Një hartë e pasaktë e Ballkanit Perëndimor trazon ujërat në Prishtinë dhe Bruksel. I emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka ngjallur polemika me një imazh të zyrës së tij të publikuar në twitter.
Në të shfaqet dhe një hartë, ku Kosova është akoma pjesë e Serbisë dhe kufijtë i shënohen me një vijë të hollë. Lidhur me këto polemika ka ardhur edhe reagimi zyrtar i BE-së që e konsideron pretendimin të pavend dhe të rremë.
“Kjo hartë zyrtare e BE-së është në linjë me qëndrimin tonë për statusin neutral. I rekomandoj çdokujt që të fokusohet në çështje reale që ndihmojnë në avancimin e dialogut për normalizim, në vend që të përpiqen të shpikin histori false” , u shpreh Peter Stano, zëdhënës i KE.
Duke thënë se është harta zyrtare e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është arsyetuar pas raportimeve të shumta se në zyrën e tij ai mban hartë ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë.
Teksa ka postuar disa fotografi nga afër të hartës në fjalë, Lajçaku ka thënë se “Kosova është aty dhe është edhe me vijë ndarëse nga Serbia”.
Por ajo që vërehet është se vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë prapë nuk është sikur ajo që ndan shtete të tjera mes vete.
“Pasi që harta në zyrën time nëpër pamje jo të qarta në intervistën time ka shkaktuar keqkuptime sot, po ndaj fotografi reale nga afër. Është një hartë zyrtare e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosova është aty dhe po ashtu është edhe vija që ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar ai.
As the map in my office in the blurred screenshot of my interview has caused some misperceptions today, I am sharing an actual close-up photo of it. It is an official EU map of the Western Balkans. Kosovo is there and so is the line separating Kosovo from Serbia. pic.twitter.com/VXFggOLmug
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 25, 2021
Një reagim për hartën pati dhe profesori i shkencave politike të universitetit katolik në Lilë të Francës, Loïc Tregoures.
“Lajcak ka një detyrë të vetme: të arrijë një zgjidhje për Serbinë dhe Kosovën, një konflikt plot me simbole dhe dimensione shumë konkrete si kufijt dhe territori. Atëherë si dreqin mund të ketë një hartë të tillë të rajonit pas tij?! Vendos dy harta ose asnjë” u shpreh ai.
Kritika ndaj Lajçak pati edhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, analisti, Florian Bieber, i cili e konsideroi vendosjen e hartës së pasaktë, “një gafë” të zyrtarit të BE-së. Gjithashtu, edhe analistë të ndryshëm në Kosovë kërkuan ndryshimin e Imazhit dhe kërkimin e një falje publike. Ndërkohë, Lajçak ka ngjallur polemika edhe në të kaluarën me deklaratat e tij, ndërsa vendi i tij i origjinës, Sllovakia, nuk e njeh ende Kosovën si shtet i pavarur.