BLINKEN PAS TAKIMIT ME RAMËN: PARTNERITETI SHBA-SHQIPËRI PO BËHET EDHE MË I THELLË

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se partneriteti midis SHBA-së dhe Shqipërisë do të thellohet edhe më shumë me bashkëpunimin e dy vendeve në shumë fusha. Këto deklarime, Blinken i bëri gjatë takimit të dielen me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të zhvilluar në Bruksel.

“Po vendos një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për tu siguruar që kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne të punojmë me shitës të besuar. Kjo është e rëndësishme dhe mesazh shumë i fortë për t’ju treguar të tjerëve”, ka thënë ai.

“Jemi mirënjohës për punën që SHBA dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në fusha të ndryshme, përfshirë edhe stërvitjen ‘Defender 21’, që është përmbushur me kaq shumë sukses”, shtoi Blinken.

Sekretari i DASH më tej përmendi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për çka tha se ka shumë punë për tu bërë edhe atje.

“Presim me padurim të merrni vendin tuaj edhe në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, kemi shumë punë të mira për të bërë edhe atje në të gjitha aspektet. Ky partneritet po bëhet edhe më i fortë e më i thellë dhe ne e vlerësojmë fort lidershipin tuaj për ta bërë këtë”, shtoi Blinken.

RAMA NËNSHKRUAN MARRËVESHJE ME BLINKEN PËR TEKNOLOGJINË 5G

Rama pas përfundimit të këtij takimi ka treguar se dita e sotme është përmbyllur me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5g mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

“Me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, në një takim shumë miqësor e të dobishëm, që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5G mes ShBA dhe Shqipërisë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se për Shqipërinë është krenari që jetë në krah të SHBA-së dhe e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes si një moment të rëndësishëm.

“Për mua dhe ne në Shqipëri është një moment i rëndësishëm sepse siç besoj ju e dini kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jo qysh prej disa vitesh dhe u kemi kërkuar vendeve të tjera në rajon që të bëhen pjesë, dhe të gjithë së bashku të bëhemi pjesë për një korridor të sigurt komunikimi dhe ta vëmë atë në duar të qytetarëve dhe institucioneve shqiptare dhe të mos lejojmë që të kompromentohet nga aktorë të tjerë që ndonjëherë janë dashakeqës”, tha Rama.

Takimi midis Ramës dhe Blinken u mbajt të dielën nga ora 17:30 në Bruksel.

Leave a Comment

Your email address will not be published.