i besojnë forcës policore multietnike. Banditë e Radoiçiqit do të dalin para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, shkroi Vela në Twitter.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se serbi i arrestuar sot në veri të Kosovës, i cili dyshohet se plagosi dy zyrtarë policor dhe dogji disa vetura me targa RKS, është pjesë e strukturës kriminale të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”.
Sipas Sveçlës, për serbin e arrestuar sot, organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, është shprehur Sveçla.
Lista Serbe është deklaruar pas arrestimit të dyshuar për plagosjen e dy zyrtarëve policorë. Përmes një komunikate të para pak çasteve të publikuar në “Facebook”, LS ka hyrë në punën e Drejtësisë, duke propaganduar se nuk ka prova për një gjë të tillë.
“Regjimi i Kurtit nuk ka zgjidhur asnjë sulm ndaj serbëve deri më tani, ku ka pasur me dhjetëra sosh, por kur serbët duhet të persekutohen pa prova, ai vepron urgjentisht. Është e qartë se qëllimi i tij është të shkaktojë kaos dhe situata në terren thotë se ai nuk është shumë larg kësaj.
Kohët e fundit, Prishtina në synimin e saj për të mashtruar opinionin shkon edhe një hap më tej, edhe në rastet kur serbët janë dëmtuar, ai si i dyshuar, i arreston serbët në mënyrë të pajustifikueshme dhe tenton të zbraps realitetin në terren duke fshehur fajtorët e vërtetë të sulmit ndaj serbëve.” – thuhet në reagimin e Listës Serbe.