Shkruan: Hakif Bajrami
Ekskluzive: PLANET SEKRETE PËR KRIJIMIN E “VATIKANIT II” NË STAMBOLL, PËRMES LUFTËS “ÇLIRIMTARE” SHQIPTARE 1909-1914 (2)
Paria (ku ishte edhe Hasan Prishtina) prej Shkupit dërgohet në INTERNIM në Kështjellën e Beogradit
E vërteta për Hasan Prishtinën është thënë me kohë në Prishtinë. Se ku ishte Hasan Prishtina më 28 XI 1912 është thënë, pra, me kohë (më 1986-HB) në Prishtinë nga Dr. Liman Rushiti. Por, libri i tij, shumë mirë i dokumentuar, nuk është konsultuar fare
Çka thonë monografitë e botuara dhe çka vërtetojnë dokumentet e panjohura deri më tani lidhur me veprën madhore të Hasan Prishtinës, sidomos në momentin e shpalljes së pavarësisë, tani dihet çdo gjë. Por, pse në të gjitha librat deri më 1962 Hasan Prishtina konsiderohej për “tradhti” në librat shqip në Tiranë, këtë e dinin vetëm miqtë e pushtetit në Tiranë.
Për Hasan Prishtinën edhe para viteve historike, 1968 dhe 1981, ishin botuar monografi dhe artikuj nëpër revista dhe gazeta e që kishin një vlerë modeste shkencore. Më 1983 menduam se u shënua një kulitet i ri në njohjen e veprës së Hasan Prishtinës, sepse nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të shtetit shqiptar u botua në Tiranë, “Hasan Prishtina , përmbledhje dokumentesh 1908-1934, përgatitur nga studiuesit : Kujtim Nuro dhe Nezir Bato. Në përmbledhje janë prezantuar 158 dokumente që reflektojnë personazhin eminent patriotik dhe politik të Hasan Prishtinës. Lidhur me këtë, sipas të dhënave që i posedojmë për Hasan Prishtinën , mund të përgatitën edhe katër vëllime dokumentesh të tjera, për botim. Dokumentet janë të proveniencave të ndryshme, por mungon thjesht interesimi i shtetit në Shqipëri dhe shtetit në Kosovë, që kjo figurë emblematike të marrë vendin e merituar në altarin e famës kombëtare.
Ku ishte Hasan Prishtina ditën e shpalljes së Pavarësisë?
Në publikimin e dokumenteve të botuara në Tiranë, më 1983, duke i lexuar me kujdes, hulumtuesit i lind një dilemë fondamentale. Si ka mundur Hasan Prishtina të “qëndrojë” në Parlamentin e Turqisë në Stamboll më 28 XI 1912, kur ai e dinte fare mirë se do të shpallet Pavarësia e Shqipërisë, kur për atë ditë dihet se kishte jetuar, luftuar dhe ishte shkrirë deri në vdekje. Së këndejmi, duke e njohur karakterin, moralin, veprimin nacional të Hasan Prishtinës, duke e njohur sensin politik dhe përkushtimin kombëtar të tij, i hymë një hulumtimi më të thellë , për të vërtetuar se ku ishte me të vërtetë Hasan Prishtina ditën e shpalljes së Pavarësisë më 28 XI 1912, përkatësisht prej 2 nëntorit të vitit 1912 e deri më 1 prill 1913.
