Nga Drejtoria e Arkivave të Shqipërië u njoftua ardhja e 1 milion dokumentave osmane, të cilat bartin të dhëna mbi realitete të ndryshme të Shqipërisë nën sundim osman, arkivat e së cilës kanë një prestigj botëror.
“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është pasuruar me mbi 1 milionë njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi të radhës prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arkivave.
Interesante duhet të jetë pjesë e realiteteve fetare në to, siç thuhet në njoftim.
“Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente do të gjejmë edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse”.
Drejtoria e Arkivave vijon duke thënë se “ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.
Kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë”.
Kujtojmë se historiografia shqiptare vuan ende nga diktati i versionit komunist të historisë, duke dhënë realitete të shtrembërruara që nga Mesjeta e deri sot.