Presidenti amerikan, Joe Biden, ka arritur në Britanin të Madhe në fazën e parë e turneut të tij evropian.
Në fjalimin e tij para ushtarëve amerikanë, ai tregoi se si djali i tij i ndjerë, Beau Biden, ka ndihmuar ndërtimin e sistemit të drejtësisë si prokuror kur ka punuar në Kosovë menjëherë pas luftës.
Të premten në Britani të Madhe do të nisë samiti i shtatë vendeve më të industrializuara, G7.
Ky grup përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimi Evropian.
Liderët e këtyre vendeve do të takohen të shtunën në Kornuall.
Temë kyçe e diskutimit do të jetë rimëkëmbja nga pandemia e koronavirusit, dhe një sistem më i fuqishëm global që mund t’i mbrojë të gjithë nga pandemitë tjera në të ardhmen.
Në këtë samit pritet të diskutohet edhe për çështje klimatike, si dhe ato të tregtisë.
Përveç këtyre takimeve, Biden do të takojë më 16 qershor edhe presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë, në kohën e përshkallëzimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Moskës.
Biden ka treguar për agjendën e tij në udhëtimin e parë jashtë Amerikës pas zgjedhjes si president.
“Do të shkoj në Samitin e G7, pastaj do ta vizitoj NATO-n dhe do ta takoj Putinin. Kështu iu tregojmë se Amerika është kthyer dhe demokracitë e botës janë bërë bashkë për t’i mbrojtur ato që kanë vlerë për ne”.
“Kjo është esenciale pasi asnjë komb i botës nuk mund të përballojë sfidat i vetëm, prandaj duhet të jemi bashkë në përfundimin e rreziqeve dhe duhet ta mundim pandeminë COVID-19. NATO është e shenjtë për Amerikën. Duhet ta modernizojmë Aleancën”, ka thënë Biden.