Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” duke i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara Sali Berishën dhe familjarëve të tij, bashkëshortes Liri Berisha, djalit Shkëlzen dhe vajzës Argita Berisha Malltezi.
Njoftimin e dha Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken. “Veprimet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Po i ndaloj publikisht hyrjen në SHBA Berishës dhe familjarëve të tij. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerin tonë, Shqipërinë”, shkroi Blinken në Twitter.
Blinken kërkoi hetim të thelluar për një nga personat më të rëndësishëm të politikës shqiptare. Por indiciet janë dhënë edhe më parë se Berisha është “non grata” nga SHBA.
“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”, thuhet mes të tjerave në vendim.
“Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit.
Ndërkohë që në përfundim, deklarata e DASH ka dhënë përcaktimin e qartë se ““Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht,” thotë në deklaratën e tij Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Janë tre përcaktime të qarta, konkrete dhe që shërbejnë si mesazh jo vetëm për drejtësinë por dhe për politikën shqiptare.
Parë në këtë këndvështrim, ajo që të bie ndërmend është pyetja: Do të heqë dorë Sali Berisha nga mandati i deputetit dhe do të largohet përfundimisht nga salla e Kuvendit të Shqipërisë dhe politika shqiptare?!
I pesti në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, Berisha ka një mandat të sigurtë deputeti, ndërkohë që opozita ka pasur si “kalë” beteje të politikës së saj luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Madje më se njëherë Lulzim Basha ka deklaruar se ai është dhe njeriu që i dha jetë ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri, duke paralajmëruar gjatë fushatës se nuk do të ketë në listën e kandidatëve asnjë të inkriminuar dhe të korruptuar.
Tashmë Sali Berisha është shpallur person i padëshirueshëm nga DASH dhe i ndalohet familjarisht hyrja në SHBA, do të ndërmarrë aktin e dorëzimit të mandatit të deputetit, apo do ta kemi sërisht “barrë” në Parlamentin e Shqipërisë.
Dhe nëse nuk heq dorë vullnetarisht, e ka fuqinë kryetari i PD Lulzim Basha që ta përjashtojë nga grupi parlamentar?!
Mbetet për t’u parë, nëse Berisha do të jetë në Kuvend! Njëherë të shohim nëse do të reagojë me shpejtësi Basha për qëndrimin amerikan, ndaj ish kreut të PD.
Për këtë mjafton të sjellim ndërmend përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishë.
“A e kalon dot Oqeanin për në SHBA…?”
E mesa duket kjo pyetje ka marrë përgjigje pikërisht sot.
Vjen reagimi i parë nga Partia Demokratike, në lidhje me vendimin e DASH që shpalli ‘non grata’ në SHBA ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.
Ka qenë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ai që ka thyer heshtjen, duke postuar dy foto, ku shihen ish-kryeministri Sali Berisha me presidentin e SHBA-ve, George Bush si dhe kryeministri Edi Rama me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke ironizuar vendimin.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta futur Sali Berishën dhe familjen e tij në listën e zezë, ka shkaktuar bujë në mediat ndërkombëtare.
Ish kryeministri është shfaqur në faqet e para të mediave ndërkombëtare të cilat kanë pasqyruar deklaratën e sekretarit Amerikan të Shtetit i cili rendit argumentet e DASH.