Borrell: Marrëveshja për të zhdukurit, hapi i parë i përmbushjes së zotimeve

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se pajtimi i Kosovës dhe Serbisë të martën për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë me marrëveshjet e arritura në shkurt në Bruksel dhe mars në Ohër.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon”, ka shkruar Borrell në Twitter të mërkurën. “Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të nivelit të lartë të cilën do ta organizoj”.

Të martën në Bruksel u takuan kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Pas takimit, Bislimi ka thënë se ka dakordim që të ketë takim të liderëve, ndërsa Petkoviq u shpreh se janë dakorduar për deklaratën për “personat e pagjetur”.

Më parë, më 18 mars në Ohër, u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Nënshkrim të marrëveshjes nuk kishte, por Borrell kishte thënë atë natë se “tashmë ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, duke shtuar se “ajo duhet të zbatohet”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.