Për t`u përgjigjur në pyetjen që e kemi parashtruar, patjetër duhej të ndalemi te dokumenti nr. 42, i botuar në përmbledhjen e sipërshënuar në Tiranë (1983, f. 70)-“Diskutimi i Hasan Prishtinës në Parlamentin turk”, ku kërkoi shpjegime mbi politikën e brendshme dhe të jashtme nga kryeministri xhonturk –Stamboll më 15 nëntor (1328-sipas hixhrit) – 28 nëntor 1912“. Sipas këtij dokumenti Hasan Prishtina më 15 nëntor 1328 (sipas hixhrit) del se ishte në Parlamentin Turk më 1910 e jo më 1912. Aty, Hasan Prishtina kishte thënë: “Para se të fillohet me rendin e ditës dëshiroj t` i heq vëmendjen në një pikë mbledhjes së nderuar. Shkëlqesia e tij, kryeministri (Ibrahim Haki Pasha 12 janar 1910-29 shtator 1911) që ende nuk ka ardhur që të na japë shpjegime rreth politikës së jashtme dhe të brendshme. Nëse do të vazhdojë kjo gjendje, kemi për të kërkuar shumë shpjegime. Kështu që ta dimë, edhe ne e t`i përvishemi kërkimit të shpjegimeve, sepse nga vendi çdo ditë po marrim telegrame tepër të prekshme dhe tepër pezmatuese. Ato vende që po mbesin, me të vërtetë një zjarri e zullumit dhe të despotizmit po zhduken. Nëse nuk do t` i lexoni deklaratat e tyre të kërkojmë shpjegime.” Në fund të dokumentit shënon se ky shënim është nxjerrë nga procesverbalet e mbledhjes së Parlamentit turk më 15 nëntor 1328 (sipas hixhrit), përkatësisht më 28 XI 1912 sipas kalendarit modern, vëllimi I, f. 131 –Osmanisht. Për brendinë heuristike dhe hermeneutike të këtij dokumenti kaq delikat dhe kaq komprometues për patriotin Hasan Prishtina më 1983, në Tiranë nuk jepen kurrfarë shpjegimesh. Së këndejmi, autorët e përmbledhjes K. Nuro dhe N. Bato për të mos lënë dilema, kanë mundur për t`i prezantuar edhe disa telegrame që shkonin prej viseve shqiptare në Stamboll, gjithnjë duke u përpjekur pse një pjesë e prijësve të Kosovës nuk ishte në Vlorë më 28 XI 1912, kur për atë ditë kishin jetuar tërë jetën.
Tani lind pyetja pse u bë viti 1328 nga redaksia: Dhimitri Kotini , Xhavit Struga, Frane Veizi, Mediha Shuteriqi, Kalividhi Dedi fabrokohet kjo datë?!!! Kjo redaksi nuk e llogariti me saktësi shkencore se viti 1328 (Hixhri) do të thotë viti 1910. Me këtë gabim (me qëllime të prapavisë politike-HB) u përgatit publikimi : “Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”, Tiranë 1963. Prandaj, gabimi i “guximshëm” nga viti 1963 u përcoll me “kujdes” në vitin 1983, prapë në Tiranë. Mos të harrojmë se në prag të vitit 1960 Xhemal Broja, drejtor i Teatrit Kombëtar në Tiranë në dramën e tij ”Dragoi i Dragobisë”, kushtuar heroit të kombit Bajram Currit, e paraqet Hasan Prishtinën si “një spiun të xhonturqve”!!! Ajo dramë e shkruar ruhet në Arkivin Kombëtar në Tiranë, bile është shfaqur së pari në Tropojë “tiumfalisht”. Këto lojëra, që janë të “farës sonë”, duhet të zhveshën, duhet dokumentet të botohen për çdo periudhë se mjaft ma me vajtime.
Nuk do të reagoja po që se nuk do të përsëriteshin gabimet tendencioze edhe në Prishtinë, edhe pas Luftës çlirimtare 1998/1999
Në librin e Dr. Tahit Abdylit , “Hasan Prishtina në lëvizjen demokratike shqiptare 1908-1933”, Prishtinë 1990, f. 172, tekstualisht thuhet: “Seanca e fundit parlamentare , në të cilën Hasan Prishtina mori pjesë dhe diskutoi për fatin e vendit të tij, ishte ajo e datës 28 nëntor 1912, pra e mbajtur atë ditë kur u shpallë akti i Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë”. Autori këtë konstatim e citon prej dokumentit të botuar në Tiranë, më 1983, e ku autorët Kujtim Nuro dhe Nezir Bato e vënë datën 15 nëntor 1328 (28 XI 1912) e jo datën me të cilën janë bërë diskutimet më 15 XI 1328 (1910) në Parlamentin Osman. Nga kjo datë pastaj është “nxjerrë” në Prishtinë pa qëllim, duke i besuar botimit të Tiranës, ku konkludohet dy herë, së pari më 1963 e pastaj më 1983 se Hasan Prishtina “paska qenë” më 28 XI 1912 në Parlamentin turk (!!!), që nuk përkon me të vërtetën, sepse më 15 XI 1328 (sipas hixhrit), do të thotë 28 XI 1910 e jo 28 XI 1912. Prandaj, çdo gabim tendencioz kundër Hasan Prishtinës, pas botimit të këtyre fakteve, do të konsiderohet si tradhti që tenton komprometimin e patriotit dhe ideologut të kombit, Hasan Prishtina. E thash këtë sepse edhe më 1990 kam reaguar, por pa sukses, duke menduar se në mungesë të dokumenteve, në mungesë të diturisë që datat e hixhrit të kthehen në data të sakta, mund të konsiderohen se nuk “janë bërë me qëllim”. Tash e tutje, nuk kemi ma arsye që të shkruajmë se Hasan Prishtina “ka qenë në Stamboll më 28 XI 1912”. Ky konstatim rrëzohet katërçipërisht me këtë shkrim. Por, le të dihet se historiani i mirë, kurrë nuk i thotë të gjitha. Ka edhe argumente tjera, madje me bollëk.
