Ndër reliket më origjinale dhe më të famshme të ekspozuara në pavijonin e Antifashizmit Shqiptar janë automatiku i nipit të Geringut, të vrarë nga partizanët e Pezës si dhe automatiku i komandantit partizan italian Valter Audisio, i njohur me pseudonimin Valerio, i cili me këtë armë vrau Ducen, Musolinin, në 28 në prill 1945. Kjo armë historike ndodhej në fondet e arkivit që nga viti 1957 kur Valerio, gjatë një vizite në Shqipëri e kishte dhuruar, shoqëruar me një letër të tij. Arma qe e kalibrit 7,65, model 1938-F.20830.
Nga Moikom Zeqo
7 prilli 1939 është dita e parë e pushtimit fashist, por edhe dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Ngjarjet që pasojnë, lidhen me një përpjekje groteske për “fashistizimin e Shqipërisë” dhe kolonizimin e saj. Lufta italo-greke është një tjetër akord i tragjedisë, tashmë ballkanike. Shqiptarët qenë kundër kësaj lufte. Askush nuk mund të krijojë mistifikime dhe alibira të kobshme historike. Faktet dhe dokumentet e vërtetojnë qartësisht këtë gjë. Atentati i djaloshit Vasil Laçi, kundër Viktor Emanuelit gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ka gjithashtu jo vetëm një simbolikë shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, reagimet e shqiptarëve kundër pushtimit qenë të shumanshme. Ndër të parat çeta antifashiste në Europë qe ajo e Heroit Popullor dhe të lavdishëm Myslim Peza. Ndërkohë, si kudo në krejt kontinentin idetë komuniste kishin depërtuar edhe në Shqipëri. Grupet komuniste, të pafuqishme dhe me grindje me njëri-tjetrin nuk bënë dot asnjë lloj rezistence më 7 prill. Ato arritën më në fund, nën trysninë e ngjarjeve dhe të ndërgjegjësimit për të krijuar më 8 Nëntor 1941 Partinë Komuniste Shqiptare. Ky është një moment historik shumë i rëndësishëm dhe i pamohueshëm dot nga askush. Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë konceptuan dhe nisën në mënyrë ilegale dhe të shumanshme organizimin e qëndresës popullore për çlirimin e Shqipërisë. Kjo dukuri nuk qe vetëm në Shqipëri, po në krejt kontinentin.
Antifashizmi i PKSH është një gjë reale dhe e patjetërsueshme. PKSH ka meritën historike dhe rolin kryesor. Përveç komunistëve kishte dhe atdhetarë të tjerë, madje me bindje jo komuniste, të cilët nuk e donin fashizmin. Kjo situatë inkandeshente çoi në organizimin e Konferencës së Pezës në vitin 1942 si një nga kuvendet mbarëkombëtare më të rëndësishme, më vizionare, dhe më të mençura në krejt historinë e kombit shqiptar. Retrospektiva na ndihmon për të përafërsuar me Kuvendin e Lezhës së Gjergj Kastriot Skënderbeut më 1444, apo Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, që evokohen në substancë edhe tek Konferenca e Pezës.
Dokumentet origjinale arkivore e paraqesin Konferencën e Pezës të paretushuar dhe ashtu si ka ndodhur në të vërtetë. Për të bërë më të plotë dhe më të kuptueshme fizionominë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kemi dy dimensione: dimensionin politik të ngjarjeve konceptuese dhe udhëheqëse të krejt Luftës si dhe dimensionin ushtarak të organizuar të luftës. Në dimensionin politik Konferenca e Labinotit, Kongresi i Përmetit dhe Mbledhja e Beratit kanë rëndësi vendimtare. Duke respektuar historicitetin janë dhënë nëpërmjet dokumenteve formimi i organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, aktet e themelimit dhe programet e tyre, si dhe Takimi i Tapizës dhe Mbledhja e Mukjes.
Dokumentet autentike plotësojnë kuadrin historik, por gjithashtu nëpërmjet dokumenteve po autentike tregohet realisht roli konkret i armatosur i partizanëve, por dhe degradimi në kolaboracionizëm i shumë elementëve, të quajtur nacionalistë. Çuditërisht këtë gjë e tregojnë qartë dokumentet e oficerëve anglezë, që veproni në Shqipëri. Dimensioni ushtarak është diçka shumë serioze në organizimin e luftës, siç është krijimi i Shtabit të Përgjithshëm me komandant Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën, më pas Komandant i Përgjithshëm, krijimi nga çetat te batalionet dhe brigadat partizane. Këto përbëjnë edhe thelbin e gjithçkaje, kalimin në një fazë cilësisht më të re, të luftës së organizuar.
