Kosova nuk duhet të paraqitet si palë që nuk i zbaton marrëveshjet dhe të frikësohet nga një ujdi të cilën e mbështesin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, thonë analistët. Edhe pas vizitave në Prishtinë e Beograd nga emisarët Lajçak e Escobar, nuk dihet kur mund të rinisin takimet e nivelit të lartë, për të cilat gatishmëri ka shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Takimi i fundit është zhvilluar korrikun e vitit të kaluar.
Përtej mesazheve publike, analisti Dritëro Arifi ka thënë se Qeveria nuk duhet të ketë frikë nga një marrëveshje të cilën e përkrahin ShBA-ja dhe BE-ja.
“Shumëçka do të varet nga ne, jo pala serbe. Nëse jemi në një vijë me partnerët tanë, atëherë i gjithë presioni dhe problemet e tjera do të hedhen te pala tjetër. Ne ndoshta mund ta çajmë bllokadën edhe pa na njohur Serbia, sepse kjo varet shumë edhe nga pesë vendet jo njohëse të Bashkimit Evropian. Po ta kishim njohjen nga ana e tyre edhe dialogu do të kishte rrjedhur shumë më lehtë”, ka thënë Arifi.
Gjatë takimeve me udhëheqësit institucionalë, emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, u treguan të prerë lidhur me marrëveshjet e pazbatuara deri më tani, me theks të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të dy përfaqësuesit siguruan se nuk do të lejojnë krijimin e një republike serbe brenda Kosovës, por kërkuan zbatimin e marrëveshjes së arritur.
Insistimi për Asociacionin
Temë kryesore e diskutimit në Beograd me zyrtarët serbë ishte pikërisht Asociacioni. Serbët u ankuan se Qeveria e Kosovës nuk po i përmbush zotimet që ka marrë përsipër në dialog. Por një sërë marrëveshjesh nga dialogu i deritashëm nuk i ka zbatuar as Serbia, siç janë pengesat në hapjen e urës mbi Ibër, mosnjohja e diplomave e refuzimi për t’i hapur pikat e përbashkëta në pikëkalimet kufitare.
“Po besoj që edhe Asociacioni është një çështje që duhet të përfundohet nga pala jonë. Pala jonë duhet të tregohet më e zgjuar, sepse Kosova është e izoluar dhe për mua çdo qeveri e zgjuar është ajo që e çanë këtë izolim. Pra, kjo do të ishte arritja më e madhe për Kosovën, gjetja e mënyrës si të çahet ky izolim në të cilin Kosova gjendet që nga shpallja e pavarësisë. Pra, Qeveria duhet të dijë se si ta fuqizojë subjektivitetin e Republikës sonë”, ka shtuar Arifi.
Emisari Lajçak në Beograd përmendi edhe letrën që sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ia dërgoi kryeministrit Kurti. Sipas tij, ajo dëshmon se sa afër janë ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian në bashkëpunim.
“Ai ka ngritur një numër çështjesh, të cilat janë adresuar në dialog dhe në linjë me dialogun. Çështja e energjisë në veri është njëra nga to dhe gjithashtu edhe çështja e personave të zhdukur. Ai gjithashtu thotë se duhet mbajtur zotimet e kaluara dhe duhet që të shmangen veprimet apo retorika që mund t’i rrisë tensionet. Kjo vlen për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Lajçak.
Sipas analistit Arifi, me konkretizimin e pikave nga letra e Blinkenit, “do të krijohej një mirëbesim mes palëve për ta synuar edhe një marrëveshje finale, ndoshta vitin e ardhshëm”.
Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë të shtunën se është i përkushtuar për dialog të balancuar dhe parimor që çon drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, e cila në qendër e ka njohjen reciproke.
Duke komentuar mesazhet që emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian kanë dhënë pas vizitave të fundit në Kosovë e Serbi, presidenti i Serbisë është shprehur se s’ka bisedime të lehta për Kosovën me ata që e njohin si shtet.
“Teksa Escobari shprehte në vazhdimësi qëndrimin e SHBA-së se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, Lajçaku insistonte në ‘normalizim marrëdhëniesh’ e shtonte se ‘formula evropiane nuk e përjashton asnjë rezultat’”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.
“Më kanë thënë gjithçka që e kanë deklaruar edhe publikisht. Për ne s’është e lehtë asnjë bisedë për Kosovën me ata që e njohin pavarësinë e saj dhe e vënë në pah këtë”.
Modeli belg për Asociacionin
Ndërkaq një model i diskutuar në Serbi për çështjen e Asociacionit është ai i Belgjikës.
Ambasadori i këtij shteti në Beograd, Kun Adam, ka thënë për mediat serbe, se disa nga elementët e tij mund të jenë interesante për t’u konsideruar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në Belgjikë ekziston një nivel federal i qeverisjes, nga i cili disa pushtete janë transferuar në dy nivele më të ulëta, pra në tri rajone dhe tri komunitete gjuhësore: holandisht, frëngjisht dhe gjermanishtfolës.
“Nuk do të përgjigjem nëse modeli belg është i zbatueshëm për Kosovën, u takon zotit Lajcak dhe të gjithë partnerëve në dialog të vendosin, por mund të them se disa elemente mund të jenë interesante për t’u marrë në konsideratë”, ka thënë Adam. “Këto entitete kanë parlamentet, qeveritë dhe administratat e tyre, por kompetencat e tyre ndryshojnë. Kompetencat e rajonit përfshijnë çështje ekonomike dhe mjedisore, ndërsa komuniteteve u besohen gjuha, arsimi, kultura dhe disa aspekte që lidhen me parandalimin e sëmundjeve”.
Zyrtarë të Brukselit kanë thënë vazhdimisht se Kosova duhet t’i propozojë modalitetet e Asociacionit dhe se draft-statuti duhet të shtrohet për diskutim në kuadër të dialogut mes palëve./ Koha net