Deputetët e Vetëvendosjes, Fitim Uka, Mefail Bajqinovci, Arbëreshë Kryeziu e Agon Batusha janë shprehur pro idesë së kryeparlamentares Vjosa Osmani që të ketë një Qeveri teknike me një kryeministër unifikues.
Që të dy deputetët kanë propozuar që kryeministër të jetë Murat Jashari, si figura më unifikuese në vend.
“Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, paska thënë se “e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”. Me një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, me një Qeveri ilegale e joprofesionale në sfond, që varet nga Lista Serbe, do të votoja për një Qeveri të tillë tranzitore, që e ndal pazarin e territoreve dhe i hap rrugën zgjedhjeve pas 6 muajsh”, ka shkruar Uka.
Ai ka shtuar tutje, “e figura unifikuese e mbi-partiake që nuk do shumë kërkim, është padyshim Murat Jashari”.
Kurse Bajqinovci ka thënë se, “si deputet i Kuvendit e mbështesë plotësisht idenë e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për një Qeveri tranzitore 6 deri në 9 muaj, me ministra teknik dhe e udhëhequr nga një figurë mbi partiake që do të mundësonte funksionimin e vendit pa përplasje të thella deri në zgjedhjet e ardhshme. Jam i bindur që përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion, do të ishte njëri nga përfaqësuesit e familjes emblematike të kombit tonë, z. Murat Jashari”.
Ai ka shtuar se mendjet e kthjellëta politike, na nevojiten tani më shumë se kurrë.
“Unë jam pro një qeverie unifikuese tranzitore me në krye Murat Jasharin. Do ta votoja madje qysh nesër. Në një moment si ky, kur humbësit po përpiqen të krijojnë një Qeveri të Re jolegjitime që nuk e ka mbrapa vullnetin e popullit, na duhet unitet. Le ta parandalojmë hovin e përplasjeve që po na presin ditët e muajt në vijim, e që dorën në zemër nuk do të jenë aspak të lehta”, ka shkruar Kryeziu.
Derisa Batusha ka thënë, “Pse mos ta kemi një kryministër konsesual si Murat Jashari që do të shërbente si figurë unifikuese për një qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?”.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve në vend, duke shtuar se në kohë pandemie Kosovës i duhet një qeveri teknike unifikuese.
Në një deklaratë, Osmani ka thënë se një qeveri tranzitore do të parandalonte polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha politike në kohë pandemie.
“Politikisht, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, zgjedhjet janë i vetmi opsion që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve. Por në ndërkohë, deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, një qeveri teknike-unifikuese do të mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike dhe do të bënte përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, e do të sillte konsensus rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.