Dokumentet e shtatmadhorive të ushtrisë italiane dhe asaj gjermane, janë dëshmia nga pika e kundërt e shikimit e asaj që ndodhi në të vërtetë në Shqipëri. Karakteri masiv i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është i gjithmbarshëm në qytete, në fshatra dhe në krahina të largëta, nga Jugu në Veri. Shkëlqimi i trimërisë shqiptare tregon një vitalitet të habitshëm. Kjo gjë, u kuptua dhe u konfirmua ndërkombëtarisht dhe zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj, nga Anglia, SHBA dhe BS. Kjo njohje institucionale lidhet jo rastësisht me partizanët dhe të tërë strukturën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të drejtuar nga Enver Hoxha. Ky konfirmim është një rezultat, ka qenë një njohje e vështirë plot peripeci, por gjithsesi qe një njohje objektive dhe historike. Ushtria Nacionalçlirimtare tregoi aftësi të mëdha, kurajo dhe moral të lartë.
Një tjetër akt i jashtëzakonshëm qe urdhri për kalimin e divizioneve dhe formacioneve ushtarake përtej kufirit shtetëror të Shqipërisë për të çliruar Kosovën dhe viset e tjera të Jugosllavisë deri në Vishegrad. Ky është një akt unikal në historinë e kombit shqiptar. Nuk janë lënë në harresë edhe kontributi i partizanëve minoritarë, të cilët kanë heronjtë e tyre të luftës, as inkuadrimi i popullsisë çame në formacionet partizane shqiptare, por edhe në ato greke të EAMI-it. Një gjë e re dhe e veçantë që vihet në dukje për herë të parë ishte veprimtaria e aleatëve, kryesisht e anglo-amerikanëve në Shqipëri. Ka një numër të madh dokumentesh, që e tregojnë këtë veprimtari, ashtu siç ka edhe dëshmorë të këtyre misioneve, që u vranë për lirinë e Shqipërisë. Nuk janë lënë në harresë as kontributet e ushtarëve etnikë të huaj, si p.sh. antifashistët italianë të batalionit “Antonio Gramshi”, as bashkëpunimi me partizanët jugosllavë, grekë dhe maqedonë. Kjo plotëson kuadrin ballkanik dhe rajonal të Luftës Antifashiste të armatosur, duke plotësuar në shumë aspekte dhe elemente Aleancën Antifashiste Botërore në përgjithësi.
Një kënd më vete përbën fakti unikal në Evropë, që populli shqiptar, qe i vetmi popull në kontinent, që nuk tradhtoi dhe dorëzoi asnjë hebre në duart e nazistëve, si dhe shumë prej këtyre hebrenjve luftuan si partizanë me armë në dorë. Një faqe gjithashtu më vete përbën heroizmi i fëmijëve, i rinisë dhe gruas antifashiste.
Shqipëria është i vetmi vend europian, që u çlirua nga populli dhe brigadat partizane. Ky është një fakt historik që kuptohet brenda rrethanave historike të kohës. Çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi nazifashist është një nga fitoret më të mëdha historike të popullit shqiptar. Nderimi për të rënët dhe sakrificat është i përjetshëm.
Në gusht 1943 gjermanët pushtuan Shqipërinë me afro 6000 trupa. Fillon kështu një fazë e re e luftës antifashiste. Gjeneralët gjermanë Neubacheri dhe Theodor Geijb qenë të pamëshirshëm. Ata vendosën të shkatërronin LNÇ. Sipas historianit dhe studiuesit amerikan Bernd Fischer udhëheqësit e Ballit Kombëtar ishin të bindur, se gjermanët duhej të qëndronin në Shqipëri vetëm për një kohë të shkurtër dhe se gjermanët mund të përdoreshin kundër kundërshtarëve të tyre partizanë.
Asambleja si organ ekzekutiv i pushtimit gjerman, zgjodhi si kryetar të saj Lef Nosin, anëtar i spikatur i Ballit Kombëtar. Qeveritë kuislinge shqiptare në diktatin gjerman i shërbyen pushtimit. Mehdi Frashëri pranoi të kryesonte Këshillin e Regjencës. Të tëra qeveritë kuislinge artikuluan mbështetje ndaj nazizmit. Gjermanët sollën në Shqipëri mbi 36.000 trupa. Sipas gjeneralit nazist Neubacher duhej të bëhej “një mobilizim kombëtar kundër komunistëve”. Nazistët organizuan një batalion prej 170 vullnetarësh nga Kosova si instrument i sigurisë së rendit në Shqipëri. Naubacher nëpërmjet nazistit Scliev arriti të marrë garancinë e Mithat Frashërit, se sidoqoftë Balli Kombëtar, ndonëse qe deklaruar kundër forcave të Boshtit gjatë pushtimit italian nuk do të merrej asnjë veprim armiqësor kundër gjermanëve.