“Atentatet” e shkencës shqiptare mbi Hasan Prishtinën
Por, atentatet mbi Hasan Prishtinën si duket nuk po ndalen, sepse më 2007 në Prishtinë Arkivi i Turqisë, së bashku me atë të Kosovës, e betoi të njëjtën “informatë intifadiste” me tendencë, pa e konsultuar asnjë historian të Kosovës, që e njeh këtë çështje në detaje. Si duket ky “atentat” mbi Hasan Prishtinën më 2007 i parapriu kampanjës turke për të “shkruar histori tolerante”. E vërteta, turqit e kishin një shembull që të ndërmarrin në hap të tillë, sepse nga historianët shqiptarë LUFTA JONË ÇLIRMITARE 1998-1999 është shkruar dhe nënshkruar se ishte KONFLIKT. Kjo do të thotë se ne kemi bërë njëfarë lufte për ta ndryshuar regjimin në Beograd, por jo kufijtë. Dhe, nënshkruesit e këtij dokumenti (që gjendet në Arkivin e UNMIK-ut, pastaj u graduan deri në Akademi!!!. Ndërsa, në Arkivin e Serbisë, në koleksionin e Stojan Protiqit, gjendet kërkesa e Hasan Prishtinës në gjuhën frënge, e firmosur më 26 XI 1912, ku kërkon nga Burgu i Beogradit, që Parisë shqiptare t`u lejohet pastrimi një herë në javë. Në këtë “koleksion” nuk jepet përgjigjja, por me rëndësi është fakti se kërkesa bëhet dy ditë para shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 XI 1912. Po në këtë koleksion është edhe deklarata e falsifikuar për Idriz Seferin, kinse më 12 XII 1912 ku kinse thotë: “Do të jam qytetar lojal i Mbretërisë serbe“. Me rëndësi është se edhe kjo datë zbulon faktin që Paria shqiptare ishte në burgun e Beogradit deri sa shpallej pavarësia e Shqipërisë në Vlorë.
Argumentimi i plotë i Liman Rushitit
E vërteta për Hasan Prishtinën është thënë me kohë në Prishtinë. Se ku ishte Hasan Prishtina më 28 XI 1912 është thënë pra, me kohë (më 1986-HB) në Prishtinë nga Dr. Liman Rushiti. Por, libri i tij shumë mirë i dokumentuar, nuk është konsultuar fare. E vërteta, për këtë libër shkencor isha edhe recensent më 1986. Të shkojmë me radhë. Në studimin monografik të Prof. dr. Liman Rushitit, Rrethanat politiko-shoqërore më Kosovë 1912-1918, Prishtinë 1986, f. 132 tekstualisht thuhet: “ Kështu në Shkup i zunë (ushtria serbe –HB) shumicën e parisë . Se në ç` mënyrë dhe si ndodhi kjo gjer më tani kemi të dhëna. Paria (ku ishte edhe Hasan Prishtina-HB) prej Shkupit dërgohet në INTERNIM në Kështjellën e Beogradit … (DASIP B. MPB e Serbisë. F. XII. R/12-1912, Komanda e Kështjellës së Beogradit nr. 4578, më 24 XI 1912. Me shënimin e kësaj date nga Dr. Liamn Rushiti lëkundet me argumente pohimi i publikuar në Tiranë më 1963 dhe 1983 se “Hasan Prishtina do të ketë “qenë” më 28 XI 1912 në Parlamentin osman. Por rrëzohet edhe konkludimi i lëshuar në Prishtinë më 1990. Pra, e vërteta ishte thënë më 1986 nga Dr. Liman Rushiti dhe e nënshkruar nga unë.
