Pushtimi dhe aneksimi i Kosovës nga Mbretëria e Serbisë dhe e Malit të Zi më 1912-1913, veç të tjerash u ndie edhe në strukturën demografike, në fushën ekonomike dhe të komunikacionit. Qenësia e strukturës demografike, zhvillimi dhe stabiliteti ekonomik në Kosovë u tronditën, sepse ruajtja e bërthamës etnike e përparimi ekonomik vareshin veçanërisht nga rrethanat politike dhe qëndrimi i Qeverisë e administratës serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Në fillim të vitit 1914, Mbretëria e Serbisë dhe pjesërisht ajo e Malit të Zi nisën zbatimin e projekteve demografike, ekonomike dhe të komunikacionit në Kosovë e më gjerë, që u përshtateshin interesave politike.
Që në fillim vlen të theksohet se strukturën kombëtare dhe etnike të popullsisë në Kosovën historike e përbënin kryesisht shqiptarët, ndërsa kombësitë dhe etnitë e tjera ishin pakica, si: serbët, bullgarët, turqit, boshnjakët, hebrenjtë, romët e vllehtë, kurse atë fetare myslimanët dhe të krishterët. Shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në Kosovë si para dhe pas pushtimit serb e malazez.
Mirëpo, për shkak të vrasjeve e shpërnguljeve gjatë dhe pas Luftërave Ballkanike, popullsia e Kosovës pësoi rënie të konsiderueshme të numrit të përgjithshëm të saj. Sipas të dhënave statistikore serbe të publikuara në fillim të vitit 1914, numri i përgjithshëm i popullsisë në “Serbinë e Re” (viset e pushtuara dhe aneksuara Mbretërisë së Serbisë më 1912-1913) arrinte në 1.489.386 frymë./Fitim Rifati