Lufta heroike një çerekshekulli e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kundër Perandorisë Otomane burimin e kishte te bashkimi ushtarak, financiar e krahinor i princërve shqiptarë që ndodhi më 2 mars 1444 në Lezhë. Në historiografinë shqiptare ky bashkim njihet si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ose Kuvendi i Lezhës, i cili i vuri themelet e bashkërendimit dhe komunikimit brendashqiptar në suaza të një projekti shtetformues, e që do të bëhet realitet vetëm në 28 nëntor të vitit 1912. Por, pa Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës, nuk do ta kishim as Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, as shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse ngjizja e idesë shtetndërtuese të shqiptarëve që nga mesjeta e këndej duhej të kalonte nëpër disa faza konsolidimi.
Kuvendi i Lezhës ishte promoter i vetëdijes arbërore për sovranitet shtetëror, kurse Gjer Kastrioti Skënderbeu, si motivues kryesor i kësaj vetëdije, duke bashkuar rreth vetes gjithë princërit e Arbrit, me rezistencën e tij të lavdishme, demonstroi në praktikë aftësinë ushtarake të shqiptarëve, por edhe vizionin për një Shqipëri Evropiane, që do të shkëputej nga dominimi Otoman. Kjo qe edhe arsyeja pse këtë kauzë sublime të Skënderbeut e mbështeti edhe Papa, kurse Republika e Venedikut gjatë kohës sa mbahej Kuvendi i Lezhës, tregoi mirëkuptim të plotë, duke u bë edhe një zëdhënëse e këtij Kuvendi në opinionin publikPerëndimor.
Nëse e vështrojmë Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës nga perspektiva e sotme, do të vërejmë se ajo ka nevojë ende të jetë burim frymëzimi për shoqërinë shqiptare, e mbi të gjitha për klasën politike. Gjatë rrugëtimit tonë si komb nëpër terrenin e vështirë të historisë, kemi vërejtur se gjithmonë sukseset apo mossukseset tona janë varë nga shkalla e unitetit të brendshëm. Një komb që nuk arrin të flet me një zë për çështje madhore, shumë lehtë mund të bëhet pre e ambicieve grabitqare të të huajve. Shpesh here gjatë historisë, ne si komb e kemi paguar shumë shtrenjtë mungesën e unitetit, dhe vetëm mjafton të kujtojmë Lidhjen Shqiptare të Lezhës dhe efektet që pati ajo në epopenë luftarake të Skënderbeut, për të kuptuar më së miri se vetëm bashkimi rreth idealeve kombëtare e bën një popull rezistues kundrejt çdo furtune që vjen nga jashtë.
Mehmet PRISHTINA,
Prishtinë, 2 mars
Foto:
Nga fjalimi ne simpoziumin me rastin e shenimit te 2 marsit, dites beselidhjes se Lezhes dhe foto me rastin e dhurimit te potretit te Hasan Prishtines nga ana e Mehmet Prishtines per z. Ylber Sela drejtor i Agjencisë per Zbatimin e Gjuhes Shqipe në Maqedoninë Veriore