Ish-kryeparlamentari dhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ndodhet në Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të babait të tij. Veseli është lejuar nga Dhomat e Specializuara të zhvillojë vizitën nën monitorimin e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Informacionin për vizitën e Veselit e ka konfirmuar për Gazetën Expess zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Speciales tha se për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë.
Për vizitën e Veselit nuk është deklaruar askush nga PDK-ja, ndërsa mediat lokal kanë publikuar pamje nga momenti kur ish-kreu i PDK-së shihet në Mitrovicë.
Ai është parë duke dalë nga spitali i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, aty ku po trajtohet babai i tij.
Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.
“Unë kam qenë te prindi, e kam prindin pa qef, dhe e pashë kur erdhi Kadri Veseli me 7-8 truproja të Eulexit, e pashë dhe tentova me i fol, na përshëndeti, pata respekt për të”, tha një qytetar që kishte rastisur në oborrin e spitalit ato momente.
Një tjetër qytetare ka treguar se e ka parë Veselin duke folur e buzëqeshur dhe i kanë uruar mirëseardhje. “Sot rastësisht unë dola në korridor dhe i pashë dy policë civil, njëri i kishte prangat prapa dhe ia kërkoi letërnjoftimin familjarëve të Kadri Veselit.
Kur dola, po e shoh Kadri Veselin, duke buzëqeshur duke folur, truprojat kanë qenë në krejt repartin e spitalit. Kur ka ardh i kemi thënë “Mirë se ke ardhur”, por nuk e kanë lejuar gjatë me kontaktur”, ka treguar ajo, transmeton Klan Kosova.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.