Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka kërkuar zyrtarisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që shteti që ai udhëheq ta arrijë një marrëveshje me Kosovën, që do të përfshinte njohjen e saj si shtet i pavarur.
Por, si komentohet kjo letër nga personalitete e ndryshme dhe a mund të themi se në administratën e re amerikane në Washington ka një qasje tjetër nga ajo e mëparshmja e Doland Trumpit, mbi zgjidhjen e çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë
Presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër të publikuar nga mediat serbe, i ka shkruar Vuçiqit me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë, me ç’rast ka theksuar mbështetjen e shtetit më të fuqishëm në botë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën që Biden ia ka dërguar presidentit serb.
Për herë të parë, një mesazh i llojit të tillë është dërguar nga SHBA-ja në mënyrë kaq eksplicite në një letër që parashikohet të jetë më protokollare, ku nënvizohet se zgjidhja e problemit me Kosovën, për Serbinë është veçse ta njohë atë si shtet të pavarur.
Pas kësaj letre, erdhën edhe komentet e personaliteteve e njerëzve të ndryshëm publik.
Hoti: Kosova vazhdon të mbetet prioritet në agjendën e SHBA-ve
Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka reaguar për letrën e presidentit amerikan Joe Biden, në të cilën i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, ku do të përfshihet edhe njohja reciproke me Kosovën.
Hoti në një shkrim në Facebook, thotë se nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën.
“Nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën. Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, ka shkruar Hoti. Po ashtu, ai ka thënë se Kosova do të vazhdoj thellimin e partneritetit me SHBA-në.
“Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, ishte vetëm fillimi i një etape të re të partneritetit strategjik që SHBA-të kanë me Republikën e Kosovës, ne do ta thellojmë edhe më tej këtë partneritet.
Kosova vazhdon të mbetet prioritet në agjendën e SHBA-ve. Faleminderit Presidenti Biden! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka përfunduar Hoti.
Duke e komentuar këtë letër, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, e thotë qartë që objektivi i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke.Haradinaj-Stublla, tha se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon qartësi nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese.
“Presidenti Amerikan Biden e thotë qartë: Objektivi i Dialogut për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton NJOHJE RECIPROKE! Prej shumë kohësh ne si AAK kërkojmë këtë qartësi edhe nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues!”.
“Për arritjen e Marrëveshjes Finale, hapat e mbetur duhet të jenë: 1. Definim i parimeve të Marrëveshjes; dhe 2. Përcaktim i kornizës kohore për arritjen e saj. Faleminderit sërish, Amerikë 🇺🇸♥ “, ka shkruar Meliza Haradinaj.
Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka falenderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për letrën që ia ka dërguar Vuciqit, duke i kërkuar që ta njeh pavarësinë e Kosovës.
Përmes Twitterit, Hoxhaj ka thënë se ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm pasi Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit Evropian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet.
“Faleminderit Joe Biden që edhe një herë keni përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të përqendruar në njohjen reciproke. Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm pasi Ballkani Perëndimor mund të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit Evropian vetëm kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet”, ka shkruar Hoxhaj.
Profesori i Universitetit të Lubjanëns, Martin Berishaj, në një shënim në Facebokk, ndër të tjera shkruan:
“Administrata e re amerikane e presidentit Biden, ribëhet konvencionale, pas një mandati që nuk shquhej me këto parime. Ajo edhe në komunikim të vet qartësohet sa i përket marrëdhënieve karshi Kosovës dhe Serbisë. Me letrën drejtuar kryetarit serb z. Vuçiq, është e dallueshme dhe kapërcen me strukture te fjalisë tepër koncize atë zotim ( atë letër te qëllimeve të mira) te ish presidentit Trump, e që në Kosovë, kush e di se pse quhej “marrëveshje”(!) duke kërkuar nga Serbia njohje të Kosovës”.
Edhe studiuesi, Mehmet Prishtina, në një postim në Facebook, e ka komentuar këtë letër të Joe Biden.
“Duhet me kuptua që direkt amerika e konfirmon që jo vetëm që Kosova është shtet por që pritet edhe nga Serbia me njoftë pavaresinë e saj.
Kjo është politika tradicionale amerikane e cila është vazhdimësi e mbi 20 vite angazhim të Amerikës mbi çështjen e rajonit dhe të Kosovës në veçanti.
Biden shkon përtej qasjes së Trumpit, duke kërkuar në urimin e dites së pavarësisë së Serbise që edhe kjo e fundit ti shkruaj një letër te tillë lidershipit të Kosovës me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë”.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mirëpritur letrën e presidentit amerikan Biden që kërkon nga presidenti serb pranimin e Pavarësisë së Kosovës.
Tani, sipas Limajt është radha e jonë dhe duhet të zgjedhim udhëheqës të denjë, që do të luftojnë për interesin tonë nacional në luftën diolomatike që po na pret.
“Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit”, ka shkruar ndër të tjera Limaj.
Postimi i plotë:
“Mirëpres letrën e Presidetit Biden që kërkon nga Vuçiq pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Tani është radha jonë. Ne na duhet që të zgjedhim udhëheqës të denjë, që do të luftojnë për interesin tonë nacional në luftën diolomatike që po na pret. Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit”.
