Nusret Shabani e kishte parë disa herë në televizor Slobodan Milosheviqin të ulur në bankën e të akuzuarve për krimet e luftës, që forcat e tij kishin kryer edhe në Reçak.
Njëfarë lehtësimi ndjeu kur liderin serb e pa me pranga në duar pak para se Shabani t’ia thoshte në sy se trupat e maskuara ia vranë të birin, Bajrushin, 22 vjeç, shkruan sot “Koha Ditore”. Ishte vetëm njëri prej 45 viktimave të masakrës së Reçakut, të kryer në ditën e 15 janarit 1999. Kishte edhe fëmijë si Halim Beqiri, 14 vjeç. Ende nuk i është gjetur trupi Sahide Metushit.
“E pashë në korridor me dy duart lidhë atë gjakpirës”, thekson Shabani, 80 vjeç, derisa kujton momentet para se të fillonte dëshminë në ditën e 5 korrikut 2002 në Tribunalin për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Ai ishte vetëm njëri prej shtatë dëshmitarëve që do të dëshmonin për masakrën e Reçakut. Të gjithë nga Reçaku, pos Shukri Bujës, i cili ishte ftuar si ish-komandant i UÇK-së për rajonin. Të tjerët – Xhemajl Beqiri, Drita Emini, Bilall Avdiu dhe Agron Mehmeti – do të dëshmonin gjithashtu për masakrimin e familjarëve dhe të afërmve, të cilëve iu ishin nxjerrë sytë, zemrat dhe prerë veshët.
“Sa herë e këqyrsha, më dilnin në anën tjetër njerëzit e pafajshëm, njerëz humanë, njerëz të mirë, të cilët kanë dashur të jetonin, të jetonin dhe të punonin edhe në ato rrethana”, kujton Agron Mehmeti momentin kur e kishte parë nga afër Milosheviqin në gjykatore.
“Loja” e Milosheviqit në gjykatore
“Në rregull. Pra në atë grup, a ishte ndokush i armatosur. Grupi juaj që shkoi drejt kodrës, a ishit të armatosur?” – i drejtohej Milosheviqi Xhemajl Beqirit, një tjetër i mbijetuar që do të dëshmonte kundër liderit të parë të një shteti evropian të akuzuar për krime lufte, përfshirë gjenocidin.
“Krejt ishin civilë. Fëmijë të moshës 12-vjeçare, nuk mund të ishin ushtarë, dhe ata u vranë aty, në mesin e tyre edhe nga familja Beqiri”, do t’i përgjigjej Beqiri. “Nuk po të pyes për fëmijë dymbëdhjetëvjeçarë”, do t’ia kthente me arrogancë Milosheviqi.
“Kasapi i Ballkanit”, sikurse i referoheshin mediat e huaja për shkak të luftërave që i nisi në vitet nëntëdhjetë, po mundohej ta kthente gjykimin në skenë botërore politike, me qëllim që ta mahniste popullin serb, thekson hulumtuesi i “Human Rights Watch”. Abrahams kishte parë me sytë e tij gra e fëmijë të masakruar në Kosovë.