Elementët e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, përveç disa kundërsulmeve sporadike nuk i angazhuan forcat e tyre në luftën kundër gjermanëve. Ndërkaq, partizanët sulmuan nazistët gjermanë në të gjithë vendin. Kjo gjë vërtetohet nga dokumentet gjermane. Mbas marrëveshjes së Mukjes Balli Kombëtar në 7 tetor 1943 u urdhërua nga Këshilli i tij Qendror të ndalonte çdo veprim armiqësor kundër gjermanëve.
Në këtë fazë sipas Fischerit, shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë se ç’kishin pasur me italianët. Çetat e Ballit Kombëtar nisën t’i informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ, më pas ata filluan të merrnin fonde nga gjermanët dhe fituan mundësinë të blinin armë si nga qeveria kolaboracioniste ashtu dhe nga gjermanët. Shumë shpejt ata morën në administrim zona të tëra të vendit në emër të dy palëve. Rreth fillimit të shkurtit 1944 oficerët britanikë njoftonin, se për partizanët po bëhej tepër e vështirë të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitë gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar dhe forcat e tij – të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, e ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane.
Kjo lëvizje e Ballit Kombëtar qe një lëvizje taktike e përllogaritur, e cila doli katastrofike, por Fischer vë në dukje se “provat për këtë kolaboracionizëm janë të shumta, por të dënosh të gjithë elementët e Ballit kombëtar si kuislingë do të ish një padrejtësi për shumë nga anëtarët e tij”. Është fakt që më 1944 shumë anëtarë të Ballit u hodhën me partizanët. Në nëntor të vitit 1943 vetë Këshilli i Ballit Kombëtar, nën drejtimin e Mithat Frashërit u dorëzoi britanikëve një dokument të nënshkruar, ku thuhej se Balli Kombëtar dëshironte të luftonte kundër gjermanëve. Por Fischer thotë se “Qysh nga momenti i pushtimit gjerman, pavarësisht nga disa përjashtime, rregulli i Ballit Kombëtar ishte kolaboracionizmi”.
E njëjta optikë analizë është edhe për Legalistët. Abaz Kupit e kishte mundësinë potenciale të një mbështetjeje të gjerë, por Fischer thotë “Kupi vazhdoi të ishte i pavendosur dhe të ndiqte një politikë mosluftimi”. Pas shumë vitesh ngurrimi vendimmarrësit politikë britanikë vendosën të pranonin atë që kishte qenë e ditur për shumicën e oficerëve britanikë që vepronin në Shqipëri që prej shumë kohësh, pra faktin që LNÇ përbënte të vetmen forcë luftarake në Shqipëri dhe që shpejt do të vinte nën kontroll krejt vendin. Eden i tha Çurçillit më 26 shtator 1944, se “politika jonë duhet të pranojë mundësinë një qeverie të LNÇ dhe ne duhet të përpiqemi të forcojmë lidhjet tona me të, në mënyrë që të kundërpeshojmë ndikimin rus”.
Më 17 nëntor 1944, u çlirua Tirana mbas një beteje të ashpër. Më 29 nëntor 1944, u çlirua qyteti i fundit i Shqipërisë – Shkodra. Kështu konfirmohet akoma më shumë data e 29 nëntorit, si datë e Çlirimit të Shqipërisë. Më lejoni të theksoj: Me antifashizmin e tyre shqiptarët u treguan një popull me qytetërim të lartë dhe vetëdije të spikatur. Objekti i analizës sonë ka një cak kronologjik, që lidhet me Çlirimin e Shqipërisë. Ajo që ndodhi pas 1944 është objekt i një studimi tjetër të mëveçëm. Por mohimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare do të ishte një marrëzi e jashtëzakonshme nga të gjitha pikëpamjet, gjë, që nuk i hyn në punë askujt përveç se do të krijonte një njollë të bardhë në histori, një amnezi.