Diplomati, Sabri Kiçmari përmes një postimi në Facebook ka thënë se në letrën e presidentit të SHBA, Joe Biden është tejkaluar në përmbajtje ‘marrëveshja’ e 4 shtatorit, shkruan Syri.net Kosova.
“Në letrën e presidentit të SHBA Joe Biden dërguar presidentit serb Vuçiq është tejkaluar në përmbajtje “marrëveshja” e 4 shtatorit. Presidenti Biden e fton Vuçiqin që të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën bazuar në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar Kiçmari.
Tutje, ai shprehet se kjo është Amerika që e duam, e lirisë, barazisë dhe rejtësisë. Andaj sipas tij, Repubika e Kosovës duhet ta ruajë konstanten e saj orientuese: për një miqësi të përhershme me SHBA.
Vuçiq: Amerikanët duan poshtërimin e Serbisë
Gjatë pjesëmarrjes në një stërvitje ushtarake, presidenti i Serbisë Vuçiq ka fol për situatën e përgjithshme dhe për urimin që ka marr nga presidenti Biden. “kam marr urim nga presidenti Biden, faleminderit për urimin. Sa i përket njohjes së ndërsjellë, ajo nuk qëndron në asnjë akt të organizatave ndërkombëtare, as në BE as në asnjë rezolutë. Ka pas përpjekje që ky term të imponohet si diçka që duhet të pranojmë si zgjidhje përfundimtare dhe iu kam thënë në fytyrë atë që mendoj për njohjen e ndërsjellë” tha Vuçiq në përgjigje të urimit të Biden, shkruan “B92” .
Ai shprehet se Serbia po ruan paqen. “Po reagojmë ndryshe nga se është pritur” tha ai.
Vuçiq tha se është shumë i vogël për të kundërshtuar të gjithë ata që e rrethojnë dhe që duan zhdukjen e Serbisë, apo fuqisë më të madhe botërore që kërkon njohje të ndërsjellë, por jemi tepër të mëdhenj të mos lejojmë poshtërimin e popullit tonë dhe rrëzimin e shtetit tonë.
Në pyetjen për komentimin e kërcënimit të liderit të AAK Ramush Haradinaj, që thotë se do “ta mënjanojë”, Vuçiq tha se bëhet fjalë për njeri të rrezikshëm, në çka kemi pasur rast të bindemi në secilin kuptim.
” Nuk mendoj se gënjen kur fol për bashkimin me Shqipërinë, Përkundrazi shkojnë me lëvizjen e kufijve gjatë gjithë kohës dhe është vetëm çështje kohe kur arrini te muri” tha ai.
Vuçiq tha se së pari folën për njohje të ndërsjellë, ndërsa tash po shihet se kjo nuk është ide e tyre por e amerikanëve , të cilën amerikanët nuk e kanë imponuar nga fillimi deri sa tentuan ta bëjnë në marrëveshjen e Uashingtonit.
“Tash është e qartë se kjo është ide e plotë e amerikanëve, se nuk kanë dashur të flasin rreth modelit të dy Gjermanive dhe zgjidhjeve tjera, por qartë ata duan poshtërimin e Serbisë , ndërsa në këtë lojë poshtërimi iu kam thënë në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë. Askush nuk ka pritur se guxoni të thoni atë, por do ta përsëris në secilin vend “, tha ai.
“Vuçiq tha se kjo është hera e dytë që Haradinaj kërcënon me rrëzimin e tij, këtë e ka bërë edhe para dy viteve”.
“Ai ka premtuar se deri në ditën e Nikollës së Shenjtë në 2019 do të më rrëzojnë, kur ishin protestat në Beograd, kur foli se të gjithë së bashku do më rrëzojnë.. Gjithsesi bëhet fjalë për njeri shumë të rrezikshëm dhe politikan serioz “, tha Vuçiq.
Ku dallon qasja e Bidenit nga ajo e Trumpit?
Drejtori i Instituti Epik, Demush Shasha, ka komentuar letrën e presidentit amerikan Joe Biden dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në të cilën përmend arritje e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.
Shasha përmes një postimi në Facebook, ka përmendur tri elemente të letrës së Biden që bien në sy.
Ai ka thënë se “distancimi nga parimi i administratës Trump se ‘normalizimi ekonomik’ vije para adresimit të çështjeve politike”
“Qëndrimi i Bidenit është se ‘njohja reciproke’ është i vetmi opsion. Pra përjashton atë fjalorin e administratës Trump: ‘çfarëdo që dakordojnë palët’”, ka shkruar Shasha.
Më tej ai ka thënë se “ka përafrim të madh me qëndrim të BE-së pasi që në letër presidenti Biden përdor fjalor të njëjtë me BE, respektivisht arritjen e një ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit’”.
Shasha ka krahasuar edhe letrën e Biden me letrën e fundit drejtuar Vuçiqit nga presidenti Trump, në të cilën Trump e falënderonte presidentin serb për “guximin e jashtëzakonshëm”.