Me rastin e 20 vjetorit të eksodit kosovar dhe ngritjes së kampit të Çegranit, të shtunën u mbajt një ceremoni përkujtimore me pjesëmarrës të shumtë nga vendi dhe Kosova të cilët u tubuan për të shënuar këtë përvjetor.
Fillimisht, pjesëmarrësit vizituan varrezat e Çegranit dhe Forinës, aty ku janë varrosur 12 kosovarë që ndërruan jetë gjatë asaj kohe në kamp dhe në këto dy fshatra.
Më pastaj u mbajt një panel diskutim me profesorë universitarë nga Kosova dhe vendi ku u diskutua rreth temës: “Drama kosovare më 1999 dhe sfidat e pasluftës”.
Pas vizitës që pjesëmarrësit ia bënë vendit ku ka qenë i vendosur Kampi i Çegranit i cili atëbotë strehoi rreth 60.000 të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre në Kosovë, manifestimi përkujtimor përfundoi me një program kulturo-artistik me SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani e cila festoi edhe jubileun – 45 vjetorin nga themelimi i saj. Mysafir i veçantë i këtij program ishte aktori i mirënjohur. Mirush Kabashi nga Shqipëria.