Krijimi i organizatave politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti qenë në thelb një kundërvënie ndaj Partisë Komuniste dhe lëvizjes partizane, thotë Fischer. Por një konstatim i tillë nuk ishte një gjë, që duhej thjeshtëzuar. Është fakt se shumë intelektualë me formim kulturor të këtyre organizatave kanë patur edhe traditë edhe veprimtari atdhetare, gjë që nuk mund të mohohet. Figura të tilla si Lumo Skëndo, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, Safet Butka etj., kanë veprimtari kulturore dhe letrare. Një pjesë e tyre qenë antizogistë dhe qenë të aspiruar nga idetë e demokracive perëndimore.
Ata nuk e donin komunizmin por pjesëmarrjen e komunistëve në luftën e armatosur antifashiste nuk e vlerësuan me objektivitet, duke e parë si një pikë kundërshtimi të vazhdueshëm, pra si një opsion përjashtues nga të gjitha pikëpamjet. Por kjo ishte në kontradiktë me vetë dukurinë e boshtit antifashist botëror, që u sendërtua jo nga përjashtimet e ndërsjellta doktrinore, sepse shtete me sisteme të ndryshme politike madje antagoniste nga pikëpamja doktrinore si Bashkimi Sovjetik komunist dhe Anglia me SHBA, kështjella të konceptit shoqëror të demokracive perëndimore arritën të ngrihen mbi dallimet e kontrastet dhe të bashkojnë forcat në një luftë të koordinuar kundër nazifashizmit botëror.
Shembulli i këtyre tre shteteve të mëdha në momentin historik duhej të qe kuptuar më mirë nga tërë atdhetarët në Shqipëri, qoftë jokomunistë, qoftë dhe komunistë. Pse? Fitorja e shqiptarëve kundër fashizmit është një gjë pozitive, jashtëzakonisht e madhe. Shqiptarët dhanë kontribut në mposhtjen e fashizmit botëror. Tezat naive dhe pa asnjë kuptim, se gjoja Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare qe thjesht një luftë civile, janë fantazmagorike dhe të neveritshme për t’u marrë në konsideratë.
Sulmet që i janë bërë luftës Antifashiste vitet e fundit janë absurde dhe të turpshme për ata që i kanë bërë. Unë po ndalem vetëm në dy tre raste për të parë se si sillemi ne dhe se si sillet bota në raport me luftën antifashiste. Gjatë regjimit berishian antifashizmi u poshtërua. Në qendër të Shkodrës ishte një kryevepër skulpturore, Pesë Heronjtë e Vigut e skulptorit të madh Shaban Hadëri. Për një turp të padëgjuar kjo kryevepër artistike, krejt sui generis në llojin e skulpturës monumentale u hoq nga sheshi dhe është vendosur deri më sot tek plehrat e qytetit, për faqe të zezë. Skulptura është dëmtuar nga grabitësit e skrapit. Si ka mundësi? Po ja që ka mundësi! Kjo kryevepër përkujtimore duhet mbrojtur, të vihet o sërish në qendrën e Shkodrës, ose dhe të sillet e të ekspozohet në kodrat e liqenit të Tiranës – e meriton këtë gjë!
Ndër reliket më origjinale dhe më të famshme të ekspozuara në pavijonin e Antifashizmit Shqiptar janë automatiku i nipit të Geringut, të vrarë nga partizanët e Pezës si dhe automatiku i komandantit partizan italian Valter Audisio, i njohur me pseudonimin Valerio, i cili me këtë armë vrau Ducen, Musolinin, në 28 në prill 1945. Kjo armë historike ndodhej në fondet e arkivit që nga viti 1957 kur Valerio, gjatë një vizite në Shqipëri e kishte dhuruar, shoqëruar me një letër të tij. Arma qe e kalibrit 7,65, model 1938-F.20830.
Ishte pikërisht kjo armë që bëri një bujë ndërkombëtare në gazetat dhe revistat europiane, sidomos në Itali. Erdhën shumë gazetarë të huaj në zyrën time kur drejtoja Muzeun dhe e fotografuan armën. Bile edhe mbesa e Musolinit që ishte deputete në parlamentin italian reagoi publikisht, madje edhe ndaj meje si drejtor i muzeut që e ekspozova këtë armë. Po ky ishte një objekt muzeor shumë i rëndësishëm dhe unikal për historinë e Luftës së Dytë Botërore.
Bota e qytetëruar respekton dhe përkujton fitoren e antifashizmit botëror. Po në Shqipëri? Populli ka një kujtesë të pashlyeshme për antifashizmin – kjo është e pamohueshme deri në fund. Nuk mund të ketë harresë në këtë pikë inkandeshente. Asnjëherë./ Botuar në Gazetën DITA