Çfarë parashikon neni 7 për “vetëmenaxhimin nga serbët”, sipas Lajçakut

Pika mbase më e pagëlltitshmja për palën kosovare dhe e cila ka prodhuar kritika të ashpra ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka qenë Neni 7 ku komunitetin serb i gjendet “një nivel i duhur vetëmenaxhimi”, shkruan Insajderi.

Ndërkaq për Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbiës, Miroslav Lajçak, kjo gjë “është tejet e rëndësishme”.

Në një intervistë dhënë për median serbe me seli në Kosovë, “Kossev”, ai flet për këtë pikë dhe çfarë do të thotë ajo. Megjithatë ai nuk ka një përgjigje të qartë mbi atë se çfarë dallon “vetëmenaxhimi” nga “vetëqeverisja”.

“Neni 7 thotë një gjë tejet të rëndësishme – që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa siguruar mbrojtje kushtetuese dhe institucionale për komunitetin serb në Kosovë. Kjo është ajo me çka ka të bëjë Neni 7”, tha Lajçak.

“Rreth hollësive duhet të pajtohen palët në dialog mbi bazën e marrëveshjeve 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithashtu duke u frymëzuar nga modelet ekzistuese dhe mirë-funksionale të modeleve evropiane”, përcjell Insajderi.

Pyetur nga media serbe se a është “vetëmenaxhimi” si koncept më i kufizuar se “vetëqeverisja”, Lajçak s’e shpjegon më tej.

“Çfarë është e rëndësishme këtu është që ajo që është pajtuar brenda kornizës së dialogut edhe të zbatohet. Është Pika 1 dhe Pika 2 – që do të ketë një model të zbatueshëm që përkon me kriteret e modeleve më të mëdha evropiane”, tha Miroslav Lajçak.

Çfarë thotë Neni 7?

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Leave a Comment

Your email address will not be published.