Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka dënuar dhunën që ka ndodhur të enjten në Kuvendin e Kosovës midis deputetëve dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Zyrës së BE në Kosovë, Tomas Szunyog ka shkruar në Twitter se sulmet fizike që kanë ndodhur të enjten janë zhgënjyese, ndërsa ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk është vend ku mund të ushtrohet dhunë.
“Skena zhgënjyese dhune janë parë sot në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskutimet dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, ka shkruar Szunyog në Twitter.