Ambasadori serb i akredituar në Mal të Zi shpalli publikisht se Serbia e konsideron “çlirim” pushtimin serb të Malit të Zi në vitin 1918 dhe zhdukjen e shtetit malazez. Nga ana tjetër ambasadori i Serbisë sfidoi dhe përçmoi publikisht vendimin e Parlamentit të Malit të Zi, i cili në 29 nëntor të vitit 2018 e ka çfuqizuar dhe bërë të pavlefshëm vendimin e Asamblesë së paligjshme të vitit 1918,e cila nën topat serbe miratoi aneksimin e Malit të Zi.
Nga Shaban MURATI
Nuk mund të klasifikohet ndryshe veçse një skandal diplomatik ndërhyrja e Komisionerit të Lartë të BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi, në punët e brendshme të një shteti sovran, kur i kërkoi në 29 nëntor qeverisë së Malit të Zi që të revokojë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb nga vendi. Një ditë më parë, në datën 28 nëntor qeveria e Malit të Zi e shpalli ambasadorin serb Vladimir Bozoviç “persona nongrata”, sepse siç shpjegon vendimi “pas një ndërhyrje të gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi”. Ambasadori i Serbisë në 27 nëntor e quajti “çlirim” Asamblenë e Podgoricës në vitin 1918, e cila u mblodh nga forcat pushtuese serbe në atë kohe dhe me detyrim miratoi shkrirjen e shtetit të Malit të Zi dhe aneksimin e tij nga Serbia. Ambasadori serb i akredituar në Mal të Zi shpalli publikisht se Serbia e konsideron “çlirim” pushtimin serb të Malit të Zi në vitin 1918 dhe zhdukjen e shtetit malazez. Nga ana tjetër ambasadori i Serbisë sfidoi dhe përçmoi publikisht vendimin e Parlamentit të Malit të Zi, i cili në 29 nëntor të vitit 2018 e ka çfuqizuar dhe bërë të pavlefshëm vendimin e Asamblesë së paligjshme të vitit 1918,e cila nën topat serbe miratoi aneksimin e Malit të Zi.
Çnderimi, që ambasadori serb i bën historisë së Malit të Zi dhe të drejtës së popullit malazez për liri e pavarësi dhe për shtet të pavarur, paraqet një shfaqje të rrezikshme të ekspansionizmit dhe të shovinizmit serb. Kjo ngjarje provon se Serbia nuk është pajtuar me pavarësinë e Malit të Zi dhe po përpiqet me të gjitha mënyrat që të rikthejë kohën kur pushtimi dhe sundimi serb konsiderohet “çlirim”. Ambasadori serb e ka patur në qendër të veprimtarisë së tij diplomatike dhe subversive në Mal të Zi linjën e rikthimit të pushtimit serb. Jo larg, por në datën 11 nëntor Ministria e Jashtme e Malit të Zi e ndaloi ambasadorin e Serbisë të vendoste kurorë me dedikim për “çlirimtarët”pushtues serbë në Malin e Zi në luftën e parë botërore. Të paraqitura në publik nga ambasadori Serbisë në Malin e Zi, këto pikëpamje antimalazeze dhe anti historike përfaqësojnë politikën dhe mendimin zyrtar të Serbisë së sotme të presidentit Aleksandër Vuçiç. Kaq flagrant është pretendimi shovinist i ambasadorit serb, sa që Beogradi në datën 28 nëntor vendosi të zbatonte reciprocitetin dhe shpalli “non grata” ambasadorin e Malit të Zi, kurse në datën 29 nëntor hoqi dorë nga ky hap.
Bën përshtypje që as presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, as kryeministrja serbe Ana Bërnabiç dhe as ministria e jashtme e Serbisë nuk i përgënjeshtruan qendrimet antimalazeze të ambasadorit të tyre në Mal të Zi dhe as i kërkuan falje qeverisë së Podgoricës për pikëpamjet shoviniste dhe aneksioniste të tij. Sfidat publike, që ambasadori i Serbisë dhe qeveria e Serbisë pas tij, i bëjnë të drejtës historike, sovranitetit dhe pavarësisë së Malit të Zi, nuk janë të rastësishme. Ato lidhen me zgjimin e fuqishëm të revanshit aneksionist serb ndaj Malit të Zi pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit. Në Mal të Zi, si rezultat i ndërhyrjes masive të forcave agjenturore dhe institucioneve serbe dhe ruse zgjedhjet i fituan forcat radikale politike dhe fetare proserbe dhe proruse, të cilat janë kundër pavarësisë dhe kundër kombit dhe identitetit malazez,si dhe kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër orientimit perëndimor. Ata janë për aleancë me Serbinë dhe me Rusinë. Qysh të nesërmen e fitores në zgjedhjet e 30 gushtit, kryetari i opozitës dhe tani kryeministër në qeverinë e re, Zdravko Krivokapiç, deklaroi se është kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë, me të cilat është bashkuar Mali i Zi, që don të thotë se qeveria e re do ta tërheqë Malin e Zi nga këto sanksione. Kaq filoserbe është qeveria e re në Mal të Zi, sa që ministre e re e arsimit dhe e kulturës është emëruar Vesna Bratiç, e cila ka shpallur vetë publikisht se “unë jam nacionaliste serbe dhe grua çetnike, dhe malazezët nuk kanë baza historike, por janë një inxhinjering etnik”. Nuk don shumë mend për të kuptuar se kujt do t’i shërbejë një qeveri e tillë.
Qeveria e re e filorusit dhe e delfinit të Serbisë, Zdravko Krivokapiç, e cila filloi nga puna në 2 dhjetor, e ka entuziazmuar aq shumë Serbinë, sa që Beogradi vendosi të ndërmarrë nëpërmjet ambasadorit të saj një hakmarrje dhe provokacion ndaj qeverisë malazeze, që futi vendin në NATO dhe që dorëzon tani pushtetin. Por qeveria e deritanishme malazeze si një qeveri që mbron sovranitetin, integritetin, shtetësinë dhe historinë e vendit të vet, ndërmori aktin e drejtë të dëbimit të ambasadorit serb, akt i cili mund të konsiderohet shuplaka e fundit malazeze për ambicjet aneksioniste të Beogradit.