Në studimin monografik të prof. dr. Xheladin Shalës, marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990, f. 93 thuhet: “Në vigjilje (pra edhe këtu nuk jepet data e saktë kur u burgos Hasan Prishtina me shokë, por përjashtohet me fakte që Hasan Prishtina më 28 XI 1912 të ketë qenë në Parlamentin e Osmanilisë në Stamboll, duke vërtetuar se serbët arritën që ta zënë ideologun dhe organizatorin kryesor të Kryengritjës së përgjithshme shqiptare, Hasan Prishtinën në Shkup. Atë e zunë në nëntor të vitit 1912 në rrethinën e Shkupit, kur ai përpiqej ta pengonte tërheqjen dhe shpërnguljen e popullsisë shqiptare. Së bashku me Hasan Prishtinën u zunë edhe 13 patriotë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Idriz Seferi, Nexhip Draga, Said Hoxha e të tjerë që u internuan në burgun e kalas së Beogradit.” (Dr. Xhelkadin Shala, mbështetet në dokumentet e dorës së parë e që janë vërtetuar edhe nga autori i këtij studimi më 1984 në :AS. MID-PO, 1913, F. XVI . dos. I-nr. 3456). Edhe në këtë publikim jepen të dhëna se Hasan Prishtina më 28 XI 1912 nuk ishte në Stamboll. Dokumentet që janë hulumtuar në DASIP B. vërtetojnë saktësisht se Hasan Prishtina me shokë është privuar nga liria nga ushtria serbe në Shkup më 3 nëntor 1912.
Intervista e parealizuar e Arçibad Rajsit dhe çka pastaj?
Më 9 nëntor 1912 në Beograd, korrespodenti i një gazete, Zvicrane Arçibad Rajs, provon të bisedojë me parinë shqiptare në Burgun e Kalemgdanit. Fjala është për korrespodentin e Luftës Ballkanike, Arçibad Rajs, i cili më vonë u bë dhëndër i serbëve. Përndryshe (është ruajtur numri i pesë pyetjeve që do t` ua bënte Arçibad Rajs, Hasan Prishtinës dhe të tjerëve. E vërteta, A. Rajs më tepër anonte kah opozita serbe. Por, ato ditë nga MUD (Ministria e Punëve të Brendshme) nuk iu lejua të intervistojë Hasan Prishtinën, sepse ai pastaj do të detyrohej t` i botonte përgjigjet dhe kështu opinioni evropian do të mësonte të vërtetën e përbërjes etnike të Vilajetit Kosovës. Të shkoj më me radhë pyetjet: 1, Zotëri Hasan Prishtina, ju jeni njeri i informuar dhe kompetent për çështjet etno-politike në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë. E pranoni ju realitetin e ri; Cila është struktura e popullsisë para Luftës ballkanike në Vilajetin e Kosovës, që ju e përfaqësoni, 2. A do ta pranoni realitetin e ri të dalë nga Lufta mbi Turqinë, 3. A do të pranoni apo do ta vazhdoni luftën për shkollë kombëtare shqiptare dhe shtet etnik si ju e konceptoni gjithnjë; 4. A do të pranoni që administrata në Vilajet të zhvillohet vetëm në gjuhën shtetërore serbe, 5. A e pranoni ndarjen e Kosovës në mes Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë Malit të Zi? Këto pyetje nga 9 nëntori 1912, kanë mbetur pa përgjigje. Për herë të parë publikohen në këtë studim. Edhe ky fakt dëshmon katërçipërisht se Hasan Prishtina me shokë më 29 XI 1912 ishte i burgosur në Beograd, prandaj është krim politik më 2007 të provohet siç u provua nga Arkivi i Turqisë të komprometohet Hasan Prishtina kinse më 28 XI 1912 “paska qenë në Stamboll, madje mban fjalim në Parlament”. O mores o tempora, po kur do të ndalen intrigat nga “Bregu i Bosforit”?!!! (shiqo: CPB. S. 38. Përgatitja e pyetjeve të A. Rajsit drejtuar Parisë shqiptare në Burgun e Kalemegdanit më 9 nëntor 1912; shiko; Vilajeti i Kosovës, Istambull 2007). Ku ishte Hasan Prishtina me shokë nga 3 nëntori e deri më 1 prill 1913 ma nuk do koment. Por intrigat në emër të “historisë tolerante” ne nuk mund t` i ndalim, por do t’i luftojmë në mënyrë shkencore në çdo kohë dhe situatë, kundër kujtdo çofshin.