Banka Botërore parashikon rritje të rrezikut për një recesion global në vitin 2023

Bota mund të jetë duke shkuar drejt një recesioni global, pasi bankat qendrore kudo po rrisin njëkohësisht normat e interesit për të përballuar inflacionin e rritur, deklaroi Banka Botërore të enjten.

Tre ekonomitë më të mëdha në botë – Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Eurozona – kanë pasur një ngadalësim të ndjeshëm ekonomik, dhe mjafton një “goditje e moderuar ndaj ekonomisë globale gjatë vitit të ardhshëm për ta çuar botën drejt një recesioni,” tha banka në një studim të ri.

Banka Botërore tha se ekonomia globale po kalon tani ngadalësimin më të madh eonomik që nga viti 1970 pas një rimëkëmbjeje nga një recesion, ndërsa besimi i konsumatorëve ka rënë më shumë sesa në ҫdo prag recesioni të mëparshëm global.

“Rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm. Ky ngadalësim pritet të rritet akoma më tepër, teksa gjithnjë e më shumë vende bien në recesion,” tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, duke theksuar shqetësimin e tij se këto tendenca do të vazhdojnë, duke sjellë pasoja shkatërruese për tregjet dhe ekonomitë në zhvillim.

Rritjet e sinkronizuara të normave të interesit dhe masat e tjera të lidhura me këto politika ka të ngjarë të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, por mund të mos jenë të mjaftueshme për të ulur inflacionin në nivelet ku ndodhej përpara fillimit të pandemisë COVID-19, tha banka.

Nëse nuk reduktohen ndërprerjet e furnizimeve dhe presionet në tregun e punës, norma globale e inflacionit bazë, duke përjashtuar energjinë, mund të shkojë në shifrën 5% për vitin 2023, gati sa dyfishi i mesatares pesëvjeçare përpara pandemisë.

Për të ulur inflacionin, bankat qendrore mund të duhet të rrisin normat e interesit me 2 pikë përqindjeje, përveҫ rritjes me 2 pikë përqindjeje që ka ndodhur tashmë ndaj mesatares së vitit 2021, deklaroi Banka Botërore.

Por, një rritje e këtyre përmasave, së bashku me gjendjen e rënduar të tregut financiar, do të ngadalësonte rritjen e produktit të brendshëm bruto global, duke e ҫuar atë në 0.5% për vitin 2023, ose, me fjalë të tjera, një rënie prej 0.4% në PBB për frymë. Kjo gjë do të plotësonte kushtet e përkufizimit teknik të një recesioni global.

Malpass tha se politikëbërësit duhet të zhvendosin fokusin e tyre nga ulja e konsumit, te rritja e prodhimit, duke përfshirë përpjekjet për të gjeneruar investime shtesë dhe rritje të produktivitetit.

Recesionet e mëparshme kanë treguar rrezikun që sjell inflacioni nëse lejohet që të jetë në shifra të larta për një kohë të gjatë, në kushtet kur rritja ekonomike është e dobët, deklaroi Banka Botërore, duke vënë në dukje se recesioni i vitit 1982 shkaktoi më shumë se 40 kriza të borxheve dhe solli një humbje të rritjes ekonomike të barabartë me një dekadë për shumë ekonomi në zhvillim.

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Ayhan Kose, tha se shtrëngimet e fundit të politikave monetare dhe fiskale do të ndihmojnë në uljen e inflacionit, por natyra shumë e sinkronizuar e këtyre masave mund të komplikojë situatën dhe të thellojë akoma më shumë ngadalësimin e rritjes globale.

Ky studim tregoi se bankat qendrore mund të luftojnë inflacionin pa shkuar drejt një recesioni global, duke komunikuar qartë vendimet për politikat e tyre, ndërkohë që politikëbërësit duhet të bëjnë plane fiskale të besueshme afatmesme dhe të vazhdojnë të ofrojnë ndihma të targetuara për familjet më vulnerabël./ Reuters

Leave a Comment

Your email address will not be published.