Banesa 300 vjeçare e Zekatëve, Gjirokaster

Shtëpitë e larta të fortifikuara të tipit kullë(fjala kullë e ka origjinën nga turqishtja) u përkisnin pronarëve të pasur, si zyrtarëve të administratës ose tregtarëve. Ato kanë të gjitha një kompozim bazë: një kat të poshtëm ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen, zakonisht me shumë kurorë.

Nëpër mure ka frëngji për të mundësuar mbrojtjen nga armiqtë. Shtëpia e Zekateve është një shembull i mrekullueshëm i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Prej këtu pamjet nga lart e qytetit dhe të luginës së lumit Drino janë spektakolare.

Shtëpia ka tre kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera.

Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja.

Në qendër të katit, pranë shkallëve është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve.

82- vjeçari Ruzhdi Zeko na shoqëron në avllinë e gurtë të shtëpisë së Zekatëve në qytetin e Gjirokastrës. Shtëpia e cila ndodhet në lagjen Palorto është një prej ndërtimeve tipike të arkitekturës tradicionale të qytetit të gurtë. “Të parët e mi kanë qenë pjesë administratës së Ali Pashë Tepelenës dhe kuptohet që ai i ka ndihmuar për të të ndërtuar shtëpinë e gurtë”, na rrëfen Ruzhdiu historinë e ndërtimit të shtëpisë.

Pjesë e saj janë mure, harqe dhe dyer hijerënda të punuara në gur apo dru të gdhendur.

Megjithëse në një moshë të thyer Ruzhdiu mirëpret vizitorët e ndryshëm në banesën e gurtë, duke përfshirë edhe turistët e huaj.

“Të gjithë janë kuriozë për mënyrën e ndërtimit të shtëpisë dhe historinë e saj.

Unë asnjëherë nuk lodhen për t’iu treguar vizitorëve apo turistëve historinë e familjes sime dhe të vetë shtëpisë”, thotë pasardhësi i familjes Zeko.

Leave a Comment

Your email address will not be published.