Nga viti shkollor 2008-2009 deri në vitin shkollor 2019-2020, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 26 për qind, apo për 114,323 nxënës.Në bazë të të dhënave për 19 komuna, janë 340 klasa që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se 10 nxënës.
Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP, me temën “Shkolla të tepërta? Ristrukturimi i rrjetit të institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”, ku është kërkuar qe sa më parë të bëhet studimi i detajuar për riorganizimin e shkollave me pak nxënës, ashtu siç parashihet në memorandumin e nënshkruar me Komunën e Kamenicës.
Nga 19 komuna ku është dhënë një pasqyrë sa i përket trendeve në arsimin parauniversitar, si numri i nxënësve, numri i personelit arsimor dhe relacioni nxënës-mësimdhënës.
Hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Bekim Salihu ka folur edhe për vendimin e Komunës së Kamenicës për mbylljen e disa shkollave fillore, që sipas tij për herë te parë ka ngjallur debat në publik.
“Në vitin 2015 deri në vitin 2020 janë investuar mbi 100 milionë euro për ndërtimin e shkollave. Ndërkaq i gjithë ky investim është bërë pa një studim paraprak, se ky ndërtim i shkollave si të ndikojë. 1094 institucione parauniversitare ekzistojnë në krejt Kosovën. Shqetësuese është fakti që nga 19 komuna që i kemi marrë si target studimi, 340 klasë kanë më pak se pesë nxënës”.
Komuna me rënien më të madhe të numrit të nxënësve, është ajo e Kamenicës me më pak se 44 për qind.
Drejtoresha e Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MASHTI, Shqipe Bruçi shtoi se rënia e numrit të nxënësve është e koncentruar më shumë në zona rurale.
“Komunat kanë bërë zvogëlim të paraleleve bazuar në numrin e nxënësve. Komunat nuk është që nuk e kanë praktikuar. Në vitin 2018-2019 kanë qenë 332 paralele të ndara. Është problem të zvogëlohet numri i stafit. MASHTI ka informatat se edhe cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies nuk është e nivelit të duhur të proporcionit nxënës-mësimdhënës”, ka theksuar ajo.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili së fundmi kishte marrë vendim për mbylljen e disa objekteve shkollore, ka treguar se në bazë të disa analizave kanë qenë shtatë shkolla qe kanë pasur më pak se 5 nxënës.
Në këtë raport thuhet se dokumentet strategjike të MASHTI-t, si Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe strategjia e sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniversitar 2016-2020 nuk e trajtojnë fare problemin e rënies së numrit të nxënësve, shkollat dhe klasat me pak nxënës. Po ashtu as uljen e proporcionit nxënës-mësimdhënës.