DEPUTETËT EVROPIANË KRITIKOJNË BRUKSELIN PËR QASJE TË NJËANSHME DHE TENDENCIOZE NDAJ KOSOVËS

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, i është drejtuar me një pyetje emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Reuten e pyeti diplomatin sllovak se “pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës?”, pasi të martën në Komisionin Evropian u paralajmëruan masa ndaj Kosovës.
Sipas Lajçakut, “eskalimi po vazhdon dhe po shihen veprime të dhunshme”. Ndërkohë, eurodeputeti holandez iu drejtua atij se pse kurrë qasja në dialog “nuk ka qenë e balancuar”.

“A mund ta shpjegoni se pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë një qëndrim më të fortë ndaj dikujt që e ka kthyer eskalimin e deeskalimin në një lloj arti. Së fundi, pas mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke u kthyer në Beograd, z. Vuçiq fyu në parim marrëveshjen e arritur. Disa ditë më vonë një komisioner shkon në derë me 600 milionë euro. Ky është sinjal që nuk na duhet kur kemi të bëjmë me autokrat”, tha ai.

“Kurrë nuk ka pasur pikëpamje të balancuar apo reagim të balancuar. Nuk ishte e barabartë. A mund të reflektosh pë reagimin e BE-së në lidhje me kidnapimin e tre policëve kosovarë. Ata janë të lirë, por janë nën akuza dhe është e papranueshme. Pse nuk u bë thirrje për lirim të menjëhershëm?”

Miroslav Lajçak duhet të dorëhiqet. Zërat kritikë ndaj punës që i dërguari i posaçëm i BE-së ka bërë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar.

Gjatë seancës në Komitetin e Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, eurodeputeti austriak Thomas Waitz, tha se qëndrimet e Lajçak në raport me tensionet mes dy vendeve e kanë ulur besueshmërinë tek dialogu i ndërmjetësuar.

“Si e konsideroni ju një marrëveshje që nuk u firmos me sukses nga të dyja palët?! Ku realisht shihni ju sukses në punën tuaj në katër vitet e fundit? Në komunikimin tonë po duket sikur agresioni erdhi nga Kosova, ndërsa atë e organizoi Serbia, mercenarët erdhën nga Serbia dhe sulmuan KFOR-in. Dhunuesi është gjithmonë dhunues. Kështu që ne vërtet dhamë një përshtypje të keqe me mbrojtjen e dhunuesve, ndërsa sulmojmë viktimat e agresionit, edhe nëse mendojmë se disa lëvizje politike ishin të gabuara. Kjo është duke e minuar kredibilitetin tonë në rajon”, tha Thomas Waitz, eurodeputet i Austrisë.

Edhe Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, i cili në vazhdimësi reagon lidhur me zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut në mes të Kosovësd dhe Serbisë, ka thënë se masat e bëra publike nga Komisioni Evropian kundër Kosovës janë një gabim.

Abraham ka thënë se mbyllja e një syri përballë problemit real dhe presioni tek pala më e dobët asnjëherë s’ka funksionuar.

“Masat e shpallura nga Komisioni i BE-së kundër Kosovës janë gabim. Mbyllja e njërit sy ndaj problemit të vërtetë dhe presioni ndaj anës së dobët nuk ka funksionuar kurrë”, ka shkruar Abraham.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman dje ka thënë se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.

Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

Leave a Comment

Your email address will not be published.